Tabaku: Shqiptarët nuk janë lodhur nga Brukseli, por nga mungesa e drejtësisë!

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, nga foltorja e Kuvendit deklaroi se, nismat ligjore marrin vlerë kur përfitojnë qytetarët, pavarësisht se kush i propozon.

Ajo përgëzoi deputeten Ina Zhupa për këmbënguljen në një çështje që, sipas saj, diskutohet prej vitesh dhe synon të rikthejë një të drejtë të mohuar për arsimtarët.

Tabaku ngriti gjithashtu shqetësime për qasjen e qeverisë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ajo kritikoi idenë e integrimit të përshpejtuar ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët dhe zonën Schengen Area pa përfunduar më parë transformimin institucional dhe demokratik.

Tabaku: Po puna merr papritur vlerë kur iniciativa ligjore kopjohet nga mazhoranca dhe nuk ka rëndësi se kush e ka emrin dhe kush e çon në fund. Rëndësi ka që këto qytetarë të përfitojnë, që këto arsimtarë të përfitojnë dhe një e drejtë e mohuar të vihet në vend, kështu që zonja Zhupa, përgëzimet besoj shkojnë për juve, po edhe për qëndrueshmërinë në këtë çështje, që nuk ka pak kohë, po ka ka vite, e cila diskutohet. Së dyti, duke qenë se e kam kërkuar që në fillim të seancës fjalën, po ka qenë e pamundur që të flas, dua të ngre një shqetësim që ditët e fundit, javën e fundit, në fakt, ditët e fundit, ka qenë shumë, shumë prezent. Të gjithë jemi njohur me një editorial përsa i përket integrimit të përshpejtuar ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët dhe në zonën Shengen, duke shtyrë anëtarësimin e plotë institucional të Shqipërisë për më vonë, e cila po paraqitet si një zgjidhje pragmatike në kohë tensionesh gjeopolitike nga dy vende, që në fakt nuk shquhen asnjëri as tjetri për demokraci dhe zbatim të ligjit. Kjo politika e jashtme me Twitter dhe kjo politika e jashtme e qëndrimeve nëpërmjet gazeta, duhet të përfundojë.

Parlamenti i Shqipërisë ka nevojë që të marri vendimet e duhura, të pjekura dhe ka nevojë që të përfshihet në vendimmarrje sidomos për interesa strategjikë dhe për të ardhmen e Shqipërisë, e cila shqiptarët e kanë zgjedhur me kohë në fakt që do të jetë në Bashkimin Europian. Ky nuk është një problem teknik. Ky është një problem themelor. Bashkimi Europian nuk është thjesht një treg pa tarifa doganore, është një rend demokratik i ndërtuar mbi institucione të forta, mbi barazi para ligjit dhe një kufizim të pushtetit. Ky rend nuk është funksion i ndarë në pjesë. Historia e zgjerimit nga viti 1989 e ka provuar qartë. Integrimi ekonomik ka qenë gjithmonë pasojë e një transformimi institucional, jo zëvendësim i tij. Vendet që janë anëtarësuar, kanë ndërtuar një shtet funksional, drejtësi të pavarur, rregulla të qëndrueshme. Nga ky mjedis operues ka lindur më pas si rrjedhojë edhe rritja ekonomike, edhe prosperiteti për qytetarët e tyre. Baza e këtij prosperiteti ka qenë demokracia funksionale dhe sundimi i ligjit. Sot, kërkesa me gazetë e kryeministrit të Shqipërisë për t’i marrë përfitimet ekonomike, por para se të përfundojë procesi i transformimit demokratik, e përmbys këtë logjikë. Përfitimet vijnë përpara standarteve. Kjo është një kthesë e rrezikshme që në afatgjatë nuk i shërben askujt, as vendeve kandidate, as Bashkimit Europian.

Nuk mund të përthithësh fonde të BE-së pa garantuar standartet e institucioneve të BE-së. Fondet e BE-së janë të lidhura me shtetin e së drejtës, me konkurrencën e ndershme, me transparencën. Në qoftë se ne e ndërtojmë integrimin mbi premisën e vetëm përfitimit të fondeve përpara ndryshimeve demokratike, atëherë ne rrezikojmë që ta humbim këtë proces, ashtu siç e kemi humbur për 12 vite të gjata në drejtimin e kësaj mazhorance socialiste. Qytetarët shqiptarë nuk janë të lodhur nga Brukseli. Në fakt, ata po largohen të shumtë në numër drejt Brukselit. Ata janë të lodhur nga mungesa e drejtësisë dhe barazisë në shtëpinë e tyre. Të dhënat e barometrit të Ballkanit tregojnë që prej vitesh një paradoks domethënës ekziston. Mbështetja për BE-në është më të lartat në rajon, ndërkohë që besimi tek qeveria, besimi te institucionet vendase është i ulët. Integrimi shihet si një garanci standartesh, jo thjesht si një lehtësi lëvizje.

