Shantazhi ndaj televizionit kombëtar MCN, Bujar Leskaj: T’i themi “JO!” dhunës ndaj fjalës së lirë!

Shantazhi ndaj televizionit kombëtar MCN, intimidimet dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të saj, Endri Meksi, përfaqësojnë një goditje të rëndë ndaj demokracisë, lirisë së fjalës dhe mendimit të lirë në Shqipëri.

Policia dhe prokuroria, si autoritete ligjzbatuese, duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe me shpejtësi maksimale për të zbardhur ngjarjen dhe për të çuar përpara drejtësisë autorët e këtij akti të dhunshëm, që synon të traumatizojë dhe të frikësojë median e lirë.

Solidarizohem me të gjitha mediat e lira që sot përballen me sulme, goditje selektive dhe kërcënime nga segmente të ndryshme të një shteti të kapur.

Të gjithë qytetarët e këtij vendi presin nga organet ligjzbatuese kapjen jo vetëm të autorëve, por edhe të ideatorëve të këtij sulmi të pashembullt. Ne duhet t’i themi “JO!” dhunës ndaj fjalës së lirë. Shoqëria jonë duhet të jetë e bashkuar përballë çdo përpjekjeje për të frikësuar dhe heshtur median. Sulmi ndaj medias është sulm ndaj vetëdijes sonë shoqërore. Nuk ka errësim më të madh për ndërgjegjen e një kombi dhe të një shteti sesa goditja me metoda mafioze ndaj institucioneve të fjalës së lirë.

Dhuna dhe kërcënimet ndaj një televizioni përbëjnë një këmbanë alarmi edhe për rastet e fundit të goditjes selektive ndaj mediave kritike dhe pronarëve të tyre. Ky realitet duhet të marrë fund.

Si qytetar dhe deputet i Vlorës, solidarizohem plotësisht me drejtorin e përgjithshëm të MCN TV, biznesmenit të suksesshëm dhe mikut tim Endri Meksi (Endri suksesin e ka tek mençuria, studimet, idetë e tij) në qëndresën e tij ndaj kërcënimeve té përsëritura dhe aktet e rënda të intimidimit ndaj tij dhe medias që përfaqëson.

Kam besimin e plotë dhe ju bëj thirrje drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike t’a mbështesin drejtuesin e medias z. E.Meksi si gjithmonë kur kanë qenë në krah të medias së lirë.

About Redaksia

Check Also

“Shpresa e shqiptarëve është te PD”/ Berisha: Janë me mijëra njerëz që duan të anëtarësohen!

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha zhvilloi ditën e sotme një takim me …