Kryeministri Edi Rama nuk u ka dhënë asnjë shpresë qytetarëve shqiptarë për një ulje të mundshme të çmimit të naftës, i cili aktualisht po tregtohet me 218 lekë për litër, më i larti në rajon dhe ndër më të lartë në Europë.
Gjatë një takimi me anëtarët e asamblesë së Partisë Socialiste të njesisë 7 në Tiranë, Rama fajësoi luftën në Lindjen e Mesme për çmimin e lartë të naftës dhe jo taksat mbi karburantet të cilat zënë më shumë se gjysmën e çmimit me të cilin nafta tregtohet në Shqipëri.
Me stilin e tij të zakonshëm kërcënues, Rama tha se nëse qeveria hiqte taksën e qarkullimit, atëherë drejtuessve të mjeteve do tu duhej ta paguajnë 4 fish më shumë, ndërkohë që shmangu nga komentet, taksat e tjera që rëndojnë mbi naftën si TVSH-ja apo akciza të cilat janë ulur nga të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Shqipërisë.
“Nëse ne e heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një automjet, do të duhet të paguajnë 4-fishin e asaj që u bie sot, mesatarisht’ tha ai.
Kryeministri ju rikthye sërish një ideje të vjetër që lidhet me krijimin e një kompanie shtetërore të karburanteve, e cila sipas tij, do të garantojë rezervën strategjike por dhe do të hynte në tregtimin e naftës, një eksperiment i cili më herët ka rezultuar i dështuar dhe që sipas ekspertëve vec sa do të shërbente si mjet për korrupsion apo për punësime partiake dhe nuk do të kishte një efekt real përmirësimi në sektorin e karburanteve.
Gazeta RD