Shkrimi origjinal
Abandonojeni Ramën…
Unë për vete e kam bërë këtë që 28 vjet më parë, që në vitin 1998, kur Fatos Nano na e bëri “peshqesh” si Ministër të Sporteve.
“Ta gëzojmë ministrin e ri,” më tha një mëngjes të zakonshëm prilli, shumë vite më parë, miku im i ngushtë dhe kolegu Gëzim Sinemati, teksa uleshim te bar-kafeja e mikut tonë, Fikut, te tribuna e stadiumit “Qemal Stafa”. Pastaj më tregoi se ishte shkëmbyer diku me Tos Nanon dhe ai, duke qeshur, i kishte thënë të njëjtat fjalë: “Ta gëzoni Ministrin e Ri”. Bëhej fjalë për Edi Ramën, të cilin kryeministri Nano sapo e kishte emëruar Ministër të Rinisë, Kulturës dhe Sporteve.
Pas nja dy ditësh, më merr në telefon Saimir Demi (u prehtë në paqe) e më thotë: “Hajde urgjent këtu te ‘Kafja e Fikut’ se e nxore lajmin për sot”. Në atë kohë unë punoja për Radio-TV e kompanisë mediatike “Koha Jonë” dhe redaksinë e kishim ngjitur me shkollën “11 Janari”.
Shkova atje ku po më priste Saimiri dhe, ç’të shihja: Rama kishte bashkuar nja tri tavolina dhe kishte ftuar për kafe disa nga krerët e federatave tona sportive, kryetarin e KOKSH-it etj. Pasi i përshëndeta, zura vend te cepi i tavolinës që të dëgjoja ndonjë gjë, të kapja ndonjë lajm e të kuptoja arsyen e këtij takimi, kur Rama ende nuk ishte prezantuar zyrtarisht si ministër.
“Ti Dosti, ngrihu nga aty ku je ulur e ulu në një tavolinë tjetër,” iu drejtua mua krejt papritur Rama. Njohja ime me të ishte që prej fëmijërisë, ndaj u çudita jo pak kur m’u drejtua ashtu. “Ju të Saliut,” vazhdoi ai, “s’keni punë në tavolinat e mia… OK?”
U ngrita, shkova u ula në një tavolinë tjetër, ndenja edhe pak dhe ika fare. Ai veprim dhe ato fjalë ma prishën tërësinë e ditës. Më ofendoi rëndë dhe pa shkak.
Pas 2-3 ditësh vjen ftesa në redaksi, ku unë, si shef i departamentit të sportit në “Koha Jonë”, ftohesha në MKRS për të asistuar në prezantimin e ministrit të ri, Edi Rama. “Jo,” thashë, “nuk do të shkoj”. Dhe nuk vajta. Lajmin e dhashë thjesht me dy rreshta, pa asnjë kronikë televizive. Inati i asaj dite nuk më kishte ikur ende.
Pas nja një muaji e takoj Ramën në stadium, në një ndeshje ndërkombëtare të Shqipërisë.
— “Po ti,” më tha, “pse s’erdhe në prezantimin tim? Apo akoma mban inat për atë ditën kur të çova nga tavolina? Hajde se uthulla e fortë prish enën e vet,” më tha. “Asnjë lajm sporti nuk do të kesh pa qenë unë në mes,” shtoi dhe qeshi (ose më saktë nënqeshi) hidhur.
— “Po qe për lajme sportive, unë e mbaj Radio-TV Kohën 24 orë non-stop edhe pa të përmendur ty fare,” i thashë.
E kam treguar edhe më parë historinë kur i shkuam Ramës në zyrë bashkë me Andi Bejten për t’i kërkuar një nder për një ish-të përsekutuar politik. Jo vetëm që nuk na mbaroi punë, por na ofendoi rëndë kur na tha: “Më tregoni drejt, sa lekë keni marrë për këtë gjë ju të dy? Më jepni mua gjysmën e jua mbaroj favorin që sot”. Mua dhe Andit na ra tavani i zyrës në kokë. U ngritëm e ikëm, madje as dorën nuk ia dhamë.
Pas nja dy muajsh, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Edvini më merr në telefon e më kërkon të pinim një kafe te bar-kafeja e Bujar Lekës, kushëririt tim, që ndodhej midis Hotel Dajtit e Galerisë së Arteve. Mendova se kishte ndërruar mendje për atë kërkesën tonë, ose do të kërkonte falje për fyerjen. Hezitova, por pas këmbënguljes së tij, pranova.
