Rrugët dhe ministrja që ja zë me rrotë bishtin Ramës!

Nga Boldnews.al

E gjithë Juglindja e vendit është paralizuar nga shembja e rrugëve. Nëse shosha e propagandës së Rilindjes mbulon edhe diellin, rrugës nuk kanë çfarë t’i bëjë. Nuk është shiu, as “formacioni gjeologjik”, as tërmetet, por abuzimi, vjedhja dhe batërdia me tenderat publike që po shembin çdo rrugë të vendit të sapoinaguruar.

Ndërsa rrugët shemben dhe miliardat e eurove kanë firuar, kryeministri ka marrë në duar rrulin që po shtyp drejtësinë, moralin dhe ligjin, bashkë me ndërkombëtarët që ngjajnë si të zënë në befasi, ndonëse nuk do të duhet të ishte aspak çudi për ta, pasi këtë formë qeverisëse e ka ndërtuar që nga dita një kur mori pushtetin.

Për të dalë nga kjo situatë, Rama do të donte të rivinte edhe një herë në skenë telenovelën se i kanë ngrënë dardha dhe kumbulla pas shipnës dhe se PS dhe ai vetë nuk do të bëhej avokat për ta. Këtë herë nuk mund ta bëjë. Gostia me dardha dhe kumbulla ia kanë mpirë dhëmbët atij vetë dhe në raste të tilla, sjellja si virgjereshë pasi ke punuar në një shtëpi të madhe të “bordello-politikës”, nuk vlen. Nëse vendos të djegë Belën, zjarri i saj do përpijë edhe vetë Ramën.

Paradoksalisht, ndërsa rrugë e çdo objekt publik i dalë nga firmëtarja Balluku dhe drejtorët e saj shemben e fundoes orë pas orësh, në të njëtën kohë Rama është i detyruar të vendosë në rresht të tijët për t’i thënë jo kërkesës së Prokurorisë Speciale për arrestimin e zëvendëses së tij që i kishte besuar portofolin më të madh.

Bela ia ka zënë me rrotë bishtin e krehur për shumë vite nga zyrtarucët e Brukselit. Tani është koha të bëjë një zgjedhje të detyruar, duke i vendosur flakët pjellës së tij, drejtësisë së re për të cilën krenohej që e kishte krijuar ai. Ai është i detyruar që një flakë ta ndezë. Deri tani ka mbuluar me barut Prokurorinë Speciale dhe i mjafton vetëm një shkëndijë për ta hedhur në erë. Gjithçka do të vendoset më 5 Mars kur deputetët e PS-së presin vetëm urdhrin e kryetarit të tyre për të vendosur nëse do e lëshojnë ose jo superministren, njeriun më të fuqishëm pas kryeministrit.

Vetë ajo deri më tani ka heshtur. Nuk ka preferuar as të mbrojë veten. Heshtja e saj flet më shumë se çdo qëndrim. Ndryshe nga Erion Veliaj që u vetëofrua të bëhej kamikaze duke hedhur në erë veten, familjen dhe mbështetësit, Bela i ka vënë kusht të hedhë në “erë” drejtësinë e re, për ta shkërmoqur deri në themele. Ditët e fundit do të tregojnë nga do të ndizet flaka, një zjarr që do të përcëllojë edhe Ramën pasi është i kushtëzuar për të flijuar krijesën e tij të drejtësisë apo krijesën e tij politike të cilës i la çelësat e kasafortës së përbashkët.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Lëvizja e fundit e Ramës për të shpëtuar lëkurën e tij! Kërkoj dorëheqjen e menjëhershme, përndryshe do përballet me popullin shqiptar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi përmes një videomesazhi ndaj lëvizjes së fundit të …