Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedim në rrjetet sociale me qytetarët, u shpreh se vendi po përballet me një përshkallëzim të rrezikshëm të krizës politike dhe institucionale, duke akuzuar kryeministrin për veprime që, sipas tij, dëmtojnë interesat kombëtare dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Ai kritikoi ashpër qëndrimet e qeverisë në raport me Bashkimin Europian dhe marrëdhëniet rajonale, duke e akuzuar Edi Ramën për rreshtim në krah të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe për politika që, sipas tij, rrezikojnë të ardhmen europiane të shqiptarëve.
Berisha: Dëshiroj të theksoj se kriza e vendit mori një dimension tjetër shumë të rrezikshëm.
Me zhvillimet e fundit, Edi Rama u provoi shqiptarëve dhe botës se ai është i gatshëm për të mbrojtur vjedhjet dhe krimet e tij, të mbyllë për qytetarët shqiptarë dyert e Brukselit.
Ai bëri një letër së bashku me padronin e tij, Vuçiç, e rreshtoi Shqipërinë krahas Serbisë në raport me procesin e integrimit në BE.
I bëri shërbimin më të keq dhe më antishqiptar vendit tonë.
Serbia ka probleme madhore me Bashkimin Europian dhe problemi numër një i saj është se ajo vazhdon të dëshmohet si Rusia e vogël në Ballkan.
Probleme të tjera madhore të BE me Serbinë janë marrëveshjet që Serbia ka me Rusinë dhe republikat ish-sovjetike.
Janë qëndrimi që mban Serbia ndaj gjenocidit serb në Bosnje.
Janë ndërhyrjet flagrante që Serbia bën në Bosnje dhe Malin e Zi.
Pra, janë një seri problemesh madhore politike me të cilat Shqipëria nuk ka asnjë lidhje përveç tradhtisë së Edi Ramës dhe nënshtrimit pa kushte ndaj Vuçiçit.
Nuk ka gjë më flagrante se kjo miq, pasi si argat i tij u mor me projekte të ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve të saj.
Pasi kërkoi thirrjen e konferencës ndërkombëtare ditën e aktit terrorist në Banjskë të Kosovës, me qëllim që në këtë konferencë të përfshihej Rusia, Big Brother i Serbisë.
Pasi kërcënoi Kosovën se do shndërrohej në kohën e bronzit duke aluduar se Rusia mund të përdorë armë bërthamore kundër saj.
Pasi bëri avokatin e Vuçiçit në të gjitha samitet ndërkombëtare që të mos ndëshkohet Serbia se nuk vendos sanksione ndaj Rusisë.
Pasi firmosi në Novi Sad traktatin e Ballkanit të Hapur që de facto do të thoshte hegjemoni e Serbisë në rajon dhe krijimi i një Jugosllavie të re.
Për të gjitha këto, Serbia mori ndëshkimin dhe kartonin e kuq nga BE.
Në një moment kritik, kur Serbia dënon sulmin e SHBA dhe Izraelit dhe vrasjen e Ajatollah Khameneit, Edi Rama, i provuar armik i egër i Kosovës, njeriu që paditi në gjykatë kryeministrin e Kosovës, i pari që vendosi sanksione ndaj Kosovës, anuloi mbledhjen dhe u përpoq të rrëzonte qeverinë e Kosovës me ndërhyrje të ndryshme, tani del përsëri në krah të Vuçiçit.
Ky është shërbimi më i zi që i bëhet Shqipërisë, shqiptarëve dhe interesave të tyre kombëtare.
Shqipëria, e kemi theksuar dhe e theksoj prapë, në mënyrë absolute nuk plotëson asnjë nga kriteret e domosdoshme për procesin e integrimit në BE përveçse atij gjeostrategjik.
Por Shqipëria nuk ka në hipotekën e asaj asnjërin prej faktorëve antieuropianë të Beogradit, të Serbisë dhe të Vuçiçit.
Rreshtimi i Edi Ramës është jo vetëm një mbështetje në një moment kritik për Vuçiçin, por është njëkohësisht mbyllje e dyerve për shqiptarët.
Dhe ju e dini të dashur miq se një projekt është përgatitur për të shpërbërë plotësisht në varësi nga qëndrimi i qeverisë ndaj shtetit ligjor, imunitetit të Ballukut, një projekt është përgatitur për të zhbërë tërësisht procesin e integrimit të BE me Shqipërinë.
Dhe përballë tyre janë përpjekjet e vazhdueshme të Edi Ramës për të sfiduar haptas qëndrimin e BE ndaj Shqipërisë.
Ju e patë se si Lubi Balluku mblodhi ministrinë dhe me duartrokitje dhe mallëngjime u paraqit para tyre sikur të ishte heroinë dhe jo një delinkuente e zezë, hajdutja më e madhe që kombi ka pasur në tërë historinë e vet.
Ju e patë sfidën që ajo u bëri qytetarëve shqiptarë, e cila po bëhet kazus, po bëhet shkak për rrënimin e të ardhmes së çdo shqiptari.
Ju e patë se ajo me tekstin e përgatitur nga Edi Rama zotohej se ajo nuk ka kryer asnjë vepër, por ka realizuar suksese të mëdha dhe nuk ka bërë korrupsion.
Këto janë zhvillime dramatike.
Këto zhvillime janë një apel, një kushtrim për çdo qytetar të këtij vendi, pavarësisht nga bindjet politike, të bashkohemi për largimin sa më të parë të Edi Ramës si një rrezik madhor kombëtar për çdo shqiptar, për qenien dhe të ardhmen tonë.
Gazeta RD