Ndoci: Qytetarët shqiptarë ende pa ujë 24 orë dhe me kanalizime që ndotin lumenjtë dhe detin

FJALA E INXHINIERES, SILVA NDOCI NË TAKIMIN ME EKSPERTËT E DEP. TË INFRASTRUKTURËS NË PD

Të nderuar pjesëmarrës, i nderuar Z. Berisha,

Sot dua të ngre një çështje thelbësore për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve: menaxhimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm dhe sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza në Shqipëri.

Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore. Ne kemi lumenj, burime natyrore dhe rezerva ujore që shumë vende të Europës do t’i kishin zili. Por paradoksi është se në vitin 2026, në një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian, qytetarët shqiptarë ende presin me orar që të vijë uji në rubinet.

Çdo fushatë elektorale në Shqipëri ka rikthyer të njëjtin premtim: ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Ky premtim u bë për herë të parë nga qeveria “Rama” në vitin 2013 dhe është përsëritur në zgjedhjet e 2017-ës, 2021-shit dhe në garën për Bashkinë e Tiranës, me ndryshim vetëm të sloganit, jo të përmbajtjes. Edhe në zgjedhjet e 11 Majit, përfaqësuesit e qeverisë premtojnë sërish furnizim të pandërprerë për 90% të territorit dhe zgjidhje përfundimtare brenda disa viteve.

Furnizimi me ujë 24 orë konsiderohet një standard bazë i shërbimit publik, jo një objektiv afatgjatë.

Sipas raportit më të fundit:

  • Vetëm 70% e popullsisë në Shqipëri ka akses në ujë të pijshëm të sigurt.
  • Në zonat rurale mbulimi zbret në vetëm 58%.
  • Humbjet në rrjet arrijnë deri në 65%, pra, më shumë se gjysma e ujit që prodhohet humbet rrugës, midis tubacioneve të vjetra, lidhjeve ilegale dhe mungesës së mirëmbajtjes. Humbjet më të mëdha regjistrohen në Tiranë, me rreth 71 %.
    Kjo situatë ka detyruar qytetarët të investojnë vetë në depozita, pompa dhe zgjidhje individuale për të pasur ujë në shtëpitë e tyre.
    Pak muaj më parë, dobësia e sistemit u pa qartë në Vlorë, ku një dëmtim i tubacionit kryesor la qytetin disa ditë pa ujë, sepse infrastruktura e ujit në Shqipëri vazhdon të jetë e brishtë dhe e amortizuar.
    Edhe Tirana u kthye këtë verë në lajm ndërkombëtar, kur media raportoi mungesën e ujit edhe në lagjet e ambasadorëve, ndërsa UKT e justifikoi me një “defekt teknik në tubacionin kryesor” – një frazë që po përsëritet kaq shpesh sa duket si slogan.
    Kjo është pasojë e viteve të tëra të keqmenaxhimit, mungesës së reformave dhe investimeve të fragmentuara.
    Përballë kësaj situate, ne besojmë se është e domosdoshme një ndryshim i thellë në mënyrën si menaxhohet sektori i ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri.
    Për këtë nevojitet ndërtimi i rrjeteve të mirëfillta të furnizimit me ujë dhe, mbi të gjitha, pajisja e çdo banese dhe biznesi me matësa.

Po ashtu duhen investime në sistemet e matjes, si në prodhim ashtu edhe në shpërndarje, në mënyrë që humbjet në rrjet të raportohen dhe të kontrollohen në mënyrë transparente.

Është e domosdoshme gjithashtu rritja e investimeve në rrjetet kryesore, veçanërisht në zonat ku ka ndërhyrje të paautorizuara.

Të gjitha këto masa do të bëjnë të mundur rritjen e orëve të furnizimit me ujë në shtëpitë tona dhe njëkohësisht uljen e kostos për qytetarët.

Gjithashtu një nga problemet më serioze infrastrukturore në Shqipëri vazhdon të jetë sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza.

Në vite janë investuar miliona euro për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza. Nga viti 2005 deri ne 2013 u ndërtuan rreth 11 impiante urbane, por sot realiteti është se vetëm rreth 50% e tyre në nivel vendi funksionojnë siç duhet, ndërsa pjesa tjetër ose punon me kapacitet të ulët, ose nuk përdoret fare.

Situata është veçanërisht problematike në Tiranë, ku ujërat e zeza nuk trajtohen, por derdhen në lumin Erzen dhe lumin e Tiranës, të cilët përfundojnë në Detin Adriatik. Për rrjedhojë, Tirana konsiderohet një nga ndotësit kryesorë të bregdetit të Adriatikut.
Një projekt i rëndësishëm për zgjidhjen e këtij problemi ishte ndërtimi i Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza në Mezëz, Tiranë. Megjithatë, punimet për këtë impiant janë ndërprerë dhe nuk ka informacion të qartë se kur do të rifillojnë.
Po ashtu janë ndërprerë edhe punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në zonën e Kombinatit dhe ndërtimin e mikrotuneleve nga “Pallati me Shigjeta” deri tek impianti në Mezëz, të cilat para vitit 2013 kishin arritur rreth 40–50% të realizimit.
Një problem tjetër i rëndësishëm është menaxhimi i ujërave të zeza në segmentin nga Materniteti i Ri deri te “Pallati me Shigjeta”, të cilat aktualisht derdhen në lumin Lana. Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve në këtë zonë është një nevojë emergjente për të shmangur ndotjen e mëtejshme të qytetit.
Gjithashtu, në Tiranë ka shumë pak investime për rikonstruksionin e rrjetit të amortizuar të kanalizimeve, pavarësisht rritjes së ndjeshme të ndërtimeve të reja. Kjo situatë rrezikon të krijojë probleme serioze për qytetarët dhe mjedisin në të ardhmen.
Shqiptarët nuk kërkojnë mrekulli – kërkojnë vetëm atë që në çdo vend normal është e zakonshme: ujë të pijshëm 24 orë në shtëpitë e tyre dhe kanalizime funksionale që nuk i derdhin ujërat e zeza në lumenj dhe në det.
Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Lala: Rrjeti hekurudhor shqiptar në gjendje katastrofike! Nevojitet reformë totale, strategji kombëtare dhe projekte prioritare

FJALA E INXHINIERIT ERJON LALA NË TAKIMIN ME EKSPERTËT E DEP. TË INFRASTRUKTURËS NË PD …