Teksa pinim kafen, më tregoi planet dhe idetë e tij të reja për sportin, dhe futbollin në veçanti.
— “Fola me 2-3 miq e kolegë të tu të ngushtë dhe ata më sugjeruan që këtë projekt timin ta nis pikerisht me ty, si i pari nga njerëzit e medias sportive. Ndaj dua mbështetjen tënde.”
Më tregoi se do të organizonte një mbledhje te klubi i ish-Ministrisë së Brendshme.
— “E që ta dish ti, unë të parin dua të shkarkoj presidentin e FSHF-së, Miço Papadhopullin. Kolegët e tu, por edhe unë, mendojmë se po fole ti i pari e të më mbështetësh, të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë. Ty të ngjit fjala,” më tha dhe më ra supeve duke qeshur. “Keni peshë ju të ‘Koha Jonë’.”
“Jo,” i thashë prerë. “Harroje. Miço është njeri i mirë, i ndershëm dhe njeri i futbollit. Pse duhet ta heqësh atë e të vësh këtë njeriun tënd?” (më kishte thënë edhe emrin e kandidatit të tij). “Flije mendjen, unë Miçon nuk e tradhtoj kurrë dhe pas teje nuk vij.” U çova dhe ika.
Pas dy javësh u bë mbledhja. Unë fola pro Miços dhe kundër “ideve të reja” të Ramës. Salla më përkrahu, u bë votimi dhe Miço fitoi. Rama dështoi.
Pas ca kohësh më thërret në zyrë bosi i “Koha Jonë”, Nikollë Lesi.
— “Ore,” më thotë, “takova sot Edi Ramën dhe m’u ankua shumë për ty. Më tha që nuk e pasqyron fare aktivitetin e tij si ministër. Si është puna?”
Ia shpjegova Nikollës se kush ishte Rama dhe si njiheshim. Në fund i thashë: “A më ke vënë këtu për prift? Pse kërkon të më rruash mjekrën? Nëse nuk të pëlqen puna ime, më thuaj dhe unë largohem. Biznesi është i yti, por emri është imi.”
E kisha shkelur pak etikën profesionale, pasi kokëfortësisht e kisha abandonuar totalisht pasqyrimin mediatik të ministrit. Por ai lloj tipi atë lloj sjelljeje meritonte.
Në vitin 1999, më thërret në zyrë zv.ministri i sporteve i asaj kohe, i mirënjohuri K. Tartari: “Bëhu gati se për një javë do të ikësh në Itali me delegacionin tonë. Ty të kemi përzgjedhur si gazetarin që do të pasqyrojë aktivitetin.”
Pas tre ditësh, Tartari më telefonon sërish: “Më fal, o Tiku, por sapo më thanë të të njoftoj se nuk do të vish. Emrin tënd e kishte fshirë Edi nga lista sapo e kishte parë. Më vjen turp, nuk di ç’të them më shumë.”
Kur u largova nga Shqipëria në fillim të vitit 2000, Ramën e lashë ende në detyrë, por “abandonimin” ndaj tij e mora me vete. Pas 11 vitesh emigrim në SHBA, në korrik të vitit 2011, vizitova Shqipërinë. Një natë, Andi Bejtja më thotë se do të hanim darkë me mikun tonë të përbashkët, Reis Çiço, te “Kaomi”, një restorant pranë RTSH-së.
Teksa bisedonim, Reizi thotë: “Bo, Ando, shih kush erdhi!” Kthyem kokat dhe pamë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Ramën, të shoqëruar nga 2-3 veta. “Ishalla s’na sheh,” thashë, pasi as Andi e as Reizi nuk shkonin mirë me të. Jam i sigurt që na pa, por na shmangu dhe u ul në një cep tjetër të restorantit.
Kjo ishte hera e fundit që e shihja fizikisht Edi Ramën. Që prej asaj kohe, as nuk ia kam parë dhe as nuk dua t’ia shoh më kurrë surratin. Kur shoh se si sillet ky njeri prej vitesh me vendin tim, si i fyen dhe i poshtëron kolegët e mi, apo se si shumicën prej tyre i ka vënë në rresht, i them vetes: sa mirë bëre që e abandonove atë monstrër që atëherë.
Shënim: Në foto është Edi Rama gjatë periudhës si Ministër i Rinisë, Kulturës dhe Sportit (prill 1998 – tetor 2000).A.R.D
Gazeta RD