Dokumentat/ Tenderi i reagentëve i jepet deputetit të PS me ofertën më të lartë!

Kriteret teknike janë detajet ku fshihet “djalli” sa herë dikush ka vendosur paraprakisht për t’ia dhënë tenderin “dikujt”, qoftë ky edhe deputet i PS.

Duket se rrethanat e zhvillimit të tenderit me objekt “Blerje kite reagent dhe materiale mjekësore për analizat e matësit në gjak astrupograma”, me fond limit 83,904,000 lekë, i organizuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, janë duke lundruar pikërisht në këto ujëra.

Siç duket edhe nga dokumentet, për këtë procedurë kanë treguar interes pesë kompani, ndërkohë që kanë paraqitur ofertë katër prej tyre.

Megjithatë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur fituese kompaninë me ofertën më të shtrenjtë, pikërisht atë pas së cilës fshihet deputeti i PS, Vasil Llajo, duke u bazuar në kriteret teknike, të cilat shpesh përdoren si një llastik që zgjatet ose tërhiqet sipas tekave të drejtuesve që menaxhojnë tenderët.

Më konkretisht, në garë kanë qenë operatorë si KRIJON, MEDFAU, EVITA dhe SWISSMED.

Nga të dhënat rezulton se kompania SWISSMED ka paraqitur ofertën më të lartë prej 71,484,000 lekësh, ndërkohë që ofertuesi i dytë më i lirë, MEDFAU, ka ofertuar 63,480,000 lekë.

Ofertat e dhena nga kompanite per tenderin ne fjale. Te dhenat: APP. Perpunimi grafik: Skyweb.al me ndihmen e AI

Diferenca mes tyre arrin në rreth 90 mijë euro. Por, problemi nuk qendron të paratë, madje këtu nis.

Për të gjithë ofertuesit e tjerë, OBP ka gjetur nga një “kleçkë” në kriteret teknike për t’i skualifikuar një nga një, deri në momentin që radha ka shkuar te SWISSMED, e cila ka përfituar gjatë viteve të fundit rreth 22 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit, një fakt që ngre pikëpyetje mbi këtë përzgjedhje.

SWISSMED është në letra në emër të një zonje të quajtur Argita Bojaxhiu, por sipas të dhënave të siguruara, pas saj qëndron deputeti i PS, Vasil Llajo, i cili i ka transferuar aksionet në letër te zonja pak ditë para marrjes së mandatit.

Llajo është pronar faktik edhe i Intermedica.

 

Kontrata e shitjes se kuotave te Swissmed nga Vasil Llajo dhe znj.Bojaxhiu
Kontrata e shitjes se kuotave te Swissmed nga Vasil Llajo dhe znj.Bojaxhiu

Nga dokumentet që ka konsultaur skyweb.al, rezulton se kontrata e shitjes së kuotave të Swissmed nga Llajo dhe zonja Bojaxhiu nuk parashikon pagesë të menjëhershme, por me këste, çka nënkupton se blerësja do të shlyejë vlerën përmes fitimeve të vetë kompanisë në vijim (shih dokumentin).

 

Kontrata e shitjes se kuotave te Swissmed nga Vasil Llajo dhe znj.Bojaxhiu
Kontrata e shitjes se kuotave te Swissmed nga Vasil Llajo dhe znj.Bojaxhiu

Eshtë njëlloj sikur të blesh një apartament pa kokërr leku dhe pronari të të lejojë që pagesën t’ia bësh nga qiraja që do të marrësh ndër vite.

Ky fakt shihet si një element që shpjegon edhe mënyrën se si dhe pse janë skualifikuar të gjitha ofertat e tjera, duke i hapur rrugë kompanisë në fjalë.

Ky fakt duket se është konstatuar edhe nga vetë kompanitë pjesëmarrëse në tender.

Dy prej tyre, MEDFAU dhe EVITA, i janë drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik duke kërkuar shfuqizimin e vendimit dhe rikthimin e procedurës në kushte ligjshmërie.

Skyweb.al ka konsultuar ankimimet e këtyre kompanive, të cilat kanë ofertuar ndjeshëm më pak se SWISSMED dhe kanë ngritur pretendime serioze për mënyrën se si janë vlerësuar kriteret teknike nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.

Madje, sipas të dhënave, situata është konsideruar aq problematike sa drejtuesja Arlinda Pogaj ka hezituar të firmosë vendimin përfundimtar për shpalljen e fituesit.

Të dyja kërkesat janë tashmë të regjistruara në KPP dhe pritet të shqyrtohen, ndërkohë që rasti në fjalë po shihet si një precedent që mund të përfundojë në SPAK, për mënyrën se si një procedurë publike mund të orientohet drejt një rezultati të paracaktuar. /skyweb.al

About Redaksia

Check Also

GJKKO kalon për gjykim në themel dosjen e Benet Becit

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim në …