Republika e Diellës, Hekurudhë pa trena!

Nga Lutfi DERVISHI

Diella sot është shumë e lumtur.
Jo për ndonjë reformë.
Jo për ndonjë projekt madhor.
Jo për zhurmën e ndonjë treni.
Jo.
Diella është e lumtur sepse nuk e hoqën nga qeveria.
Në ndryshimet e fundit u larguan ministra, u rrotulluan poste, u bënë analiza, u mbushën studiot televizive.
Por Diella mbeti.
Rroftë Dielli!
Një sukses i madh për një ministre që ende nuk ka bërë asnjë gabim.
Në fakt është logjike.
Për të bërë gabime duhet të bësh edhe punë.
Ndërsa Diellës ende nuk i ka thënë kush punë të mbarë.
Sot ajo po studion një nga misteret më të mëdha të Republikës së Diellës.
Hekurudhat.
Në Shqipëri kemi rreth 1100 punonjës hekurudhe.
Trena nuk kemi.
Udhëtimi me tren është një kujtim nostalgjik që shqiptarët e ruajnë mes fotografive të viteve ’80, kohës së televizorit bardhë e zi dhe frigoriferit “Obodin”
Pyetja mund të duket naive:
Pse duhen 1100 punonjës, kur nuk ka tren?
Diella kaloi në mënyrën “thinking longer for an answer”.
Pas një reflektimi të thellë, doli me një përgjigje serioze:
1100 punonjësit janë aty për t’i bërë shoqëri shinave.
Nuk ka gjë më të rëndë se vetmia.
Ndërkohë në Maqedoni situata është pak më e çuditshme.
Atje ka 925 kilometra hekurudhë nga të cilët 315 km të elektrifikuara. Dhe kanë më pak punonjës se Shqipëria.
Ka edhe një detaj të vogël:
atje ka edhe tren.
Sepse në botë zakonisht ndodh kështu.
Të gjithë kanë hekurudha me trena.
Por arritje e veçantë është të kesh hekurudha pa trena.
Megjithatë Diella nuk është pesimiste.
Sepse ka premtime.
Në vitin 2024 u premtua rindërtimi i linjës Tiranë – Durrës – Rinas.
Ceremoni e bukur. Me flamuj, me fjalime, me Ursula von der Leyen.
Diella e kujton mirë atë ditë me diell.
Ishte hera e parë pas shumë vitesh që dëgjoi se treni mund të mbërrinte sërish në Dyrrahun e lashtë.
Pastaj erdhi edhe një vizion tjetër edhe më madhor.
Hekurudha Durrës – Prishtinë.
Ide strategjike.
Konferenca.
Studime fizibiliteti.
PowerPoint deri në vitin 2040.
Shinat pas 2050.
Por Diella nuk dorëzohet.
Ajo po mendon një inovacion të ri.
Një aplikacion.
e-Train.
Aplikacioni do të tregojë oraret e trenave që një ditë do të qarkullojnë edhe këtu.
Përdoruesit mund të mbledhin pikë, train-coins, sa herë që shohin një projekt hekurudhe në 3D.
Nëse mbledh mjaftueshëm pikë, fiton të drejtën të udhëtosh falas në linjën Durrës – Prishtinë.
Sapo të ndërtohet.
Në fund të reflektimit të saj, Diella arriti në një përfundim filozofik:
Në Shqipëri trenat janë si legjendat.
Të gjithë flasin për to.
Por askush nuk i ka parë.
Ndërkohë punonjësit e hekurudhës vazhdojnë të shkojnë çdo ditë në punë.
Për çdo rast.
Ndoshta një ditë të vijë treni.

About Redaksia

Check Also

Zoti ambasador, a më jep leje të fejoj çunin?

Nga Agim XHAFKA Në çdo pore të jetës na kanë hyrë ambasadorët. Nga mëngjesi në darkë …