Nëse sot i japim qeverive vetëm aksesin e zgjeruar ekonomik, pa garantuar institucionet e forta, ne rrezikojmë të forcojmë pikërisht deformimet që qytetarët duan të kapërcejnë. Kjo është një lojë me humbës të dyfishtë. Së pari, humbet e ardhmja europiane e Shqipërisë e më pas humbet dhe procesi transformues që fatkeqësisht, në këto vite të gjata lëngimesh, nuk po vjen. Shembujt janë konkret. Bujqësia shqiptare vazhdon përballet me braktisje dhe mungesë reale. Në ekonomi, konkurrenca deformohet nga klientelizmi dhe përqëndrimi i vendimarrjes. Hapja drejt tregut europian pa korrigjuar këto mangësi, vetëm se do të rrezikojë që t’i zgjerojë pabarazitë. Një treg i lirë kërkon rregulla të forta, kërkon një ekonomi të hapur, kërkon drejtësi të pavarur, kërkon një shtet që e e shmang llogaridhënien, ashtu siç po ndodh sot gjithmonë e më shumë në Shqipëri, dhe jo një shtet që kërkon rrugë të shkurtra.

Thuhet se integrimi ekonomik i përshpejtuar do ta mbrojë rajonin nga influencat malinje. Po influenca më e madhe malinje që ka Shqipëria sot është në qeverisje. Nuk ka absolutisht asnjë influencë tjetër dhe asnjë të keqe tjetër përveç asaj që po na qeveris. Ka raste pafund të ligjeve që janë miratuar në këtë parlament. Për këtë arsye, procesi transformues i Bashkimit Europian, ai që kërkon reforma reale në shtetin e së drejtës dhe ndërtimin e një rendi kushtetues funksional, nuk është pengesë për stabilitetin, është garanci për të. Ekziston nga ana tjetër edhe një rrezik tjetër, një rrezik edhe më i heshtur: fakti që Shqipëria mund të kthehet në një periferi të përhershme. Një model ku vendet marrin fonde për akses tregtar, por mbeten me status të paqartë politik, me llogaridhënie të dobët, një formë e re e ballkanizmit që qeveria shqiptare e ka shumë qejf. Jo territorial, por normativ. Një ndarje brenda projektit europian, ku barazia e standarteve do zëvendësohet nga menaxhimi i diferencave. Shqipëria nuk duhet ta synojë këtë. E për këtë, me keqardhje kemi vënë re se javët e fundit Shqipëria nuk është më në axhendë për t’u diskutuar. Prej javësh shtyhet vendimi i KOREL-ës për të marrë në diskutim raportet IBAR që duhet të ishin marrë këtu e javë më parë.

Dhe ditën e hënë, Mali i Zi diskutoi raportin e tij të radhës, por në Shqipëri, por Shqipëria i mungonte axhendës së mbledhjes. Ashtu siç e keni vënë re që edhe ndryshimet e qeverisë duket se nuk e kanë ngrohur Brukselin. Ne presim akoma, presim akoma që të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndryshimet e njëanshme të rregullores vetëm e thellojnë përçarjen që ekziston sot ndërmjet qeverisë shqiptare dhe detyrimeve që ka Brukseli. Mbrojtja politike dhe përdorja e mandateve si një mburojë politike për mandatin e zëvendëskryeministres, është testi nëpërmjet të cilit kalon Shqipëria në procesin e integrimit.

Dhe duke qenë qartësisht në shkelje të këtij testi dhe të kësaj prove, sigurisht që Shqipëria, që qeveria shqiptare nuk ka sesi të zgjedhë tjetër, po zgjedh të bëhet bashkë me Serbinë për të propozuar iniciativa të cilat, së pari nuk kanë dalë nga ky parlament dhe së dyti nuk dalin nga vullneti i lirë i qytetarëve shqiptarë. Qeveria që erdhi me pasaportën europiane dhe e ndante atë si tapitë e shtëpive, sot e ka çuar Shqipërinë në një kthesë shumë të rrezikshme. E ka vendosur Shqipërinë në një udhëkryq shumë të rrezikshëm për të ardhmen e saj dhe unë jam e sigurt që qytetarët shqiptarë sigurisht që e kuptojnë këtë. Qytetarët shqiptarë e kuptojnë se kur vjen radha për të mbrojtur korrupsionin apo për t’iu qëndruar atij përballë, qeveria shqiptare zgjedh gjithmonë për ta mbrojtur atë. Qytetarët shqiptarë e kuptojnë që reforma në drejtësi selektive, ku disa janë më të barabartë se të tjerët, është pengesë për procesin e integrimit.

About Redaksia

Check Also

Fyeu rëndë Vokshin, deputetët e PD braktisin Kuvendin: Kërkojmë përjashtimin e Ballës!

Deputetët e PD në një deklaratë për mediat theksuan se ofendimet e kryetarit të grupit …