Bozdo: Rama bën show me naftën, qytetarët paguajnë çmimin më të lartë në rajon!

Deklaratë e Partisë Demokratike – deputeti Eno Bozdo, nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë

Edi Rama takoi sot grosistët e naftës dhe u kërkoi që peshën e rritjes së çmimit të karburantit prej krizës iraniane ta mbajnë ata.

Një takim qesharak, sepse as bashkëbiseduesit dhe as mesazhet e Ramës nuk e zgjidhin çështjen që shqetëson shqiptarët sot: koston e një litri karburanti, që sot kishte kapur 2 mijë lekë, kur Kosova dhe Maqedonia, të dyja pa dete dhe pa porte, paguajnë 30% më pak.

Me pak fjalë, Rama takoi ata që nuk duhet, u foli atyre që s’kanë lidhje dhe nuk pranoi asgjë nga përgjegjësitë e tij.

Takimi ishte thjesht një shfaqje mediatike, sepse:

Së pari, Rama nuk mori përsipër të mbajë asnjë kosto mbi vete, duke konfirmuar se s’ka ndërmend të ulë asnjë nga taksat e pafundme që rëndojnë konsumatorët. Çmimi i karburantit në Shqipëri është më i larti në Evropë në raport me fuqinë blerëse dhe dy herë më i lartë se ai i vendeve të rajonit, si Kosova apo Maqedonia e Veriut.

Qeveria Rama e takson naftën me 60%, kur mesatarja e vendeve të BE-së është rreth 50% dhe e vendeve të OECD rreth 45%. Kjo është arsyeja pse këtu te ne kushton kaq shumë nafta dhe shqiptarët zgjedhin të furnizohen në Mal të Zi, Kosovë apo Maqedoni. Për të mos folur pastaj për ndryshimin e madh të cilësisë së naftës.

Së dyti, është rast unik që Kryeministri bisedon me tregtarët për çështje çmimi. Nuk kemi parë asnjë kryeministër në BE apo gjetkë të ndërmarrë takime të tilla. Kriza nuk është shkaktuar prej grosistëve dhe çmimi shumë i lartë i naftës në Shqipëri vjen vetëm prej taksave të qeverisë. Por, nëse ka dyshime për këtë të fundit, Rama lehtësisht mund të ngarkojë Autoritetin e Konkurrencës të vëzhgojë tregun dhe të sigurojë transparencën.

Së treti, nga ky takim morëm vesh diçka me shumë rëndësi: që Shqipëria ka vetëm 30 ditë rezerva, nga 90 ditë që duhet të ketë sipas kërkesës së Direktivës së BE-së, e detyrueshme për t’u zbatuar edhe nga ne. Dhe meqenëse do të bëhemi vend anëtar së afërmi, sipas Kryeministrit, kush e mban përgjegjësinë për këtë fakt të rëndë që kërcënon sigurinë kombëtare?

A do t’ua kërkojë edhe këtë Rama grosistëve?

Partia Demokratike i mbahet premtimit për reduktimin e taksës së qarkullimit. Vetëm kjo masë do të ulë me 240 lekë çmimin e 1 litri naftë. Shqiptarët nuk duhet dhe nuk do të paguajnë asnjë cent më shumë se kosovarët dhe maqedonasit.

Duke rifunksionalizuar dhe nxjerrë nga korrupsioni inspektoriatet përkatëse, brenda 30 ditëve të para të qeverisjes sonë, cilësia e naftës që do t’u shitet qytetarëve do të jetë e standardeve të vendeve të BE-së.

Çdo litër naftë me çmim abuziv dhe me cilësi të keqe është një arsye për protestë.

About Redaksia

Check Also

Paralajmërimi i ish-ministrit të PS: Do rriten të gjitha çmimet! Qeveria të ndërhyjë për naftën

Çmimi i naftës në Shqipëri është në rritje që prej nisjes së luftës në Iran, …