Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në fjalën e tij para qytetarëve tek foltorja para kryeministrisë tha se, muajt e protestave kanë prodhuar efektet e para të dukshme dhe se regjimi ndodhet ‘në dëshpërim të thellë’.
Noka u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë presionin deri në goditjen finale.
Noka u ndal te kostoja e lartë e jetesës, duke theksuar paradoksin e një vendi prodhues nafte me çmimet e karburantit ndër më të lartat. ‘Na vjedh në ushqime, te nafta, te pagat, kudo,’ tha ai, duke e quajtur këtë fenomen ‘taksa Rama’.
Flamur Noka: Protestat tona përcillen kudo, sepse janë zëri i lirisë, janë zëri i së vërtetës.
Të gjitha këto janë tregues që ne nuk kemi rrugë tjetër përveçse përballjes. E gjithë kjo periudhë përballjesh, siç e thashë në fillim të fjalës, ka dhënë efektet. Kanë filluar të shkërmoqen. Kanë filluar si gurët e dominosë të rrokullisen duke rrëzuar njëri-tjetrin.
Por, goditjen duhet ta japim ne. Goditje pas goditje, të mos lodhemi derisa të japim goditjen finale, ta shembim për tokë narko-regjimin dhe kreun e saj. Sepse barbar dhe hajdut nuk meriton kjo shoqëri. I kemi ndjekur. Çdo gjë që prek me dorë.
Në çdo objekt që nisin të punojnë, o vjedhin dhe e shkatërrojnë, o e falimentojnë. Nuk ka rrugë tjetër. Por, tashmë është në dëshpërim. Është në dëshpërim të thellë. Prandaj them që efektet e protestës tonë dhe qëndresës tonë kanë filluar të ndihen. Është në dëshpërim kur përpëlitet gjithandej të justifikojë, të justifikojë batërdinë dhe babëzinë e tij. Dhe, në këtë dëshpërim, ne do të na duhet të jemi në ballë të revoltës së qytetarëve, sepse Shqipëria nuk mund të jetë çiflig i këtij barbari dhe i çetës së tij të kusarëve.
Nuk mundet të pranojmë ne që çmimet janë më të larta se gjithë Europa, e çmimet e shportës, ndërsa pagat janë më keq se në Afrikë. Vend prodhues i naftës Shqipëria, por jemi me çmimin më të shtrenjtë të naftës në botë. Pse? Sepse ka një taksë që quhet taksa Rama. Na vjedh në ushqime, na vjedh te nafta, na vjedh te pagat, na vjedh kudo.
Ndaj, sot qytetarët janë të revoltuar dhe kjo revoltë zien kudo. Ndaj protestojnë gjithësecili në mënyra të ndryshme, po kudo ka protestë. Dhe ne kemi treguar që ja dalim. E nisëm kështu kur ishim para Lali Vjesit. Por pas disa muajsh, Lali Vjesi shkoi te vendi. E nisëm këtu kundër Belës. Rrugës është.
Tashmë kemi goditjen e gurit të fundit të shahut, që është vetë kreu i Narkosit. Do ta vazhdojmë, sepse dhe ai do rrokulliset dhe do dorëzohet. Por, mbani mend, rrëzimi i këtij do ketë efekt të madh. Do të ketë fatin pesë herë më të keq se atë të Lali Vjesit dhe të tjerëve. Ky fat e pret Edi Ramën. Sepse ne nuk do të lejojmë që Shqipëria të falimentojë për këta hajdutë dhe këta barbarë.
Jemi në rrugën e duhur, jemi në rrugën e mbarë të çmontimit të Narkosit. Jemi në rrugën e rikthimit në stabilitet të Shqipërisë të destabilizuar prej vitesh nga ky regjim. E premtja e 17 prillit është dita jonë. E premtja e 17 prillit do të jetë një ditë ku ne do të japim një goditje të radhës këtij narko-regjimi. Sigurisht, dua të shfrytëzoj këtë takim edhe për të uruar fitoren liderit të opozitës në Hungari.
Shoh këto ditë, shohim sot gjithë ditën se si mercenarët, mercenarët e Narkosit, të paguar nga taksat e shqiptarëve dhe që hiqen si analistë, mundohen të bëjnë paralelizëm. Jo mor të mjerë, jo. Atje, Orban mundësoi rotacionin. Këtu, Narkosi ka bllokuar rotacionin. Atje në Hungari tregoi Orban se demokracia funksionon. Këtu demokracia është marrë peng.
Orbani nuk qeveriste me kartelet e drogës dhe nuk ndërtoi narko-shtet. Ti ke ndërtuar narko-shtet me kartelet e drogës. Ndaj kurrë s’mund të jesh e njëjta gjë, ndaj kurrë nuk mund të ketë paralelizëm.
Orban nuk përzuri një të tretën e shqiptarëve, e hungarezëve nga Hungaria, sepse ju krijoi mirëqënie dhe ju krijoi mundësi të jetojnë, të luftojnë dhe të punojnë në vendin e tyre, ndërsa ti ke bërë realitet ëndrrën e Çubrilloviçit dhe kurrë s’mund të krahasohesh ti me të. Ama, një gjë po ta them përsëri-përsëri.
Fundi yt do jetë më i tmerrshëm se i diktatorit Hoxha. Ai e vuajti për së vdekuri, ti do ta vuash për së gjalli. 17 prilli do jetë një ditë ku ti do të marrësh një goditje dhe një mesazh të qartë. Je i gjunjëzuar, por do rrëzohesh.
Ndaj ftoj të gjithë me 17 prill, në ora 19:00, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, për të vazhduar betejën tonë, për çmontimin e narko-regjimit, e kësaj kështjelle prej rëre që tashmë është gati të rrëzohet.
Faleminderit dhe fitore!
Gazeta RD