Nurja: Shqipëria në nivele alarmante të varfërisë! Mungesa e minimumit jetik po deformon realitetin ekonomik

Në një takim të PD me Departamentin e Çështjeve Sociale, Ines Nurja tha se jeta në Shqipëri është bërë e vështirë për qytetarët.
Ajo theksoi se 46.2% e familjeve nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet mujore, ndërsa pensionet mbeten të ulëta dhe çmimet e karburanteve dhe ushqimeve janë të larta.

Nurja: Jeta në Shqipëri është bërë gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.
Ky është një realitet që shihet çdo ditë, në çmimet, në faturat, në mënyrën si familjet organizojnë shpenzimet e tyre.
Për shumë qytetarë, problemi nuk është më si të jetojnë më mirë, problemi është si të përballojnë jetesën bazë.
Nga njëra anë flitet për rritje ekonomike, për progres dhe për afrimin me Bashkimin Europian. Nga ana tjetër kemi një realitet ku një pjesë e madhe e qytetarëve përballet çdo ditë me vështirësinë për të përballuar jetesën.
Këto dy realitete nuk përputhen.
Dhe arsyeja është e thjeshtë: mungon një standard që të tregojë qartë nëse ajo që fitohet mjafton për të jetuar, që është ‘Minimumi Jetik’.
Në Shqipëri të dhënat indirekte për varfërinë janë alarmante, por ajo nuk pranohet.
Sepse nëse do të donim ta dinim sa ishte varfëria reale, ne sot do të duhej të kishim të përcaktuar minimumin jetik.
Dhe pa këtë tregues, realiteti ekonomik mbetet i fshehur.
Le të shohim faktet:
Ø Nëse nisim nga treguesi më i plotë i varfërisë, AROPE, realiteti është i qartë. Në vitin 2024, rreth 40.5% e popullsisë në Shqipëri ndodhej në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Kjo do të thotë se mbi katër në dhjetë qytetarë jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike.
Por edhe kjo shifër nuk e kap të gjithë realitetin.
Ø Sepse kur i pyesim vetë qytetarët, përgjigjja është edhe më e drejtpërdrejtë. Sipas të dhënave, 46.2% e familjeve shqiptare deklarojnë se kanë vështirësi për të përballuar shpenzimet mujore. Pra pothuajse gjysma e familjeve në këtë vend nuk arrijnë të mbyllin muajin.
Dhe kjo është akoma më e thelluar për grupet më vulnerabël që janë fëmijët dhe të moshuarit.
* 49.5% e fëmijëve jetojnë në familje me vështirësi ekonomike
* 44.2% e popullsisë aktive përballet me të njëjtin realitet
* dhe mbi 50.4% e të moshuarve ndodhen në këtë situatë
Ndërkohë, në Bashkimin Europian, këto nivele janë vetëm 16% deri në 22%. Pra diferenca është dramatike.
Dhe arsyeja është e qartë.
Ø Sepse në Shqipëri, çmimet dhe të ardhurat nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.
Sot, çmimet kanë arritur rreth 64% të nivelit të Bashkimit Europian, ndërsa të ardhurat janë vetëm rreth 21%. Kjo diferencë prej mbi 40 pikë përqindje është një nga më të lartat në rajon.
Por problemi bëhet real në momentin që zbresim te jetesa e përditshme.
Ushqimi në Shqipëri është pothuajse në nivelin e BE-së. Në disa raste është më i shtrenjtë. Ndërkohë, familjet shqiptare shpenzojnë rreth 40% të të ardhurave të tyre për ushqim, ndërsa në BE vetëm 13–15%, ndërkohë që të ardhurat janë rreth 5 herë më të vogla se në BE.
Ky hendek midis çmimeve dhe të ardhurave shihet qartë në jetën e përditshme, dhe një nga shembujt më të drejtpërdrejtë është çmimi i naftës. Sot, në Shqipëri, nafta shkon mbi 200 lekë për litër, duke qenë ndër më të shtrenjtat në rajon në raport me nivelin e të ardhurave. Por problemi nuk është vetëm niveli i çmimit. Problemi është efekti që ai ka në të gjithë ekonominë.
Është një kosto që ndikon gjithçka. Ajo hyn në çmimin e ushqimeve, në çmimin e shërbimeve, në çdo hallkë të jetesës. Dhe kur ajo rritet, gjithçka shtrenjtohet.
Në shumë vende europiane dhe të rajonit, rritja e çmimeve të karburantit është shoqëruar me masa konkrete: ulje taksash, subvencione, mekanizma stabilizues për të mbrojtur konsumatorin.
Në Shqipëri, kjo nuk ndodh në të njëjtën mënyrë. Struktura e çmimit mbetet e rënduar nga taksat, ndërsa kostoja bie drejtpërdrejt mbi qytetarët dhe familjet.
Kjo do të thotë se në Shqipëri nuk është luks të jetosh më mirë. Është sfidë të mbijetosh normalisht.
Ø Dhe nëse ka një kategori që e përjeton këtë më fort, janë pensionistët.
Sot, pensionet mesatare mbeten rreth 200 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë, një pjesë pothuajse e plotë e tyre shkon për ushqime dhe ilaçe.
Pra për këta qytetarë:
* çdo rritje çmimi është humbje direkte
* çdo indeksim i ulët është varfërim real
Dhe megjithatë, ne nuk kemi një tregues që të na thotë nëse këto të ardhura mjaftojnë për jetesë.
Nuk kemi një minimum jetik.
Dhe kur një vend nuk e mat këtë, realiteti matet ndryshe.
Ø Matet me emigrim.
Mbi 60% e emigrantëve janë të moshës 20–39 vjeç. Janë pikërisht ata që duhet të ndërtojnë jetën këtu. Mbi 117,281 leje pune janë marrë për t’u punësuar në vendet e BE-së. Pra po largohet pjesa më vitale e popullsisë dhe profesionistët.
Ata nuk largohen sepse nuk duan të jetojnë në Shqipëri, ata largohen sepse nuk arrijnë të jetojnë në Shqipëri.
Kur mbi 40% e popullsisë është në rrezik varfërie, kur pothuajse gjysma e familjeve nuk përballon dot muajin, kur çmimet afrohen me Europën dhe të ardhurat jo, dhe kur të rinjtë largohen në masë, atëherë problemi nuk është mungesa e statistikave.
Problemi është mungesa e një treguesi që i lidh ato.
Dhe ky tregues është minimumi jetik.
Dhe realiteti nuk mund të fshihet më.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Për të bërë realitet programin tonë duhet të largojmë këtë qeveri! Duhet të jemi gati për çdo sakrificë!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, për të bërë realitet programin tonë duhet të …