Tirana kryeqendra europiane e pastrimit te parave/ Kush është i riu me 39 apartamente

TIRANË – Historia e Besjan Ramajt, i dënuar në Belgjikë për trafikun e 1.5 tonëve kokainë, i cili mburrej në përgjimet e autoriteteve belge për “17 apartamente në Fier, 15 në Durrës e 7 në Tiranë”, nuk përbën më nga ato scoop-et gazetareske të viteve ‘90-2000.

Ajo është historia që vizaton portretin e saktë të një skeme që e ka kthyer Shqipërinë në një qendër globale për riciklimin e parave të pista.

Sipas të dhënave të fundit të Prokurorisë së Posaçme, vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar rreth 45.4 milionë euro asete, ku 98% e tyre vijnë nga trafiku i drogës. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut të një ekonomie që ushqehet nga krimi transnacional, për të cilin këmbanat e alarmit kanë rënë në Tiranë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por si ndodh pastrimi i parave të drogës në Shqipëri?

Besjan Ramaj kishte rekrutuar një biznesmen hidrokaburesh. Ashtu si ai, të gjitha grupet kriminale po rekrutojnë biznesmenë të ndryshëm për të futur paratë “cash” në sistem.

SEKTORI I NDËRTIMIT, “PARAJSA E SIGURT” E PARAVE TË KOKAINËS 

Sipas raportit të SPAK, skema e pastrimit të parave në Shqipëri ndjek tre faza klasike, por me specifika shqiptare.

Futja e parave “cash” në sistem nis me hyrjen në Shqipëri të parave përmes kufijve tokësorë, detarë apo linjave ajrore.

Destinacionet e para janë bizneset me xhiro ditore, si karburantet, hotelet apo baret dhe restorantet. Pronari deklaron xhiro ditore më të lartë se realja, duke e përzier parantë e krimit me paratë e ligjshme. Një tjetër mekanizëm janë pikat e këmbimit valutor, por me ndryshimet ligjore të kohëve të fundit ato duhet të deklarojnë çdo këmbim mbi 1 mijë euro.

Faza e dytë është fshehja e gjurmëve. Përmesa saj synohet që paraja të humbasë lidhjen me krimin fillestar përmes transaksioneve të shumta. Në këtë skemë grupet kriminale përdorin edhe persona pa precedent penalë, të cilët hapin kompani të ndryshme dhe i qarkullojnë paratë si hua apo investime të ortakëve. Shpiken kontrata shit-blerjeje fiktive, ku një person ia shet tjetrit një pronë me çmim absurd për të justifikuar transferimin e një shume të madhe bankare.

Faza e tretë është pastrimi përfundimtar. Në këtë fazë, paratë shfaqen si plotësisht të ligjshme dhe ri-investohen në asete që rriten në vlerë.

Ndërtimi është pika fundore më e zakonshme në Tiranë dhe bregdet ku paraja e pistë shndërrohet në beton. Apartamentet blihen me çmime fiktive dhe shiten më pas me çmime tregu, duke prodhuar fitim të ligjshëm.

Në Tiranë ka nga 30,000 deri në 50,000 apartamente të pabanuara ose të pashitura, ndërkohë që nga qendra në periferi shihen çdo ditë gropa të reja që hapen për pallate e kulla, ndërsa betonieret janë shtuar në qarkullim duke bërë tym e pluhur.

Shumë ekspertë thonë se tregu është i mbingopur nga ndërtimet dhe se Tirana nuk ka nevojë, veçanërisht për kullat, por ato vazhdojnë të mbijnë si kërpudha për shkak të shumave të mëdha të parave që janë në qarkullim nga trafiku i drogës, call center -at apo korrupsioni.

Pjesë e skemave të pastrimit të parave dyshohet të jenë edhe kompanitë që fitojnë kontrata të mëdha apo blejnë prona miliona euro menjëherë sapo happen.

Sipas SPAK, fluksi i parave nuk është më i njëanshëm. Paratë nuk vijnë vetëm drejt Shqipërisë, por ato transferohen edhe nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së apo Amerikës Latine dhe Dubait për të financuar dërgesat e radhës së kokainës apo si fitime të ligjshme binzesi. Ky qarkullim i vazhdueshëm e vendos Shqipërinë në nyjën kryesore të logjistikës financiare të krimit shqiptar që operon në portet e Anversës dhe Roterdamit ku kalon 70% e kokainës evropiane.

