Kryetari i PD, Sali Berisha zhvilloi një takim me drejtuesit dhe koordinatorët politikë të PD-së, ku deklaroi se vendi ndodhet në një moment kritik. Sipas tij, kryeministri Edi Rama po përkeqëson situatën përmes vendimeve që, sipas Berishës, cenojnë ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e drejtësisë.
Berisha e cilësoi si akt ekstrem përdorimin e pushtetit ekzekutiv për të mbrojtur, sipas tij, korrupsionin, duke shtuar se opozita po përballet me një regjim autoritar. Ai deklaroi se me vendimet e fundit, Rama ka shpërfillur qëndrimet e Komisioni Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimi Evropian, duke nënkuptuar se nuk pyet për to.
Berisha: Mirëdita dhe përshëndetje!
Thirra këtë takim me drejtuesit politikë, koordinatorët, në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin, por edhe PD, sigurisht.
Momenti për vendin është kritik dhe në kursin që ka ndërmarrë Edi Rama, nuk mund të ketë asgjë tjetër, përveç se një përkeqësimi gjithnjë e më të madh.
Kjo sepse, akti i tij për të përdorur pushtetin ekzekutiv, për të mbrojtur vjedhjet, korrupsionin e tij, përbën një rast unik, ekstrem në historinë e një vendi pluralist.
Është një akt i pandodhur. Është një akt me të cilin Edi Rama defakto, po të përdorim një term për ta kuptuar njerëzit, shumëzon me zero pushtetin e drejtësisë dhe merr në dorë haptas, para gjithë shqiptarëve, të gjitha pushtetet.
Pra, sot opozita shqiptare përballet me një regjim, kreu i të cilit publikisht guxoi dhe mori në dorë edhe pjesën më të vogël të pushtetit.
Thashë dhe njëherë, pas këtij vendimi duhet ta kemi shumë të qartë se, Edi Rama është i gatshëm të marrë çdo vendim tjetër. Nuk ka asnjë pengesë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë pengesë në marrjen e vendimeve të tjera.
Ju e keni të qartë se ky vendim u mor pas një kundërshtie të plotë të Komisionit Europian dhe vendeve kryesore anëtare të BE-së, të cilave Edi Rama me vendimin e tij, u tha për të mos thënë fjalën shqipe ‘plaç’ u tha ‘unë nuk pyes për ju’. Kjo është e vërteta.
Pse po ndalem në këtë moment?
Ky moment është jashtëzakonisht i rëndësishëm të realizohet nga PD, sepse tani në fushë është vetëm ajo.
Shpresat e mbarë shqiptarëve janë vetëm tek PD. Autokracia këtu është e plotë, diktatura autoritare është e plotë. Nuk ka më asnjë lloj hapësire apo mëdyshje. Jo.
Këto veprime u kryen haptas, u kryen sepse ai vetë personalisht është më shumë se Belinda i implikuar. Ka 25 vite që vjedh së bashku me Belindën dhe tani në fund ajo ja doli ta paraqesë para shqiptarëve dhe botës si një skllav të saj.
Ju e shihni se, si ajo dikton tani çdo emërim të ministrave, zv/ministrave, drejtorit të policisë etj., me radhë. Sepse pengu nuk është Rama që kkontrollon Lubinë, por është Lubia që kontrollon Ramën.
Të jemi të sigurtë për këtë.
Gazeta RD