Spiropali për Ramën: Nuk është burrështetas…/ Konsideron historik anëtarësimin në NATO nga Berisha

“Në Europën politike, nga De Gasperi te Schuman, modeli që mbeti ishte ai i burrështetasit që ndërton mbi parime dhe jo mbi kalkulime afatshkurtra, dhe ky mbetet edhe për mua standardi ideal i shërbimit publik”. Mesazhi i Spiropalit është i qartë për Ramën. Nuk e  konsideron një burrështatas, por një kalimtar. Por Spiropali ka konsideruar edhe si historik anëtarësimin e vendit në NATO nga Berisha.
Ministrja e Jashtme në detyrë, Elisa Spiropali, ka reaguar publikisht në Facebook pas shkarkimit nga detyra në mbledhjen e fundit të qeverisë, duke falënderuar Edi Rama dhe Partia Socialiste për besimin e dhënë ndër vite. Megjithatë, përtej toneve institucionale, deklarata e saj mbart një mesazh të nënkuptuar politik, ku thekson se “politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme” dhe se institucionet janë më të mëdha se individët. Një formulim që lexohet si distancim elegant nga mënyra se si merren vendimet dhe si administrohet pushteti.
Në tekstin e gjatë reflektues, Spiropali vendos theksin te dinjiteti personal, karakteri dhe pesha morale e funksionit publik, duke nënvizuar se historia nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, por me gjurmën që lë pas. Referencat ndaj figurave europiane si De Gasperi dhe Schuman, si dhe insistimi te “besnikëria ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit”, tingëllojnë si një sinjal i qartë se ajo kërkon të pozicionohet mbi rrethanat e momentit, pa e pranuar publikisht narrativën e një largimi të thjeshtë teknik.
Mes rreshtave, mesazhi duket i drejtuar jo vetëm elektoratit socialist, por edhe vetë kryeministrit, rotacioni i detyrave respektohet, por dinjiteti nuk negociohet. Duke theksuar se “pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme”, Spiropali lë të kuptohet se largimi nga posti nuk përbën tërheqje politike, por një fazë të re në raportin e saj me pushtetin dhe me partinë. Një reagim i matur në formë, por me nëntekst të fortë politik.

 

Mesazhi i Elisa Spiropalit

Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen.

Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë. Në fund ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur atë dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës dhe qëndrimit tënd.

Shërbimi ndaj Shqipërisë për mua ka qenë dhe është i lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për Shqipërinë, zgjedhje e vetëdijshme dhe jo aksident karriere, një akt besimi se vendi ynë mund dhe duhet të qëndrojë në anën e duhur të historisë, ashtu siç në momentet kyçe të saj Shqipëria ka ditur të zgjedhë orientimin perëndimor, edhe kur kjo zgjedhje ka qenë e vështirë. Nga koha kur rilindasit kërkonin dritë në Europë, te vendimi historik për anëtarësimin në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Europian, projekti ynë kombëtar ka qenë gjithmonë projekt për t’u bërë pjesë e qytetërimit politik që ndërtoi shtetin e së drejtës, dinjitetin institucional dhe njerëzor.

Në këtë kuptim, detyra ime si Ministre e Jashtme nuk ishte thjesht funksion, por vazhdim i një narrative historike që e sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik.

I jam mirënjohëse Partisë Socialiste dhe Kryeministrit për besimin e dhënë ndër vite, sepse mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal.

Ne kemi ndërtuar së bashku një model që e ka zhvendosur Shqipërinë nga psikologjia e tranzicionit drejt normalitetit europian, duke zgjedhur reforma kur ishte më e lehtë të zgjidhej kompromisi me mediokritetin dhe duke zgjedhur përgjegjësinë kur populizmi ofronte duartrokitje të shpejta. Ky model nuk është i përsosur, por është i qartë në orientim dhe i vendosur në qëllim.

Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme. Institucionet janë më të mëdha se individët, por janë individët ata që u japin atyre frymë, ton dhe karakter. Në çdo funksion që më është besuar, si deputete, kryetare Kuvendi e ministre, kam zgjedhur të jem zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë, sepse dinjiteti i shtetit mbrohet jo vetëm me marrëveshje e dokumente, por me qëndrimin që mban kur përfaqëson flamurin tënd përballë të tjerëve. Në Europën politike, nga De Gasperi te Schuman, modeli që mbeti ishte ai i burrështetasit që ndërton mbi parime dhe jo mbi kalkulime afatshkurtra, dhe ky mbetet edhe për mua standardi ideal i shërbimit publik.

Vendimet politike janë pjesë e një vizioni më të gjerë dhe si të tilla respektohen, por historia personale e secilit prej nesh nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, as me fuqinë e përkohshme politike, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit. Në histori, figurat që mbeten nuk janë ato që mbajnë më gjatë pushtetin, por ato që nuk relativizojnë kurrë karakterin, sepse dinjiteti nuk është dekoratë ceremoniale, por qëndrueshmëri përballë kohës dhe aftësi për të mos u frikësuar as nga e kaluara, as nga e ardhmja.

Socialistëve u detyrohem gjithmonë besnikëri ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, sepse e majta europiane që kemi synuar të ndërtojmë në Shqipëri nuk është retorikë, por përpjekje për drejtësi sociale, shtet funksional dhe integrim të pakthyeshëm në Bashkimin Europian. Këto janë busulla që nuk ndryshojnë me rrethanat dhe nuk zbehen me rotacionin e detyrave.

Forca e një projekti politik matet nga aftësia për të prodhuar modele që qëndrojnë edhe kur rrethanat ndryshojnë, sepse modelet nuk rrëzohen me dekrete, ato provohen me kohën.

Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe Partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm. Në këtë kuptim, për mua përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi.

Mesazhet tuaja më të shumta në largim, se në marrjen e detyrës, ma përforcojnë detyrimin dhe vendosmërinë për të dhënë më shumë.

Sepse pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme.

About Krye Redaktor

Check Also

Agjencia “Reuters”/ Rama mbron korrupsionin qindra milionë euro të Ballukut

Kryeministri shqiptar Edi Rama, në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, shkarkoi zëvendësen …