Tabloja tronditëse e karrigeve që të ngel në dorë dërrasa apo e laboratorëve Smart që janë aty por nuk preken pasi nëse dëmtohen duhet të paguajnë mësuesit u pasqyrua nga mësuesja Egla Shani në tryezën e thirrur nga PD me rastin e 7 Marsit.
Ajo bëri përshkrim të gjendjes së infrastrukturës në shkolla, një mjedis që nuk frymëzon, por përkundrazi, prodhon pasiguri dhe dekurajim. Kushtet janë aq të rënda, saqë nxënësit përballen me situata absurde dhe të rrezikshme.
Fjala e Mësueses Egla Shani
Praktikisht unë punoj prej 23 vjetësh në arsimin parauniversitar, në ciklin e mesëm të lartë dhe prej një viti në ciklin e mesëm të ulët.
Arsimi e thamë dhe e përmendëm të gjithë që është një plagë e rëndë e shoqërisë shqiptare. Por unë do të doja të ndalesha në disa problematika konkrete që kanë të bëjnë më tepër me infrastrukturën, me mjedisin në të cilin nxënësit tanë mësojnë, me mjedisin me të cilin ata përballen çdo ditë dhe në të cilin ata kalojnë pothuajse gjysmën e kohës së tyre, të jetës së tyre.
Dhe ky mjedis që shkollat sot ofrojnë, është një mjedis i dhunshëm, një mjedis i shkatërruar, një mjedis ku syri praktikisht nuk të shikon asgjë që të frymëzon. Dhe një mjedis i tillë, unë jam e bindur që nuk mund të prodhojë cilësi. Nuk mund të prodhojë qytetarë të denjë, nuk mund të prodhojnë nxënës me integritet. Kur nxënësi vjen në klasë dhe tërheq karriken për t’u ulur në bankë, atij i mbetet në një dorë dërrasa dhe në dorën tjetër i mbetet skeleti i karriges.
Ka raste kur këto mjete që i gjejnë të shkatërruara në këtë formë, ata i përdorin edhe për të krijuar lojëra me njëri-tjetrin, dëmtojnë njëri-tjetrin dhe shpeshherë na duhet të shfaqësohemi edhe te prindërit përse fëmija vjen në shkollë, i veshur, i pastër, i saktë dhe kthehet në shtëpi sikur ka qenë në një luftë. Ky është një problem shumë shqetësues.
Përpos kësaj, baza materiale, pra nuk ka një dollap, nuk ka një vend ku ai të vendosi sendet e veta, ku të mos duhet t’i mbarti çdo ditë me ato çantat e rënda të tmerrshme që mbajnë mbi supe.
Pra, këto janë problematika konkrete që askush nuk i përmendi këtu, por që prandaj jemi të gjithë në pozicione të ndryshme për të parë gjëra të ndryshme që çalojnë dhe për të gjetur shkakun e vërtetë pse fëmijët sot nuk janë më produktivë. Pra kjo është problematika kryesore. Një tjetër problematikë është se ne kemi folur për laboratorët Smart.
E kemi propaganduar prej vitesh të tëra, qeveria që kemi sot, që ky është një revolucion në fushën e arsimit. Në fakt, në disa shkolla që janë të privilegjuara ndoshta, mund të ketë edhe laborator Smart. Në shkollën ku unë punoj aktualisht ka. Por, ata janë një përgjegjësi e madhe për mësuesin, aq sa janë kthyer tanimë jo në një luks ose në një mjet të cilin ne mund ta shfrytëzojmë, por në një fobi të madhe, sepse nëse ti i fut nxënësit aty, ti duhet të përgjigjesh për çdo gjë që ata prishin, thyejnë ose shkatërrojnë aty. Tani nuk po themi që ne do t’i lejojmë nxënësit, por këto janë mjete konsumi, janë një bazë materiale e cila kur vihet në përdorim, detyrimisht që edhe duhet të zëvendësohet. Por sikurse nuk janë zëvendësuar dhe janë të amortizuara të gjitha mjetet e tjera, ashtu me sa duket qeveria, pavarësisht se sjell ato mjetet më, më, cilësinë më të ulët domethënë në shkolla, nuk ka ndërmend që t’i zëvendësojë ndonjëherë as këto me sa duket dhe për këtë arsye më mirë mësuesi t’i lënë atje të qëndrojnë mbyllur sesa të marrin përsipër rrezikun dhe koston që duhet për t’i paguar ato. Sepse ka me të vërtetë pra një kosto që duhet paguar.
Pjesa e bibliotekave të shkollave. Nuk e di prej sa dekadash këto biblioteka nuk furnizohen dhe nuk pasurohen me botime të reja. Sikur mos mjaftonte fakti që botimet ekzistuese janë të vjetra, të kaluara nga koha dhe nuk përshtaten pothuajse fare me kërkesat që ka i riu sot, adoleshenti, fëmija, i cili është në një botë teknologjike dhe po përçapon kultura të ndryshme.
Nxënësit tanë flasin shumë mirë gjuhë të huaja, flasin anglisht në mënyrë të shkëlqyer, por çfarë shikojmë, nuk ka botime në gjuhë të huaj në shkollë. Nuk ka as botime të shqipëruara, të cilat mund të përshtaten nevojave të tyre për edukim dhe kërkesave që ka koha sot.krahas kësaj.
Unë do të ndalesha pak edhe në një çështje tjetër që është po aq e rëndësishme.
Trajnimi i mësuesve dhe rritja e tyre profesionale. Kur Partia Demokratike ishte në qeverisje, mësuesit merrnin trajnime për të cilat ata paguheshin, por njëkohësisht u mbuloheshin dhe të gjitha shpenzimet e transportit, dietat dhe çdo gjë tjetër. Ne kemi pothuajse 13 vjet që jo vetëm nuk na ofrohen këto trajnime pa pagesë, por duhet të paguajmë nga xhepi edhe transportin dhe shtoj kësaj edhe faktin që duhet të shkojmë me emergjencë të madhe në ditët tona të pushimit për të ndjekur trajnimin, sepse kështu na jepet urdhëri dhe kjo është e detyrueshme, nuk është me dëshirë. Këto kam unë si problematika, janë problematika konkrete, janë shumë shqetësuese.
Gazeta RD