Shqipëria mbetet kështu një nga vendet me rrezikun më të lartë në Evropë për pastrimin e parave sepse ofron kombinimin perfekt me një  ekonomi informale ku paraja në dorë mbizotëron, me një sektor ndërtimi që nuk kërkon llogari për burimin e fondeve dhe me një drejtësi që,  megjithë goditjet e SPAK, ka ende shumë punë për të bërë.

Përmbledhje e Sektorëve të Riskut (2025-2026)

Sektori Niveli i Riskut Metoda e Pastrimit
Ndërtimi (Kulla & Resorte) Kritik Mbivlerësim i kostove, shitje fiktive.
Hidrokarburet (Pikat e Naftës) I Lartë Përzierje e cash-it kriminal me xhiron ditore.
Bixhozi Online & Kripto I Lartë Transferta transnacionale të padukshme.
Bujqësia (Ullishtet/Fermat) Mesatar Shitblerje fiktive tokash për të krijuar “burim të ligjshëm”.

HARTA E PASTRIMIT TË PARAVE

Bazuar në të dhënat e fundit të SPAK-ut dhe dinamikën e tregut të pasurive të paluajtshme, harta e pikave të nxehta të pastrimit të parave në Shqipëri ndjek një gjeografi strategjike. Paraja e drogës investohet në kërkon zona me rritje të shpejtë vlere dhe kontroll të dobët administrativ.

Tirana konsiderohet si lavatricja më e madhe në vend dhe epiqendra e betonizimit të parave. Sipas analizave të riskut, rritja e pashpjegueshme e çmimeve të apartamenteve në zonat ku kërkesa reale është e ulët, tregon praninë e parasë kriminale.

Zonat kryesore janë Qendra me kullat e saj, Komuna e Pariit, Bulevardi i Ri apo diza zona në periferi.

Qendra e dytë është Vlora.  Bregdeti i Jugut është shndërruar në magnetin e ri për “investitorët strategjikë” me prejardhje të dyshimtë.

Durrësi mban vendin e tretë. Si porta kryesore e hyrjes së mallrave dhe shpesh e drogës, Durrësi shërben si pikë investimi për asetet logjistike.

Fieri dhe Elbasani kanë më së shumti mekanizmat e pastrimit të parave në sektorët e hidrokarbureve dhe industrisë. Këto dy qytete shërbejnë si qendra për pastrimin përmes bizneseve me qarkullim intensiv të parasë në dorë.

PASURITË E KRIMIT SIPAS SPAK

Për të kuptuar peshën e këtij fenomeni, shifrat e SPAK-ut tregojnë një tendencë rritëse jo vetëm në vlerë, por edhe në sofistikimin e aseteve që goditen.

Krahasimi i Sekuestrimeve: 2024 vs. 2025

Kategoritë Viti 2024 Viti 2025 Tendenca
Vlera Totale e Sekuestruar ~35 Milionë € 45.4 Milionë € +30%
Origjina nga Narkotikët 92% 98.2% Rritje e dominimit të drogës
Asetet kryesore Pasuri të paluajtshme, makina Biznese, kuota kompanish, llogari bankare

Në vitin 2024, sekuestrimet fokusoheshin te “pasuria e dukshme”, pra makina luksoze dhe apartamente në emër të trafikantëve. Në vitin 2025, SPAK ka goditur zemrën e skemës, me sekuestrimin e kuotave të shoqërive tregtare. Të dhënat tregojnë se krimi nuk blen më vetëm shtëpi, por edhe licensa, kompani transporti dhe statusin e biznesit të ndershëm përmes kuotave, për të garantuar qarkullimin afatgjatë të parave.

Një risi e vitit 2025 është rritja e përdorimit të kriptovalutave për të lëvizur fitimet nga pikat e shitjes drejt Shqipërisë pa kaluar fare në pikat e këmbimit valutor. Kjo e bën gjurmimin pothuajse të pamundur pa ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

Por megjithëse SPAK ka rritur me 30% vlerën e pasurive të sekuestruara, ekspertët vlerësojnë se kjo mbetet vetëm një pjesë e vogël e shumave marramendëse që pastrohen realisht. Sipas raportit të fundit, sektorët më të rrezikuar mbeten ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, për shkak të mbivlerësimit të çmimeve; sektori i hidrokarbureve, për shkak të volumit të madh të cash-it dhe bixhozi online dhe kripto-asetet. 

About Krye Redaktor

Check Also

“KASA për fëmijë”, SIGAL sjell produktin ideal për prindërit e rinj

“Kasa për fëmijë” është produkti i kombinuar i sigurimit, që SIGAL LIFE sjell në tregun …