Një resort turistik në Gadishullin e Zvërnecit dhe Pishë Poro-Nartë ka marrë dritën jeshile nga Kryeministri Edi Rama, por pas emrave të kompanive fshihet një rrjet i ndërlikuar që të çon te disa koncesionet më të përfolura prej miliona eurosh dhe tek disa pronarë rusë e bullgarë.
Më 28 janar 2025, nën drejtimin e Ramës, KKT miratoi lejen e ndërtimit për objektin “Resort turistik në Gadishullin e Zvërnecit, Blloku Rezidencial F1V2, F1V3, F1R6”. Përfituesi i kësaj lejeje është shoqëria “Zvërneci South Adriatic Development” sh.p.k.
Të dhënat tregojnë se kjo kompani është krijuar në gusht të vitit 2024, vetëm 5 muaj përpara se të merrte lejen për projektin strategjik. Por, ajo që bie në sy është pronësia. Kompania shqiptare zotërohet 100% nga një entitet offshore me seli në Amsterdam, e quajtur “Universal Properties Projects BV”.

Rusët që fshihen pas projektit
Sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, pas guackës holandeze qëndrojnë dy emra të huaj që nuk janë të panjohur për drejtësinë dhe autoritetet financiare në Shqipëri.
I pari është Nikita Maximovich Vinogradov, një shtetas rus 33-vjeçar. E dyta, Zoya Georgieva Gyurova, një shtetase bullgare 35-vjeçare.
Në Shqipëri, dëta dy individë nuk vijnë si investitorë të njohur të turizmit, por si persona që kontrollojnë prej viteshfijet e koncesioneve më të përfolura të shëndetësisë.
Gyurova ka qenë përfaqësuese e kompanisë “Arimo BV”, e cila kontrollonte aksionet e koncesionit 80 milionë eurosh të Hemodializës. Ndërsa Vinogradov ka shërbyer si autorizues i transaksioneve të mëdha në disa media dhe spitale private në vend, duke qenë pjesë e të njëjtit grup financiar që ka menaxhuar koncesionet e shëndetësisë.
Rreziku i investimeve ruse
Por përveç të kaluarës së tyre, mësymja e rusëve dhe bullgarëve në Zvërnec ka edhe një problematikë tjetër. Rreziku i investimeve ruse në Shqipëri dhe në Ballkan shihet si një mjet i asaj që njihet si “soft poëer” i Rusisë, për të shtrirë ndikimin në rajon dhe për ta destabilizuar atë përballë orientimit euro – atlantik që ka marrë.
Përmes skemave komplekse me kompani offshore, kryesisht të regjistruara në vende si Holanda apo Qipro, kapitali rus depërton në sektorë strategjikë si energjetika, pasuritë e paluajtshme dhe turizmi, duke synuar blerjen e influencës politike dhe korruptimin e drejtuesve politikë.
Gjithashtu, ky lloj investimi, me origjinë të paqartë ruse, rrit rrezikun e pastrimit të parave dhe mund të jetë kërcënim për sigurinë kombëtare. Zoom.al
Gazeta RD