Deputeti i PD, Klevis Balliu, akuzoi mazhorancën socialiste se prishi qëllimisht seancën parlamentare të së enjtes, përmes një provokimi nga deputeti Taulant Balla, me qëllim bllokimin e një projektligji të propozuar prej tij.
Gjatë një deklarata për mediat, Balliu deklaroi se nisma ligjore parashikonte që pasuritë e konfiskuara nga kartelet e drogës të përdoreshin në shërbim të shoqërisë, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.
Deklarata
Përshëndetje. Dje mazhoranca me anë të një provokimi të turpshëm nga vegla e përhershme Taulant Balla, prishi qëllimisht seancën parlamentare me qëllim për të fshehur ligjet korruptive të saj dhe për t’ju shmangur ligjeve të propozuara nga opozita që shkojnë për qytetarët. Konkretisht unë kisha paraqitur një projektligj në të cilin kërkoja që paratë dhe pasuritë e konfiskuara nga kartelet e drogës në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian, të përdoreshin në shërbim të shoqërisë.
Siç e dini, kartelet e drogës pastrojnë paratë e tyre kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe kjo ka sjellë një rritje eksponenciale të çmimeve të apartamenteve, por jo vetëm. Injektimi i parave të drogës në ekonomi ka sjellë rritje të kostos së jetesës pa rritur standartin e jetesës për qytetarët. Ndaj ky projektligj kërkon që pasuritë e konfiskuara të shfrytëzohen në ndihmë të tre kategorive. Së pari për familjet e efektivëve të rënë në detyrë, si rezultat i përplasjes së tyre me kartelet e drogës. Është turp që sot familjet dhe fëmijët e tyre që kanë dhënë jetën për sigurinë e vendit tonë, të përballen me vështirësi ekonomike apo me pamundësi për të blerë qoftë edhe një shtëpi. Ata që sakrifikuan gjithçka për rendin dhe sigurinë e këtij vendi, meritojnë dinjitet dhe mbështetje reale nga shteti.
Së dyti, për familjet e qytetarëve të pafajshëm që kanë humbur jetën nga përplasjet e bandave kriminale. Shqipëria ka parë skena të dhimbshme, makabre, ku krimi është përplasur në mes të qyteteve dhe viktima kanë qenë njerëz të zakonshëm që nuk kishin asnjë lidhje me botën e krimit. Këtu kujtojmë me dhimbje zotin Bashkim Basha dhe bashkëshorten e tij zonjën Flutura Basha, që humbën jetën në atë që njihet si masakra e Dobraçit, duke lënë pas familje të shkatërruara dhe një dhimbje që nuk shuhet kurrë.
Një tjetër histori që tronditi opinionin publik, është ajo e të ndjerit Erjon Çela, një djalë i ri që punonte kamarier dhe që gjatë turnit të tij duke bërë thjesht punën për të siguruar jetesën, u vra nga plumbat e krimit. Ai nuk ishte pjesë e asnjë konflikti, por u bë viktimë e një realiteti të egër të sjellur këtu nga Edi Rama. Po ashtu nuk mund të harrohen Klodian Riza dhe Arben Hoxha, dy qytetarë të tjerë që mbetën të vrarë në atentatin në Memaliaj. Pas çdo emri ka një familje, ka prindër, ka fëmijë dhe njerëz që sot jetojnë me boshllëkun e një jete të humbur padrejtësisht. Një nga dramat më të mëdha të vendit tonë sot është largimi i të rinjve. Çdo ditë mijëra të rinj e të reja largohen nga Shqipëria jo sepse nuk duan vendin e tyre, por sepse nuk shohin një të ardhme këtu. Kur një çift i ri e ka pothuajse të pamundur të blejë një apartament dhe të ndërtojë jetën e tij, zgjidhja e dhimbshme bëhet kurbeti.
Kjo do të thotë prindër që mbeten vetëm, familje që ndahen dhe një vend që çdo vit humb energjinë dhe shpresën për brez të ri. Ndërkohë që të rinjtë largohen, sektor jetik si shëndetësia apo turizmi po përballen me mungesa të mëdha, pasi shumë spitale në qarqe nuk kanë më as infermier. Nga ana tjetër kartelet pastrojnë paratë e tyre në ndërtim, aq sa vetëm Tirana ka arritur nivele rekord ndërtimi gjatë qeverisjes së Edi Ramës me mbi 14 milionë metra katrorë ndërtim në pak vite. Ndaj projektligji kërkonte që këto pasuri kur të konfiskohen të shkojnë në ndihmë të këtyre kategorive, të harruara nga shteti. Por qeveria dje e ekzekutoi këtë projektligj me një skemë të mirëmenduar për të mos lejuar as diskutimin e tij, në mënyrë që qytetarët të mos informoheshin.
Qeveria nuk e donte këtë projektligj, sepse sot është ngritur një skemë ku pasuritë që konfiskohen përmes manovrave të ndryshme, përfundojnë sërish në duart e të njëjtat kartele që ua janë sekuestruar, përmes kontratave qesharake të qirave. Sot arsyeja pse familjet e efektivëve të rënë në detyrë, familjet e qytetarëve të të përplasjeve të bandave, të cilët kanë mbetur viktimë në këto përplasje, çiftet e reja nuk do të kenë mundësi të përfitojnë nga pasuritë e konfiskuara të karteleve të drogës, është vota e turpshme dhe e pa shpirt e Partisë Socialiste. Unë i garantoj qytetarët se nuk do të ndalem. Do ta rikthej këtë ligj përsëri dhe përsëri derisa ta çojmë deri në fund së bashku. Ky projektligj ju garantoj do të jetë ndër të parët që Partia Demokratike e Shqipërisë do të miratojë në kuvend ditën që do të vijë në pushtet.
Faleminderit!
Gazeta RD