Nga Ndriçim KULLA
Kur fjala humbet peshën e saj dhe fillon të sillet si një monedhë e zhvlerësuar, që qarkullon shumë, por nuk blen më asgjë. Në këtë pikë, gënjeshtra nuk është më përjashtim, por bëhet rregull. Dhe kur rregulli bëhet gënjeshtër, atëherë pushteti nuk ka më nevojë të fshehë të vërtetën; mjafton ta përmbysë atë.
Kështu shpjegohet edhe ajo që populli e thotë me një thjeshtësi therëse: për dikë, gënjeshtra është “bukë dhe djathë”. Një ushqim i përditshëm dhe i zakonshëm i Edi Ramës, pa të cilin duket sikur nuk mund të jetojë. Në këtë kuptim, nuk kemi të bëjmë më me një devijim moral, por me një mënyrë ekzistence politike.
Në rastin e Edi Ramës, kjo mënyrë shfaqet përmes një paradoksi të vazhdueshëm: ai krijon mjegullën dhe më pas del si interpretuesi i saj. Ai e mbulon realitetin për vite me radhë dhe më pas flet për konfuzionin që vetë ka prodhuar, sikur të ishte një fenomen natyror dhe jo një konstruksion i qëllimshëm. Kjo është forma më e rafinuar e manipulimit: kur autori i errësirës paraqitet si dëshmitari më i besueshëm i saj.
Në diskursin e tij publik, veçanërisht në formatet që kontrollon vetë, si podcastet apo komunikimet e njëanshme, tashmë kërcet hapur përpjekja e tij e fortë për të krijuar një realitet paralel. Një realitet ku opozita gjykohet se në çdo rast nuk është kundërshtare politike, por pengesë ekzistenciale për përparimin dhe integrimin dhe kritika e saj nuk është detyrë demokratike, por sabotim; dhe ku dështimi nuk është përgjegjësi e qeverisjes, por produkt i keqinterpretimit nga të tjerët.
Ky është një mekanizëm i këtij pushteti që kërkon të mbijetojë përtej së vërtetës. Ai nuk e mohon dot realitetin drejtpërdrejt, por e zëvendëson atë me një pamje të zhurmshme, më të përsëritur dhe më të kontrolluar. Në këtë mënyrë, e vërteta humbet në një kakofoni zërash, ku gënjeshtra ka avantazhin e organizimit.
Një nga elementët më të ndjeshëm të kësaj bëme është çështja e integrimit europian. Për shqiptarët, Bashkimi Europian nuk është thjesht një projekt politik; është një aspiratë historike, një horizont shprese që lidhet me dinjitetin, drejtësinë dhe standardet. Pikërisht për këtë arsye, çdo manipulim me këtë temë ka një peshë shumë më të madhe sesa një debat i zakonshëm politik.
Por kur premtimet për integrim përdoren si mjet propagandistik, ato nuk dështojnë vetëm si politika; ato dëmtojnë edhe besimin për të ardhmen. Dhe kur besimi dëmtohet, shoqëria hyn në një gjendje cinizmi të thellë, ku çdo lajm i mirë pritet me dyshim dhe çdo premtim shihet si mashtrim i mundshëm.
Në këtë kontekst, krahasimet me modele si Alexander Lukashenko apo Vladimir Putin që ka krijuar regjimi sot në Shqipëri, nuk janë thjesht figura retorike. Ato shprehin një frikë reale: se standardet demokratike po zëvendësohen gradualisht nga një formë qeverisjeje që ruan fasadën e demokracisë, por boshatis përmbajtjen e saj. Një sistem ku zgjedhjet mbahen, por alternativa eliminohet, ku fjala formalisht lejohet, por diskreditohet; ku institucionet ekzistojnë, por nuk funksionojnë fare sipas kritereve demokratike dhe shtetit ligjor.
Ajo që e bën këtë situatë edhe më të ndërlikuar është fakti se kjo strategji nuk mbështetet vetëm në kontrollin e institucioneve, por edhe në kontrollin e perceptimit. Në epokën e komunikimit të menjëhershëm, ai që kontrollon realitetin që ka krijuar, kontrollon edhe realitetin e perceptuar. Dhe kur realiteti i perceptuar devijon mjaftueshëm nga ai faktik, atëherë qytetari humbet orientimin.
