Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ka folur me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe e ka udhëzuar atë të ndalojë sulmet ndaj objekteve iraniane të naftës dhe gazit. Trump kishte thënë më parë se Shtetet e Bashkuara nuk dinin asgjë për sulmin izraelit ndaj objekteve iraniane në fushën e gazit South Pars, rezerva më e madhe e gazit natyror në botë.
CNN shkruan se, Izraeli e kreu sulmin në koordinim me SHBA-në, duke kundërshtuar pretendimin e presidentit. Një burim amerikan i tha gjithashtu CNN se SHBA-të ishin në dijeni të sulmit. Trump tha gjatë një takimi në Zyrën Ovale se SHBA-të dhe Izraeli janë të pavarur por po ia dalin mbanë shumë mirë.
“Është e koordinuar. Por herë pas here ai bën diçka, dhe nëse nuk më pëlqen mua, nuk e bëjmë më”, tha ai. Në të njëjtën kohë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se ndikimi ekonomik është shumë më i kufizuar nga sa priste ai përpara se të autorizonte sulmet e SHBA-së ndaj Iranit.
“Thashë se nëse e bëj këtë, çmimet e naftës do të rriten, ekonomia do të bjerë pak. Mendova se do të ishte më keq, shumë më keq. Mendova se kishte një mundësi që të ishte shumë më keq. Nuk është keq dhe do të mbarojë shumë shpejt”, tha Trump gjatë një takimi dypalësh në Zyrën Ovale me kryeministrin japonez Sanae Takaichi.
Komentet e tij vijnë ndërsa çmimi i naftës së papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar i naftës, u rrit në 115 dollarë për fuçi të enjten në mëngjes, pasi sulmet izraelite shkaktuan hakmarrje iraniane që synonin infrastrukturën kyçe të energjisë.
Gazeta RD