Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se strategjia e opozitës për protestat e ardhshme do të diversifikohet dhe do shpallet së shpejti.
Ai theksoi se jehona ndërkombëtare e protestës së 22 marsit ka tërbuar narkoregjimin dhe mbështetësit e tij, ndërsa ftoi qytetarët që t’i bashkohen betejës për interesat më jetike të tyre.
Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, cila do jetë strategjia e opozitës në protestën e radhës dhe a ia ka dalë deri tani opozita të sensibilizojë faktorin ndërkombëtar me protestat e deritanishme?
Sali Berisha: Tani, strategjia do të shpallet. Ne jemi përcaktuar për diversifikimin dhe i qëndrojmë atij përcaktimi.
Forma e protestës së ardhshme do shpallet së shpejti.
Besoj se në rrafshin ndërkombëtar, ju jeni dëshmitarë vetë që me datën 22 mars në darkë, lajmet më kryesore pas luftës në Lindjen e Mesme, kanë qenë lajmet për betejën e qytetarëve të Tiranës kundër korrupsionit në Shqipëri.
E keni parë vetë se me çfarë dashamirësie dhe simpatie të madhe i kanë përcjellë, me çfarë korrektese.
Dhe kjo e tërboi narkoregjimin dhe puthadorët e tij, të cilët kaluan në marrëzira dhe absurditete, duke treguar lepurin në bark që u ka hyrë.
Vazhdon e pandërprerë beteja jonë.
Ftoj qytetarët të bashkohen me ne se janë interesat më jetike të tyre.
Gazeta RD