Opozita ka akuzuar se sektori i ndërtimit në Shqipëri, veçanërisht ai i kullave të larta në Tiranë, është kthyer në një mekanizëm kryesor për pastrimin e parave të krimit të organizuar.
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, gjatë një fjalimi në Kuvend, solli në kujtesë operacionin italian “Basso Profilo”, ku mafia ‘Ndrangheta kishte shtrirë aktivitetin e saj edhe në Shqipëri.
Bylykbashi tha: “Në një nga bisedat e interceptuara, anëtarët e organizatës mafioze thonin: kemi gjetur një në Tiranë që ka nja dy leje për kulla të larta, i duhen para, nuk ka, duket me interes. Pra ishte shumë e qartë, bëhet fjalë për investim dhe pastrim të parave të mafias në sektorin e ndërtimit.”
Ai shtoi se disa prej kullave në kryeqytet ruhen nga roje sigurie speciale: “Ka aty apartamente të cilat janë ding me euro, me euro të drogës. Ruhen që mos të shkojë njeri aty.”
Problemi, sipas tij, nuk kufizohet vetëm në Tiranë. “Në Durrës është karteli më i madh i kokainës në rajon. Ka ulur çmimin e kokainës. Në Elbasan është një nga kartelet më të fuqishme të heroinës. Të koordinuara me një zëvendëskryeministër të krimit të organizuar, i cili sot është gjoja në kërkim, por në fakt nuk është në kërkim.”
Bylykbashi akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar: “Nuk ka një çudi që në Shqipëri edhe kur ishte kryetar bashkie, bashkëpunimin e kishte me krimin e organizuar, po jo të këtij niveli që është sot. Sepse sot ne po flasim me nivele krejt të tjera, ne po flasim për kartele”, tha ai.
Gazeta RD