Deputetja e PD, Ina Zhupa, akuzoi nga foltorja mazhorancën socialiste se ka një “fobi nga fjala e opozitës” dhe se po përgatit ndryshime të njëanshme në rregulloren e Kuvendit me qëllim përgjysmimin e kohës së të folurit për deputetët.
Sipas deputetes Zhupa, kjo lëvizje vjen si një kundërpërgjigje ndaj një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë opozitës për kohën e nevojshme për diskutim. Ajo hodhi një akuzë të fortë, duke deklaruar se kryeministri i ka tërhequr vërejtjen grupit të tij parlamentar.
Zhupa: Zoti kryetar, keni fobi nga fjala e opozitës, e keni tmerr, keni numëruar ato minutat tona të sesionit të kaluar dhe ju ka hequr vërejtje kryeministri, se ju tha ju duhet të jeni vetëm kartona dhe mbasi kishit një vendim të Gjykatës Kushtetuese që ju tregonte që ky kuvend ka shkelur të drejtat kushtetuese të deputetëve të opozitës për t’u shprehur, për të diskutuar, për të marrë kohën e nevojshme për ndryshimet në rregullore, ju vazhdoni në mënyrë të njëanshme të propozoni ndryshime në rregullore, siç nuk ka ndodhur ndonjëherë më përpara, jush që ndryshimet në rregullore të jenë të njëanshme, dhe kush është thelbi i ndryshimeve?
Thelbi i ndryshimeve është të godasësh pikërisht atë që ju tërhoqi vëmendje Gjykata Kushtetuese. Pikërisht atë që ju rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Lirinë e shprehjes së deputetit, hapësirën e deputetit për të thënë të vërtetën, për të thënë hallet e qytetarëve, për të denoncuar korrupsionin qeveritar, për të kërkuar llogari juve.
Po procedura këtu është që ju propozoni me vendimmarrje të grupit tuaj të Partisë Socialiste që koha e deputetëve të përgjysmohet.
Te procedura jam dhe procedura është që të tërhiqini ato ndryshime.
Gazeta RD