Nuk arrihet marrëveshja/ Ngec projekti i Sazanit

Projekti për zhvillimin e “Resortit Turistik – Ishulli i Sazanit” vijon të mbetet në fazë negociatash, ndërsa qeveria ka vendosur të shtyjë afatet për finalizimin e marrëveshjes me investitorin strategjik. Vendimi i fundit i Komitetit të Investimeve Strategjike (KIS), i datës 30 dhjetor 2025, por i zbardhur së fundmi, reflekton kompleksitetin e lartë të projektit dhe vonesat në realizimin e planit fillestar të veprimit.

Projekti, i propozuar nga shoqëria amerikane “Atlantic Incubation Partners LLC”, ka marrë statusin e investimit strategjik që në fund të vitit 2024, por zhvillimi i tij është shoqëruar me sfida teknike, ligjore dhe infrastrukturore që kanë kërkuar rishikim të afateve dhe procedurave.

Sipas dokumentit zyrtar, grupi i negocimit ka zhvilluar 10 mbledhje, duke arritur përparim në një pjesë të konsiderueshme të detyrave, përfshirë nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi mes investitorit, Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe një shoqërie zhvillimi portual. Megjithatë, marrëveshja përfundimtare ende nuk është finalizuar.

Në këtë kuadër, KIS ka vendosur të ndryshojë disa pika kyçe të vendimit fillestar, duke përcaktuar afate të reja për institucionet përgjegjëse dhe investitorin. Ministria e Turizmit dhe Bashkia Vlorë duhet të përfshijnë zonat bregdetare të Sazanit në listën e stacioneve të plazhit, ndërsa Ministria e Ekonomisë ngarkohet me konsolidimin e pronës dhe kalimin e aseteve në favor të Korporatës Shqiptare të Investimeve.

Një tjetër element kyç lidhet me infrastrukturën dhe sigurinë në ishull. Ministria e Mbrojtjes do të vijojë procesin për pastrimin e zonës nga rreziku piroteknik, një hap i domosdoshëm për zhvillimin e projektit turistik, ndërsa institucionet e linjës duhet të përcaktojnë kushtet për ndërtimin dhe përdorimin e një marine turistike.

Në aspektin e afateve, investitorit i jepen deri në 90 ditë pune për dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar, ndërsa negociatat për marrëveshjen mund të zgjasin deri në 120 ditë pune, me mundësi shtyrjeje për një periudhë të dytë të njëjtë, nëse palët bien dakord.

Vendimi sinjalizon se, pavarësisht interesit strategjik për zhvillimin e Sazanit si një destinacion turistik elitar, projekti mbetet në një fazë të ndërmjetme, ku pesha e koordinimit institucional dhe kompleksiteti i transformimit të një zone me histori ushtarake në një resort modern vijon të jetë sfida kryesore.

About Krye Redaktor

Check Also

Rama tërhiqet nga leja për kullën që ‘pushtonte’ Ambasadën amerikane

Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi të shfuqizojë lejen e ndërtimit për Embassy Tower, kullën 47 …