GJKKO kalon për gjykim në themel dosjen e Benet Becit

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim në themel dosjen ndaj Kryebashkiakut Socialist të Shkodrës, Benet Becit, i pandehur për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim me gjashtë të tjerë.

Kryebashkiaku socialist i Shkodrës u mor zyrtarisht nën hetim në nëntor të vitit të kaluar (2024) nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shkelje kur drejtonte Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare.

Hetimet e SPAK

Benet Beci dhe 6 të pandehurit e tjerë (Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti), akuzohen nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera kryer në bashkëpunim.

Hetimi lidhet me një procedurë të zhvilluar në kohën kur Beci drejtonte KESH-in, në fund të vitit 2019 për një kontratë studimore me vlerë rreth 700 mijë euro me TVSH, e cila kishte të bëjë me përgatitjen e një “strategjie të zhvillimit të sektorit energjetik”.

Sipas SPAK, dokumentacioni dhe mënyra e hartimit të tenderit krijuan kushtet që gara të mos ishte reale dhe fituesi të ishte paracaktuar. Në fund, kontrata u fitua nga Consulting & Management Albania, kompania e vetme që mori pjesë, me një ofertë thuajse identike me fondin limit.

Prokuroria pretendon se Beci dhe strukturat përkatëse të prokurimit kanë manipuluar disa faza të procesit, duke përllogaritur paraprakisht fondin, duke kufizuar kriteret e konkurimit dhe duke ndikuar në vlerësimin e ofertës, me qëllim që kompania e caktuar të merrte kontratën pa garë.

About Redaksia

Check Also

Dokumentat/ Tenderi i reagentëve i jepet deputetit të PS me ofertën më të lartë!

Kriteret teknike janë detajet ku fshihet “djalli” sa herë dikush ka vendosur paraprakisht për t’ia …