Nga Bujar Leskaj
Instituti suedez V-Dem (Varieties of Democracy), me qendër në Universitetin e Gothenburgut, është një nga burimet më të referuara ndërkombëtare për matjen e cilësisë së demokracisë kudo në botë. Përmes një metodologjie të detajuar që mbështetet në qindra indikatorë dhe ekspertë ndërkombëtarë, V-Dem klasifikon qeverisjet politike në disa kategori, duke filluar nga demokracitë liberale deri tek autokracitë e mbyllura. Një nga kategoritë ndërmjetëse është ajo e “autokracisë elektorale”.
VDem publikon një nga setet më të mëdha dhe të detajuara në glob të të dhënave mbi demokracinë, por edhe për lirinë e mediave, sundimin e ligjit, të drejtat civile, përfshirjen qytetare etj. Këto të dhëna mbulojnë qindra vende dhe dekada historike.
Shqipëria-rënie të fortë në Indeksin e Demokracisë
Në raportin për vitin 2025 (Democracy Reports – V-Dem), instituti V-Dem thekson se Shqipëria ka shënuar rënie në indeksin total të demokracisë, duke u regjistruar si autokraci elektorale.
Shumë institucione ndërkombëtare tashmë po e njohin dhe e analizojnë drejt Ramen dhe sektin e tij në pushtet. Prandaj dhe cilësimi “autokraci elektorale” per rregjimin qe ky autokrat kleptokrat, vjedhës votash ka ndërtuar tek ne flet shumë.
Sipas institutit V-Dem, një “autokraci elektorale” është një sistem ku zhvillohen zgjedhje periodike dhe ekziston një fasadë pluralizmi politik, por ku standardet themelore të demokracisë, të tilla si ndarja e pushteteve, liria e medias, barazia në garë dhe kontrolli institucional janë të dobëta ose të deformuara. Në këto sisteme, zgjedhjet nuk janë plotësisht të lira dhe të ndershme, ndërsa pushteti ka tendencë të përqendrohet në duart e një grupi të kufizuar.
Në raportet e viteve të fundit, Shqipëria është renditur nga V-Dem në këtë kategori, duke reflektuar një shqetësim të vazhdueshëm për funksionimin e demokracisë në vend. Analiza e V-Dem evidenton mangësitë e qëllimshme strukturore të qeverisjes së Ramës, që pengojnë totalisht ose zerojnë funksionimin e mekanizmave që garantojnë një demokraci funksionale.
Një nga arsyet kryesore lidhet me përqendrimin e skajshëm të pushtetit ekzekutiv dhe dobësimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës. Roli i parlamentit shpesh perceptohet si i kufizuar përballë qeverisë, ndërsa institucionet e pavarura përballen me sfida në ushtrimin e funksioneve të tyre pa ndikim politik.
Një tjetër element i rëndësishëm është liria dhe pavarësia e medias. Edhe pse ekziston tek ne një numër i madh mediash, tregu mediatik karakterizohet nga përqendrim i pronësisë dhe ndikim ekonomik e politik, çka ndikon në pluralizmin real të informacionit dhe në cilësinë e debatit publik.
Procesi zgjedhor tërësisht i deformuar
Sipas analizës së institutit V-Dem, proceset zgjedhore në vitet e fundit në Shqipëri, megjithëse zhvillohen rregullisht, janë shoqëruar me akuza për përdorim të burimeve shtetërore, presion ndaj votuesve dhe pabarazi në aksesin mediatik. Këto faktorë ndikojnë në perceptimin dhe vlerësimin ndërkombëtar të integritetit të zgjedhjeve.
Instituti suedez denoncon një deformim të gjerë të barazisë dhe integritetit të garës elektorale. Një nga arsyet kryesore që evidenton V-Dem lidhet me përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të partisë në pushtet. Në shumë raste, administrata publike, investimet publike dhe politikat sociale perceptohen si të orientuara për të ndikuar sjelljen elektorale të votuesve. Kjo krijon një avantazh të padrejtë për qeverinë në raport me opozitën.
V-Dem shpjegon e qartë se vendi nuk mban zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nuk ka nivelet e mjaftueshme të lirisë së shprehjes dhe asociimit. Në praktikë, ky klasifikim e bën Shqipërinë një diktaturë autoritare me maskë demokratike. Nuk është një diktaturë totalitare apo autokraci e mbyllur siç e etiketon V-Dem, sepse qytetarët ende votojnë, por pushteti mbetet i përqendruar dhe zgjedhjet janë farsë.
