Tabaku: Korporata e Investimeve, instrument i kapjes së pronave publike

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se përmes Korporatës së Investimeve ka ndërtuar një mekanizëm të drejtpërdrejtë për privatizimin e shtetit dhe përvetësimin e pasurive publike, duke anashkaluar ligjet dhe kontrollin demokratik.

Në nisje të interpelancës së thirrur ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili refuzoi të paraqitej dhe delegoi përgjigjen tek ministrja Delina Ibrahimaj, që u bë edhe “mollë sherri” në seancë pas debateve e tensioneve për këtë mungesë, Tabaku e përkufizoi evolucionin e qeverisjes si një kalim “nga korrupsioni i vogël tek korrupsioni i madh, tek kapja e shtetit dhe më pas tek privatizimi i tij”.

Sipas saj, Korporata e Investimeve nuk është krijuar për të tërhequr investime, por si një strukturë paralele që operon jashtë rregullave të tregut dhe ligjit.

“Justifikimi për investitorët e huaj ka qenë vetëm fasadë për ngritjen e një shteti privat brenda shtetit publik”, u shpreh ajo.

Tabaku theksoi se ligji që krijoi Korporatën e përjashton atë nga procedurat e prokurimit publik dhe nga standardet e transparencës, duke krijuar një hapësirë ku “nuk ka garë, nuk ka tenderë dhe nuk ka llogaridhënie”. Sipas saj, vendimet për pasuritë publike merren përmes marrëveshjeve të mbyllura, ndërsa institucionet shtetërore sillen sikur këto prona janë private.

Deputetja ngriti një sërë pyetjesh mbi funksionimin e Korporatës, duke kërkuar transparencë për inventarin e pronave të transferuara, vlerën e tyre të tregut, kriteret e përzgjedhjes së partnerëve privatë dhe mekanizmat e kontrollit financiar. Ajo kërkoi gjithashtu informacion mbi buxhetin, shpenzimet, të ardhurat dhe mungesën e publikimit të bilanceve vjetore.

Në mënyrë të veçantë, Tabaku ngriti shqetësime për projekte konkrete, si transferimi i Pallatit të Kongreseve dhe shembja e objekteve publike për ndërtimin e kullave, duke vënë në pikëpyetje interesin publik të këtyre vendimeve.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj ishte mungesa e konkurrencës reale në përzgjedhjen e projekteve dhe investitorëve. Sipas Tabakut, konkurset për projektet janë “procedura formale”, ndërsa vendimmarrja përqendrohet tek kryeministri dhe një rreth i ngushtë aktorësh të lidhur me qeverinë.

Ajo e lidhi drejtpërdrejt këtë model me procesin e integrimit europian, duke theksuar se konkurrenca e lirë, transparenca në prokurime dhe akses i barabartë për bizneset janë detyrime thelbësore ndaj Bashkimit Europian.

“Sot askush nuk mund të thotë nëse investitorë seriozë europianë apo amerikanë kanë përfituar projekte nga kjo Korporatë”, u shpreh ajo.

Tabaku paralajmëroi se përmes një sërë ligjesh dhe mekanizmash — nga investitorët strategjikë tek projektet infrastrukturore dhe Korporata e Investimeve — po krijohet një sistem paralel që prodhon “ishuj paligjshmërie dhe korrupsioni”, duke e vendosur këtë strukturë në krye të një piramide që, sipas saj, përvetëson pasuritë publike në dëm të interesit qytetar.

About Redaksia

Check Also

Skandali me Akademinë e Futbollit të Ergys Agasit dhe roli i agjencisë së Ramës

Nga Gisela Troplini “Shteti si sipërmarrës”, ishte ideja e kryeministrit Edi Rama, kur i dha …