Deputeti i PD, Bardh Spahia, ka hedhur akuza të forta në Kuvend lidhur me situatën e rendit dhe sigurisë në vend, duke e cilësuar reagimin institucional pas ngjarjeve të rënda si cinik dhe të papërgjegjshëm.
Nga foltorja, ai theksoi se problematika reale lidhet me ndikimin e krimit të organizuar në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe me mungesën e mbështetjes për qytetarët, veçanërisht në veri të vendit.
Spahia: Të nderuar qytetarë shqiptarë, zotërinj deputetë, në fakt e dëgjova me vëmendje dhe m’u duk ekstremisht cinike dhe thellësisht e papërgjegjshme edhe tentativa për të konsideruar çështjet e rendit dhe sigurisë edhe mbas ngjarjeve jashtëzakonisht të rënda, si ajo e Durrësit, thjesht dhe vetëm si një problem i të fortëve të lagjes. Në fakt, problemi i vërtetë, siç e dimë fare mirë edhe qytetarët shqiptarë, janë lidhjet e forta të krimit të organizuar në çdo nivel, që nga kriminelët e lagjeve, të cilët gjejnë mbrojtje dhe mbështetje tek ato patronazhistë të kësaj mazhorance, dhe për të vazhduar pastaj me krimin e organizuar, i cili gjen mbështetjen tek krerët e kësaj mazhorance, tek ministrat e qeverisë, madje edhe tek vetë kryeministri.
Sigurisht që do të ndihen të paprekshëm, sepse e konsiderojnë veten aksionerë në këtë pushtet thellësisht të inkriminuar. Zonja dhe zotërinj, jemi sot në këtë seancë, e cila do të duhej të diskutonte problematika, për hallet e elektoratit, për hallet e banorëve dhe të popullatës. Por nuk besoj se ka hall më të madh për çdo qytetar, sesa të ndihet i vjedhur me duar në xhepa nga ana e kësaj qeverie që tashmë prej 13 vitesh, në vend që të mbronte interesin e tyre, veç i vjedh dhe i abuzon. Të nderuar qytetarë, propagandë dhe vjedhje. Ky është përkufizimi i vetëm që i përshtatet më së miri kësaj qeverie, e cila prej 13 vitesh qëndron e ulur në pushtet falë aleancës me krimin dhe ka diskriminuar sistematikisht Shkodrën dhe veriun e Shqipërisë. Investimet në këto zona kanë qenë me pikatore dhe vetëm aty ku fshihen interesat e pushtetit. Ndërsa zëri i qytetarëve nuk është dëgjuar për asnjë moment.
Gazeta RD