Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një mbledhjeje me drejtuesit dhe koordinatorët e qarqeve, ka akuzuar qeverinë për aferën e Portit të Durrësit, duke e cilësuar atë si “grabitjen më të madhe në histori”.
Sipas tij, një pasuri publike me vlerë rreth 4 miliardë euro po tjetërsohet në një projekt luksoz në favor të Edi Rama dhe lidhjeve të tij.
Berisha: Miq, para katër ditësh në Durrës, vjedhja dhe ndëshkimi që u bëhet shqiptarëve me portin e Durrësit, tejkalon çdo lloj ndëshkimi që ata kanë marrë ndonjëherë në rrafshin ekonomik. Një pasuri publike që shkon në rreth 4 miliardë euro shndërrohet në Dubain e 1001 netëve të Edi Ramës.
Alabari i tij është vetëm fasada, por ai ka deklaruar, unë investoj 70 milionë, kaq do investoj. Në 12.600 apartamente, në gjashtë hotele luksoze, në marinën për 200 jahte, në pishinat e standarteve më të larta, janë paratë e Franc Çopjes dhe Edi Ramës, paratë e Troplinëve të Suel Çelës, janë paratë e klaneve që ky kontrollon dhe absolutisht janë që të gjitha për miliardierin Edi Rama. Përveç kësaj, qytetarët shqiptarë do paguajnë nga taksat e tyre 1 miliardë euro për ndërtimin e portit në Porto Romano.
A do e pranojmë këtë? Jo, absolutisht. E thashë në Durrës, kjo do jetë çështje me përparësi kombëtare për ne. Jo, kjo do jetë çështje me përparësi kombëtare për Partinë Demokratike. Nuk mund të pranojmë që para syve tanë ky të shkatërrojë, të përvetësojë një pasuri të tillë që vetëm sipërfaqja ku është aty, sipërfaqja e tokës, është 1 milion e 300.000 m2. Dhe tani, pasi kishte deklaruar se portin e ri do ta ndërtojë privati, tani del se portin e ri do ta ndërtojnë qytetarët shqiptarë dhe çfarë porti? Katër herë më të vogël se Durrësi. Pra, shikoni ku jemi ne. Ne nuk mund të pajtohemi kurrë me këtë.
Ndaj dhe duhet të ngrihemi në mënyrën më të fuqishme në protesta. E lodhshme, rraskapitëse, por rrugë tjetër nuk ka. Dhe asgjë pa sakrifica nuk ndodh. Jo. Nuk ka një rrugë të dytë. Kushdo t’i dalë zot vetes së tij, të ardhmes së tij, lirive të tij dhe këtij vendi, duhet të ngrihet. Dhe ne punën më të madhe duhet ta bëjmë me qytetarët, me shumicën e heshtur. T’i nxjerrim nga heshtja, të bashkohen në këtë betejë.
Gazeta RD