Kjo është mjegulla e vërtetë: jo ajo që mbulon tokën, por ajo që mbulon mendjen. Një mjegull ku dallimi midis së vërtetës dhe gënjeshtrës bëhet gjithnjë e më i vështirë, derisa në fund bëhet i parëndësishëm.
Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh. Jo te një deklaratë e vetme e Edi Ramës dje në podcastin e Zylfos në lidhje me të vërtetën reale të bllokimit të integrimit, jo te një konflikt politik i radhës, por te thellimi i një kulture ku gënjeshtra nuk e turpëron më, ku kontradikta nuk kërkon shpjegim dhe ku përgjegjësia shpërndahet derisa zhduket.
Në një klimë të tillë, opozita akuzohet për gjithçka, por problemi nuk qëndron vetëm te akuzat. Problemi është se akuzat bëhen pjesë e një sistemi ku e vërteta nuk kërkohet më si standard, por përdoret si instrument.
Në këtë mënyrë të të folurit, ku përgjegjësia zhvendoset me lehtësi nga vetja te tjetri dhe ku realiteti zëvendësohet me një histori të përpunuar për konsum publik, shfaqet një nga tiparet më të qëndrueshme të këtij pushteti të gjatë. Kur fajësohet opozita për pengimin e negociatave, nuk kemi thjesht një deklaratë politike, por një akt që synon të deformojë vetë kuptimin e procesit europian, i cili nuk është një garë retorike mes palësh, por një rrugë e ndërtuar mbi standarde të matshme, institucione funksionale dhe një kulturë përgjegjësie që nuk mund të zëvendësohet me fjalë.
Sepse Europa, në thelbin e saj, nuk është një premtim që merret me buzëqeshje dhe as një çmim që jepet për aftësi komunikimi; ajo është një sistem që kërkon llogari, një mekanizëm që mat, vlerëson dhe ndëshkon mungesën e progresit, dhe pikërisht këtu lind kontradikta thelbësore mes diskursit që serviret dhe realitetit që përjetohet. Të pretendosh se pengesa kryesore qëndron tek opozita, ndërkohë që problemet strukturore të shtetit mbeten të pazgjidhura, do të thotë të shmangësh thelbin dhe të mbash publikun në një gjendje pritjeje të pafundme, ku “lajmi i mirë” bëhet një horizont gjithmonë kurrë i arritshëm.
Kjo strategji, e mbështetur mbi një përzierje të kritikës së ashpër ndaj kundërshtarit dhe optimizmit të shpallur për të ardhmen, krijon një iluzion stabiliteti, një ndjenjë se gjithçka është nën kontroll dhe se pengesat janë thjesht të përkohshme, të imponuara nga faktorë të jashtëm, kur në fakt ato burojnë nga vetë mënyra se si është ndërtuar dhe funksionon pushteti. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh: kur fjala zë vendin e veprimit dhe kur perceptimi fillon të zëvendësojë realitetin, atëherë edhe vetë ideja e progresit deformohet, duke u kthyer në një narrativë që nuk kërkon prova, por vetëm besim.
Në këtë kuptim, sulmi ndaj opozitës nuk është thjesht një përplasje politike, por një mënyrë për të shmangur një pyetje më të thellë dhe më të pakëndshme: nëse standardet nuk po përmbushen, kush mban përgjegjësi reale për këtë? Sepse në një sistem të ndërtuar mbi parime, përgjegjësia nuk është e shpërndarë në mënyrë abstrakte, por është e lidhur drejtpërdrejt me ata që kanë pushtetin për të vepruar. Dhe sa më shumë që kjo përgjegjësi shmanget, aq më shumë zgjatet distanca mes asaj që thuhet dhe asaj që është, mes premtimit dhe realitetit, mes një Europe të përmendur në fjalë dhe një Europe që kërkon prova konkrete për të hapur dyert e saj.
Nëse këto parime nuk përqafohen realisht, atëherë çdo premtim për integrim mbetet një fjalë në mjegull. Dhe mjegulla, sado e dendur të jetë, nuk mund të bëhet kurrë rrugë.
Gazeta RD