Opozita denoncoi publikisht se ndaj Irena Gjokës kishte një vendim penal dhe kjo e fundit, gjyqtare në GJKKO, kishte gënjyer në momentin e vetingut dhe për këtë arsye duhet të largohej nga sistemi i drejtësisë.
Opozita nxori dokumentet dhe faktet. Por në momentin që u publikua, askush nuk e filloi hetimin kryesisht, as ILD (Inspektori i Lartë i Drejtësisë), as Prokuroria e Përgjithshme, ndoshta as SPAK-u vetë, kur në fakt të gjithë e panë se opozita po nxirrte dokumente.
Më pas ishin Adriana Kalaja dhe Gazment Bardhi ata që çuan dokumentet zyrtare në institucione, kur shumë të tilla mund ta fillonin kryesisht hetimin, por dikush i pengoi.
Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se po bënte verifikimin e rastit.
Çfarë bëri?
Në vend që të bënte një hetim të plotë administrativ, Prokurori i Përgjithshëm, pasi mori dokumentet, nuk ia dërgoi ILD-së për një masë disiplinore. Prokuroria e Përgjithshme nuk e përcolli në SPAK për procedim penal gjetjen e faktit dhe provave që Irena Gjoka ishte e dënuar në Greqi dhe ishte në dijeni, pasi kishte kontaktuar edhe avokat.
Por Prokuroria e Përgjithshme ia përcolli dosjen me gjetjet Këshillit të Lartë të Gjyqësor.
Mesa duket, pa rezultate të hetimit disiplinor, sepse po të kishte rezultate të hetimit disiplinor, ato duhet t’i ishin përcjellë ILD-së ose SPAK-ut.
Lind pyetja: përse ia çoi KLGJ-së dhe pse pa rezultate të hetimit disiplinor? Pse nuk e çoi në SPAK apo ILD, kur faktin e kishte aty?
Nga ana tjetër, KLGJ-ja e mbylli çështjen pasi “hetoi” dhe tha se nuk ishte lëndë për të dhe as nuk ia ktheu Prokurorit të Përgjithshëm që të sillte rezultatet e hetimit disiplinor. KLGJ-ja nuk e përcolli as në SPAK as në ILD dhe as Prokurori i Përgjithshëm nuk e përcolli.
Atëherë kush e mbron Irena Gjokën?
Shkojmë më tej. Një anëtar i KLGJ-së, me vullnetin dhe nismën e tij, ia përcolli më pas dosjen e Irena Gjokës për kompetencë ILD-së dhe kjo e fundit njoftoi se ka filluar hetimi disiplinor.
Tani, çfarë bëri dy vite ILD-ja, që kur ka dalë denoncimi për Irena Gjokën që të na thotë tani se nisi verifikimi për shkelje disiplinore?
Çfarë ka bërë përgjatë dy viteve ILD-ja, rrinte e lexonte gazetat? Nuk e fillonte dot vetë kryesisht hetimin? Nëse lënda ishte e ILD-së dhe ILD-ja tani filloi hetimin disiplinor, pse nuk i mori këto dokumente për dy vite me radhë? Dokumentet i kishte publikuar Berisha, mund t’i verifikonte dhe mund ta kishte filluar hetimin disiplinor, por u kujtua tani.
Kush e pengoi dy vite ILD-në?
Kush bëri që Prokuroria e Përgjithshme të mos i çonte letrat në ILD dhe SPAK, por t’i çonte në KLGJ? Kush ishte “mendja” që ndërhyri, që ndikoi në KLGJ, që kjo e fundit të mos ia kthente Prokurorisë për hetim disiplinor apo t’ia çonte ILD-së ose SPAK-ut?
Tani lind pyetja se pse Prokurori i Përgjithshëm e mbajti dosjen për dy vite dhe nuk nxori asnjë konkluzion? Cila është arsyeja? Pra, shumë pyetje ngelen pa përgjigje, ku përfshihen: Prokurori i Përgjithshëm, KLGJ-ja, ILD-ja e ndoshta deri diku edhe SPAK-u.
E në rast se Irena Gjoka është e pafajshme, këta duhen shkarkuar të gjithë me radhë: edhe ILD-ja, edhe anëtarët e KLGJ-së (përjashto atë që përcolli dokumentet në ILD), edhe Prokurori i Përgjithshëm për shkak se nuk kanë vepruar kur kanë pasur të gjitha faktet dhe provat, të cilat tregonin se një gjyqtare e GJKKO-së është dënuar në Greqi dhe ajo ka qenë në dijeni, siç e theksuam edhe më lart, pasi kishte kontaktuar edhe avokatin.
Atëherë, ose kjo grua është e pafajshme dhe ato dokumente janë false, ose ILD, Prokurori i Përgjithshëm dhe KLGJ duhen shkarkuar të gjithë.
E në rast se duan një Reformë në Drejtësi, ky është rasti kur kjo reformë “fut ujë”.
Ose gjyqtarja Irena Gjoka është e pafajshme dhe në rast se do të dalë e tillë, sërish ata, duhet të shkarkohen të gjithë, pasi për dy vite me radhë nuk e zgjidhën këtë problem.
Edhe në rast se është fajtore, sërish duhet të shkarkohen të gjithë, pasi me vonesat dhe mosveprimet e tyre kanë lënë në sistem një gjyqtare të shantazhueshme, të kapur, por dhe të dënuar, e cila ka mashtruar në veting./ CNA/
Gazeta RD