Një tjetër faktor është presioni i drejtpërdrejtë ose i tërthortë mbi votuesit. Raportime të ndryshme edhe për zgjedhjet e 11 majit 2025, kanë evidentuar fenomene si blerja e votës, ndikimi mbi punonjësit e administratës dhe varësia ekonomike e qytetarëve nga strukturat shtetërore, të cilat ndikojnë në lirinë reale të zgjedhjes.
Votimet nuk janë të një niveli të barabartë për të gjithë aktorët politikë, dhe ndikimi i qeverisë mbi gjyqësorin, mediat dhe administratën publike dobëson mekanizmat demokratikë.
Roli i medias përbën një element të rëndësishëm në këtë vlerësim. Sipas analizave të V-Dem dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, aksesi në media dhe balanca e mbulimit elektoral janë tejet të pabarabarta. Përqendrimi i pronësisë tek biznese të lidhura me qeverinë dhe ndikimi politik mbi median kufizojnë pluralizmin dhe informimin objektiv të votuesve.
Problematikat në administrimin e procesit zgjedhor ndikojnë në perceptimin e integritetit të tij. Edhe pse V-Dem vëren se Shqipëria ka bërë përparime në aspektin teknik të organizimit të zgjedhjeve, çështje si politizimi i administratës zgjedhore dhe mosbesimi ndërpartiak vazhdojnë të mbeten probleme themelore.
Një komponent tjetër lidhet me dobësinë e institucioneve të pavarura dhe të mekanizmave të kontrollit. Kur organet që duhet të garantojnë barazinë në garë dhe të hetojnë shkeljet nuk perceptohen si plotësisht të pavarura, sipas V-Dem, besueshmëria e procesit zgjedhor vihet tërësisht në pikëpyetje.
Krahas farsës elektorale dhe krimit elektoral të 11 majit 2025, Rama vijon të godasë opozitat dhe mediat e gazetarët, sa herë këta të fundit guxojnë të jenë kritikë. Kështu ndodhi edhe sot me silurimin dhe shkarkimin nga puna të gazetarit Ilir Babaramo, që kishte dy dekada në emisionin e tij “Pesë pyetje nga Babaramo”, vetëm se guxoi mbrëmë të vinte theksin jo tek protestat legjitime të opozitës, sikurse ia kërkonte televizioni oborrtar ku punonte, por tek abuzimet dhe korrupsioni i sektit Rama në pushtet.
Korrupsioni qeveritar ende i pandërshkuar si duhet
Sipas institutit suedez, problemet me korrupsionin dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri mbeten faktorë kyç të klasifikimit të vendit si “autokraci elektrorale”, sistem i ngjashëm me Rusinë ose disa shtete të Afrikës. Shqipëria renditet me vende afrikane si Somalia, Zambia dhe Sierra Leone që janë regjistruara si vende diktatoriale. Ndërkohë në listën e autokracive elektorale janë edhe Rusia dhe Serbia.
Kjo situatë e vendos Shqipërinë në një shkallë ku demokracia ekziston vetëm në formë, ndërsa realiteti politik reflekton kontroll të fortë dhe kufizim të plotë të lirisë politike dhe qytetare.
xxx
Sjellja e djeshme e shtetit të sektit Rama ndaj protestës kombëtare të opozitës dhe ndaj Prof. Dr. Sali Berishës, në ditën që kujtohet si dita e triumfit të demokracisë në Shqipëri, 22 marsit, me dhunën policore të ushtruar, e vërteton katërcipërisht etiketimin e V-Dem të qeverisjes së Ramës si “autokraci elektorale”, e aftë të shndërrohet në kleptokrate votash dhe shtypëse e lirisë së fjalës dhe protestës civile.
Vazhdimi i opozitës konstruktive të Partisë Demokratike me protesta të parreshtura dhe lufta e pandërprerë për transparencë e llogaridhënie e mediave dhe e intelektualëve kurajozë, do ta zhveshin Ramën si mbretin lakuriq të përrallës së Andersenit dhe do t’i japin atij emrin e vërtetë: kleptokrat dhe kryeministër antikombëtar.
Gazeta RD