Noka: Çmimet janë rritur për shkak të babëzisë dhe korrupsionit të bandës Rama!

Në një fjalim me tone të ashpra nga foltorja e Kuvendit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka ka lëshuar një sërë akuzash të rënda ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një “bandë” që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe ka rënduar jetën e qytetarëve me anë të një “takse Rama” të fshehur.

Sipas deputetit opozitar, mazhoranca aktuale ka humbur çdo lidhje me realitetin dhe çdo legjitimitet, duke i lënë qytetarët të ndihen “të vjedhur, të mashtruar dhe të përbuzur”. Ai theksoi se imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë është dëmtuar rëndë, duke u përcaktuar nga partnerët evropianë si një “autokraci”.

Flamur Noka: Të nderuar zonja e zotërinj, të nderuar qytetarë, ju që sot ndiheni të vjedhur. Ju që sot ndiheni të mashtruar dhe të përbuzur nga ky palo pushtet që ka humbur çdo lidhje me realitetin dhe që ka humbur çdo legjitimitet. Ne, opozitarët, nuk jemi thjesht këtu për të mbajtur fjalime apo hartime siç e kanë këta traditën, duke e bërë të zezën të bardhë. Ne këtu jemi për të thënë të vërtetën që këta përpiqen çdo ditë ta fshehin. Një e vërtetë që tashmë nuk është vetëm shqiptare, por është bërë lajm në të gjithë botën. Imazhi i Shqipërisë sonë të dashur, është nxirë dhe po nxihet çdo ditë vetëm nga një njeri. Dhe ky quhet Edi Rama, dhe banda e tij sigurisht. Banda këtu. Imazhi real është ky që sot bota po sheh. Viteve investimeve politike, por edhe atyre financiare, me thes dhe pa thes, për të fshehur realitetin e vërtetë të Shqipërisë, tashmë ju ka ardhur fundi. Imazhi real i Edi Ramës dhe i bandës së tij është ai që Europa e tha me zë dhe me figure, autokraci. Autokraci. Është imazhi i një regjimi të kapur nga kartelet, nga korrupsioni dhe nga skandalet dhe arroganca. Ta themi qartë dhe prerë.

Ne kemi detyrë si opozitë t’i themi sot shqiptarëve dhe gjithë botës që Edi Rama nuk është Shqipëria. Edi Rama, së bashku me bandën e tij, është njolla e turpit që ka Shqipëria në kurriz dhe ne duhet të bëjmë dhe do të bëjmë gjithçka për t’ia hequr atë njollë. Sot ne kemi një bandë që nuk qeveris, por ka vetëm një objektiv: të përfaqësojë një rreth të ngushtë interesash, të cilët majmen çdo ditë si derrat. Skandale në krim, skandale në korrupsion, tashmë për organizatën kriminale që përfaqëson Edi Rama nuk janë përjashtim. Jo. Ato janë rutinë e përditshme që e hasni ju të dashur qytetarë çdo ditë dhe kudo.

Këta funksionojnë si një bandë. Tashmë është evidente dhe këtë e din çdo shqiptar, por edhe çdo ndërkombëtar. Ndërkohë, shtetin kjo bandë e ka kthyer në një pronë private. Çdo metër tokë shqiptare, buzë deti apo rrëzë mali, konsiderohet si një pronë private e Edi Ramës dhe e bandës së tij. Çdo pronë publike apo private, me një firmë të Edi Ramës mund të shuhet, apo në rast se i përket një patronazhisti, mund të miliardohet menjëherë. Ata bëjnë ç’të duan, sepse e konsiderojnë pronë Shqipërinë. Çdo cent i taksave tuaja, sot trajtohet si cent dhe para e tyre. Ata e konsiderojnë çdo gjë private të tyre, prandaj quhen bandë.

Ndërkohë që ndajnë pushtet dhe para publike, këta banditë, qytetarët shqiptarë, pra ju, paguani faturën një mijë për çdo gjë. Çdo ditë e paguani taksën Rama kudo. Tek karburantet, sot më të shtrenjtët në Evropë. Por ka një arsye: taksa Rama. Produktet ushqimore janë më të shtrenjtat në Evropë. Pse? Sepse ju paguani taksën Rama. Pse produktet kanë kapur çmenduri? Sepse taksa Rama është drithëruese. Nuk ka vend në Evropë që të taksojë shportën siç e taksojnë këta horra të babëzitur. Prandaj, çmimet, të dashur qytetarë, sot nuk janë rritur thjesht për shkak të tregut. Jo, ato janë rritur për shkak të babëzisë dhe korrupsionit të bandës së pushtetit. Kostoja juaj e jetesës, të dashur qytetarë, është bërë e papërballueshme. Lëre më, po të bisedojmë me ju pensionistë apo të papunë, është drithëruese, është e tmerrshme gjendja ku ju gjendeni…

About Redaksia

Check Also

Kush janë dy rusët?/ Rama u dhuron rusëve dy perla të bregdetit, Zvërnecin dhe Pishë Poron

Ndërsa vëmendja e opinionit publik është zhvendosur te tensionet gjeopolitike dhe skandalet e korrupsionit në qeveri, në …