Ish-zv/kryeministrja dhe ish-Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka folur për herë të parë mbi hetimet që po kryen SPAK ndaj saj.
Në një konferencë për mediat, teksa i dorëzoi detyrën Enea Karakaçit, si Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës, Balluku u shpreh se i ka lënë Shqipërisë vepra për të cilat shqiptarët duhet të jenë krenarë.
Edhe pse gjysma e rrugëve në vend janë shembur, Balluku thotë se kanë ndërtuar rrugë dhe autostrada moderne , tunele që, siç thotë ajo, nuk do t’i shkatërrojë as pika e ujit.
“Bashkë kemi transformuar sektorin energjetik. Pavarësisht situatave vetëm lajme të mira vijnë nga ai sektor dhe duket e pabesushme që një grusht njerëzish ia kanë dalë të ndryshojnë në katërcipërisht situatën. Kemi rritur ndjeshëm kapacitet prodhuese të vendit tonë duke diversifikuar portofolin, Kemi arritur të ngremë bursën e parë shqiptarë energjetike. Kemi arritur të edukojmë qytetarët me eficencën energjetike i kemi bërë pjesë të politikave tona.
Dhe shumë prej tyre kanë kuptuar që nuk vlen vetëm të prodhosh por edhe ta ruash. Kemi kapërcyer situata problematike si ajo e 2022, kemi bërë bizneset shqiptare pjesë të tryezave për këtë sektor. Dhe Shqipëria ndodhet në një stad të avancuar të negociatave në këtë sektor, dhe kjo falë jush. Ju duhet të ndjeheni krenarë, për transformimin e aeroportit të Tiranës dhe po ashtu edhe aeroportin e Vlorës dhe dje pashë që ishte hapur thirrja për punonjësit e parë. Kemi ndërtuar rrugë dhe autostrada moderne, tunele që nuk do t’i shkatërrojë as pika e ujit që tashmë zë vend në të gjitha portalet kur shiu fillon të bjerë”,- ka deklaruar Balluku.
Po ashtu, ajo pretendoi se akuzat e ngritura për pasurinë e saj nuk qëndrojnë, duke theksuar se nuk ka as 300 apartamente apo jahte, siç është përfolur.
“Prokurorët duhet të bëjnë detyrën e tyre siç e kam bërë edhe unë. Dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur e gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjyqet publike, gjysmë të vërtetat, të pavërtetat apo nga gënjeshtrat. Nuk kam patur lidhje me korrupsionin dhe nxis që hetimi që ka nisur prej muajsh prej meje, dhe që se kam penguar kurrë as në pozicionin si ministër apo zv që të vijojë për të nxjerrë të vërtetën në sipërfaqe. Unë nuk jam as 300, 30 dhe as 3 apartamente. As një apo dy jahte as limuzinë, helikopterë e avionë por të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik, që fatkeqësisht bëhet me lehtësinë më të madhe në këtë vend, por unë jam rritur me gjyqet publike. Ndoshta kurrizi ma mban më mirë se kujtdo tjetër gjyqin publik pasi jam kalitur që e vogël.”, u shpreh ajo.
Kujtojmë që SPAK i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë për t’i hequr Ballukut imunitetin si deputete, e për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. Ajo është zyrtarisht nën akuzë për shkelje në tenderin e tunelit të Llogarasë, por gjithashtu nën hetim edhe për disa procedura të tjera tenderuese për Unazën e Madhe.
SPAK, në provat që ka depozituar në Kuvend, ka argumentuar se Balluku ka përdorur të fortët dhe zyrtarë publikë për të intimiduar dëshmitarët dhe penguar hetimet. Sipas Prokurorisë, me hetimet e deritanishme, ajo rrezikon deri në 35 vite burg.
Gazeta RD