Në një intervistë për revistën e njohur franceze ‘Le Point’, kryeministri Edi Rama është përballur me pyetje të forta lidhur me korrupsionin dhe pastrimin e parave në Shqipëri.
Gjatë intervistës, gazetarja franceze Anne Nivat i tha e bindur se zyrtarët e Bashkimit Europian janë të shqetësuar se vendi nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar këto dukuri.
Ajo theksoi po ashtu se edhe Porti i Durrësit konsiderohet një qendër e madhe e pastrimit të parave, por Rama e mohoi këtë pretendim, duke e cilësuar si “të pabazuar” dhe duke e krahasuar situatën me qytete të mëdha europiane, si Marseja, Roterdami, etj.
“Zyrtarët evropianë besojnë se vendi juaj nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar pastrimin e parave dhe korrupsionin. Porti i Durrësit, qyteti i dytë më i madh në vendin tuaj, konsiderohet një qendër e madhe e pastrimit të parave në ajër të hapur. Cili është reagimi juaj për këtë?”, pyeti Anne Nivat.
Ndërkohë, kryeministri u justifikua duke thënë se: “Ky lloj pretendimi i pabazuar, i paraqitur si i vërtetë, është sëmundja e botës sonë. Durrësi është qyteti i dytë më i madh në vend, por porti i tij nuk është një operacion i madh pastrimi parash në ajër të hapur. Problemet në Durrës janë shumë më pak të rëndësishme se gjetkë. A nuk kanë probleme të ngjashme edhe Marseja, Roterdami, Antwerpi apo Barcelona?”
Gazeta RD