Kryetari i PD, Sali Berisha reagoi ashpër për arrestimet e të rinjve shqiptarë në Beograd.
Në konferencën për shtyp, Berisha këkroi lirimin e tyre urgjentish, duke u shprehur se, përndryshe do protestojmë para ambasadës serbe.
Berisha: Së pari, dua të dënoj me forcën më të madhe arrestimin e katër të rinjve shqiptarë në Beograd me urdhër të Aleksandër Vuçiç, kreut të organizatës kriminale të Beogradit.
Të rinjtë shqiptarë janë arrestuar për fajin e vetëm se njëri prej tyre ka postuar në Facebook apo Instagram një flamur shqiptar me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit.
Dhe sipas organeve të Beogradit, ka thënë edhe fjalë të papërshtatshme për Serbinë.
Ky akt i shëmtuar e barazon Aleksandër Vuçiçin me Kim Jong Un-in, me Ajatollahët e Teheranit dhe tregon një racizëm të papërmbajtur dhe urrejtje ndaj shqiptarëve.
Dënoj me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar, të pashembullt dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të të rinjve shqiptarë.
Sikundër, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë me forcë këtë akt që tejkalon të gjitha limitet, që mund të ndodhë dhe njëherë vetëm në diktaturat më të zeza.
Dënoj gjithashtu, heshtjen e argatit të Vuçiç-it në Tiranë, kreut të organizatës kriminale, Edi Ramës, ndaj aktit të padronit të tij.
Katër tifozët nuk kanë kryer asnjë akt përveçse kanë postuar në rrjetin e tyre social status me flamur dhe kanë thënë mendimet e tyre për Serbinë, të cilat sipas Vuçiçit qenkan të ndaluara në territorin e Serbisë të thuash një fjalë të keqe për Serbinë.
Kjo është unike në botë.
Ky është turp!
Ndaj dhe, kërkoj lirimin urgjent, përndryshe opozita do marrë hapat e veta të protestave të fuqishme para përfaqësisë së Beogradit në TIranë.
Ata duhet të lirohen, menjëherë!
Gazeta RD