Kuvendi do të mblidhet sërish paraditen e kësaj të enjte në seancë plenare.
Në Rendin e Ditës nuk është përfshirë çështja e imunitetit të Belinda Balluku, pavarësisht kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
Më herët, burime nga mazhoranca kishin bërë të ditur se seanca ku do të votohej për imunitetin e deputetes pritej të ishte ajo e 5 marsit, por kërkesa nuk është përfshirë në rendin e ditës së sotme.
Nga pikëpamja procedurale, nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk mban një qëndrim brenda tre muajve nga momenti i dorëzimit të kërkesës nga SPAK, ajo konsiderohet automatikisht e rrëzuar. Kërkesa është paraqitur më 16 dhjetor, ç’ka do të thotë se afati përfundon më 16 mars.
Edhe pse SPAK ka kërkuar arrestimin e Ballukut, me argumentin se lënia e saj e lirë rrezikon prishjen e provave, socialistët me urdhër të Ramës i japin akoma kohë të besuarës së tij.
Mbetet për t’u parë se në cilën seancë parlamentare do të trajtohet kjo çështje. Ndërkohë kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, Balluku u shkarkua nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres, bashkë me Elisa Spiropalin dhe Pirro Vëngun.
Gazeta RD