Nga Belind KELLIÇI
Një nga emisionet më të ndjekura investigative në Itali, “Le Iene”, në ‘Italia 1’, publikoi mbrëmë hulumtimin në Tiranë mbi call-centerat mashtruese, mbi këtë biznes kriminal.
“Le Iene” del në konkluzionin se këto skema që kanë zhvatur mijëra qytetarë italianë, me rreth 25 mijë operatorë të punësuar me përfitime deri në 500 milionë euro në muaj, më shumë se një kartel kokaine, janë një aktivitet me lidhje të forta në pushtet.
Një muaj pas aksionit të përbashkët dhe me antimafian italiane, gazetari Luigi Pelazza vjen në Tiranë dhe konstaton se autoritetet tona nuk kanë kryer më asnjë veprim, edhe pse ai u ka dhënë informacione të plota drejtuesve të Policisë së Shtetit.
Dëshmitë që ka marrë gazetari i njohur italian nga punonjës brenda këtij sektori tregojnë se këto skema mashtruese kanë koordinim dhe bashkëpunim me autoritetet dhe falë kësaj, ja kanë dalë ti shpëtojnë drejtësisë dhe atij aksioni që nisi një muaj më parë.
Nga hulumtimi në Tiranë, gazetari italian mëson se këtë biznes kriminal e kontrollon vëllai i një politikani shumë të fuqishëm.
Pelazza kërkon të takojë Edi Ramën, por ai nuk e pret. Dhe publikisht i drejtohet me mesazhin: “Zoti Rama në emër të miqësisë që lidh dy vendet tona, a mund të ndërhyni që nga Shqipëria të mos bëhen këto mashtrime në dëm të Italisë?
Gazetari italian është krejt në të drejtë e tij që e ngre këtë shqetësim dhe i drejtohet Kryeministrit, kur sheh që drejtuesit e policisë nuk po bëjnë asgjë dhe kur konstaton se në ambjentet ku ushtrohej ky aktivitet, zyrat janë boshatisur pasi bosët janë informuar për zhurmën, për investigimin.
Por Luigi Pelazza ndoshta nuk e di se lutjet ja ka drejtuar një kryeministri që lidhjet me krimin i ka pjesë të jetës, të karrierës, të stilit të tij politik.
Shqiptarët këtu e dinë mirë se kush është vëllai i atij politikanit të fuqishëm i lidhur me këto skema kriminale që kanë zhvatur mijëra qytetarë italianë. Ndaj duket e pamundur që
Edi Rama ta luftojë këtë fenomen. E vetmja shpresë janë qytetarët, qendresa, revolta e protesta.
Vetëm me largimin e Edi Ramës, do të mbyllet dhe ky biznes kriminal, turpërues për Tiranën e për Shqipërinë.
Gazeta RD