Bujqësia në kolaps/ Gjok Vuksani ngre alarmin: 80% e tokës rrezikon të mbetet djerrë…

Bujqësia shqiptare ndodhet në situatën më të vështirë të mundshme, në prag të një kolapsi total që rrezikon të lërë pasojë të rënda për ekonominë dhe sigurinë ushqimore të vendit.

Drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në Partinë Demokratike, Gjok Vuksani, gjatë fjalës së tij në takim me ekspertët u shpreh se bujqësia shqiptare ndodhet në një krizë të thellë, me rrezik real që deri në 80% e tokës bujqësore të mbetet e papunuar këtë vit.

Ai theksoi se çmimet e larta të naftës, që kanë arritur 2,200 lekë për litër (të vjetra), së bashku me rritjen me rreth 40% të inputeve bujqësore dhe heqjen pa studim të skemës së subvencionimit të naftës, po shkatërrojnë mundësinë e fermerëve për të punuar tokën dhe po çojnë sektorin drejt recesionit më të thellë në 35 vitet e fundit.

Vuksani: Kur flasim për naftën, duhet të kemi parasysh se bujqësia është në situatën më të vështirë të mundshme. Nuk punohet toka me 2200 lekë për litër naftë. Çdo diskutim tjetër, çdo teori propagandistike, asnjë lloj teorie agronomike nuk mund të nxjerrë fitimin nga toka e punuar me 2200 lekë naftë të vjetra. Pra, nuk ka mundësi që fermeri ta punojë.

Shtuar këtu, edhe rritjen e inputeve bujqësore plehra, fara, fidanë, pesticide me rreth 40% që ka ndodhur kohët e fundit. Shtuar edhe heqjen e skemës së naftës, që për mendimin tim është një naivitet dhe një armiqësi ndaj fermerëve, ku në vitin 2025 kanë përfituar 49,000 fermerë mbështetje me naftë. Dhe vetëm 15,000 fermerë janë për shtatë skemat e tjera. Është hequr skema e naftës sivjet pa asnjë lloj studimi, pa diskutim me qarqet profesionale, dhe nuk është kompensuar, nuk është vendosur një skemë tjetër që mund t’i mbështesë këto 49,000 fermerë apo rreth 70% të fermerëve shqiptarë.

Është hequr sivjet, në 2025-ën, edhe skema për mbështetjen e serave. Për të ardhur tek kolegu im, kjo është edhe një nga arsyet pse është rritur çmimi i domateve dhe i perimeve. Është vendosur që fermeri paguan taksë qarkullimi për naftën. Është absurditeti më i madh, sepse traktori nuk kalon në rrugë automobilistike; traktori shkon nga parcela në parcelë. Është absurditet që mjetet mekanike të kenë një taksë qarkullimi.

Prandaj, ky mund të ishte një nga mbështetjet juridike që ju mund t’i bëni që në këtë moment në parlament. Cila është pasoja? Pasoja është shumë e madhe. Sivjet, sipas të dhënave nga fermerët, mund të shkojmë deri në 80% të tokës të lënë djerrë. Nuk ka më efikasitet, nuk ka më interes, nuk ka më mundësi që fermeri të punojë tokën me 2200 lekë të vjetra për litër, sepse nuk ka asnjë vend në botë ku ka të njëjtin çmim për traktorin që punon tokën dhe për benzinin që lëviz në qytete.

Pra, është një vendimmarrje e papërgjegjshme që në këto kushte krize ka hequr edhe skemën e mbështetjes për naftën. Mendoj se fermeri është në gjendje shumë të mjeruar dhe situata do të përkeqësohet. Ky është sezoni i pranverës, që përkon me rreth 60% të ciklit biologjik bujqësor. Në këtë moment, duke humbur prillin, do të kemi mungesë prodhimi vendas, dhe çmimi i domates dhe perimeve do shkojë 4000–5000 lekë.

Pra, nuk është faji i fermerit. Unë mendoj se duhet të bëjmë thirrje që fermerët të dalin në rrugë, të protestojnë siç bëhet në Itali dhe Greqi. Deputetët dhe të gjithë qytetarët duhet të jenë aty, në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Ky është viti i pestë me recesion në bujqësi, dhe me këto çmime nafte, inputesh bujqësore dhe transporti të produkteve, viti 2026 do të jetë më i zi në 35 vitet e fundit për bujqësinë shqiptare.

Prandaj, kjo është një thirrje SOS nga ana ime si agronom me 30 vjet eksperiencë dhe profesor universiteti. Partia Demokratike ndoshta nuk ka mundësi konkrete, por duhet të reagojmë me të gjitha format e mundshme të protestës.

 

About Redaksia

Check Also

E paralajmëruan për Ballukun, 9 vende të BE-së ngrijnë negociatat me Shqipërinë

Negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian janë futur në një fazë frenimi, që i dedikohet …