Takimi i djeshëm i kryeministrit Edi Rama me Kimberly Guilfoyle, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Athinë, hapi diskutimet e mbrëmjes së kësaj të enjteje, më 12 mars, në emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, i cili ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në emision, tha se ai i kishte verifikuar arsyet e vizitës së ambasadores Guilfoyle në Shqipëri.
“Po meqenëse po merremi me komentet e veshjes, të merremi me një gjë thelbësore. Bëhet fjalë për dy investime të bllokuara nga qeveria shqiptare që lidhin Tiranën dhe Athinën, dhe ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë interes strategjik. Kjo është arsyeja pse. Janë bllokuar nga qeveria shqiptare. Projekti lidhet me Athinën dhe disa vende të tjera. Pra, Bullgarinë dhe vende të tjera. Është një projekt rajonal dhe është bllokuar pjesa e këtij projekti në Shqipëri.”, tha Bardhi.
I pyetur nga moderatori i emisionit dhe gazetari Blendi Fevziu, se pse kjo vizitë u duk se u bë në mënyrë jo zyrtare, por u kap me kamera rastësore, përgjigja e Bardhit ishte e tillë: “Unë s’jam zëdhënësi i ambasadores, unë po them se kam verifikuar arsyet e vizitës dhe vizita ka qenë për këtë shkak, për të kërkuar llogari për dy investime me qëllime strategjike të bllokuara nga qeveria shqiptare.”
Ky diskutim vjen pasi mbrëmjen e të mërkurës në ambientet e Kryeministrisë është parë të hyjë Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Athinë, e cila është pritur që në hyrje nga kryeministri Rama.
Pamjet e xhiruara rastësisht nga një telefon celular në zonën e parkut të Piramidës, që kanë mbërritur në redaksinë e Televizionit Kombëtar Klan, treguan momentin e takimit mes tyre. Ajo që e bën edhe më interesante këtë takim është fakti se Guilfoyle nuk konsiderohet thjesht një ambasadore e SHBA-ve në një vend fqinj, por ajo është një nga njerëzit më të besuar të presidentit amerikan Donald Trump.
Gazeta RD