Bardhi-Peleshit: I rrëzoni ligjet PD-së e më pas i miratoni si të tuajat!

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, gjatë seancës plenare të Kuvendit, u shpreh se mazhoranca socialiste po e përdor institucionin më të lartë ligjvënës për të bllokuar çdo iniciativë të opozitës dhe për të miratuar me “vjedhje” propozimet e saj.

Bardhi akuzoi mazhorancën se rrëzon ligjet e opozitës, ndërkohë që i njëjti tekst, pasi rrëzohet, i jepet deputetëve të shumicës për t’u miratuar më pas, duke dëshmuar mungesë totale të etikës dhe standard të dyfishtë.

Bardhi: Së pari, është e vërtetë që nuk e kemi ngritur në Konferencën e Kryetarëve, sepse nuk mund ta ngresh aty kur ke depozituar një kërkesë për procedurë të përshpejtuar. Nuk ka asnjë sens votimi që ju sapo bëtë, sepse kjo është një paketë ligjore që përbëhet nga dy projektligje. Njëri nga këta projektligje është caktuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit për t’u shqyrtuar më datë 16 prill, dhe është tërësisht logjike që edhe ligji tjetër që bën pjesë në këtë paketë të shqyrtohet atë ditë. Pse nuk duhet t’i jepni dakordësi për këtë?

Pra, për çdo gjë kërkoni që opozita t’ia japë dakordësinë. Një datë dhe një çështje, kur kërkon opozita të futet në axhendën e Kuvendit, as kryetari i Kuvendit, as grupi parlamentar i shumicës, nuk pranojnë ta marrin parasysh. Çfarë shqetësimi ju sjell që të dyja ligjet, të cilat janë pjesë e një pakete, të shqyrtohen në të njëjtën seancë, më 16 prill?

Si është e mundur që për çdo gjë që propozon opozita, ju keni vetëm kartonin e kuq? Jemi gati të themi: kaloni nga fjalët te veprat. Ju jo vetëm i rrëzoni ligjet e opozitës thjesht sepse janë propozuar nga deputetët e opozitës, por keni edhe mungesën normale të etikës: një javë pasi e keni rrëzuar një propozim të opozitës, ia jepni një deputeti të mazhorancës, ai e firmos, e propozon dhe pas dy javësh e kaloni dhe e miratoni të njëjtin propozim. Këto jeni ju.

Dhe pastaj thoni që jeni të interesuar për dialog, dhe se Kuvendi duhet të funksionojë normalisht. Ju opozitën e trajtoni me urrejtje, jo si kundërshtarë politikë sigurisht që jemi kundërshtarë politikë. Por një datë kërkojmë ne, dy projektligje të shqyrtohen bashkë, dhe ju votoni kundër.

Zoti Peleshi, edhe një herë e kam me ju: luani rolin tuaj mbi palët, si moderator i debatit, dhe nuk bëni gabim; përkundrazi, jepni shumë pikë edhe për qytetarët që një herë në gjashtë muaj, kur ka një kërkesë logjike të opozitës, t’i kërkoni kolegëve tuaj ta mbështesin. Ose të paktën ndiqni modelin e Lindita Nikollës dhe Elisa Spiropalit, që një herë në tre muaj dilnin jashtë vendimit të grupit kur kishte një kërkesë të drejtë të opozitës dhe thoshin: “Unë ju mbështes, po s’kam ç’i bëj vendimmarrjes politike të grupit.”

Dilni një herë nga rrjeshti, zoti kryetar! Një datë po kërkojmë të shqyrtojmë ligjet më 16 prill. Ku është e keqja këtu? Ju ngrini 80 veta kartonin kundër, dhe as nuk dini çfarë po votoni. Po rrëzoni armikun e popullit me karton të kuq.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Afera e Portit të Durrësit, afera më e madhe korruptive që ka Europa në tryezë! Portin e peshkimit e morën dy trafikantë

Kryetari i PD, Sali Berisha, e cilësoi aferën e Portit të Durrësit si aferën më …