Berisha nga Astiri: Ju shpëtuat opozitën përballë regjimit që donte një Shqipëri pa zë!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një takimi me qytetarët në zonën e Astirit, vlerësoi qëndresën e banorëve ndër vite, duke e cilësuar atë si vendimtare për mbijetesën e opozitës në vend.

Në fjalën e tij, Berisha shprehu mirënjohje për qytetarët e Astirit, të cilët i quajti ‘simbol frymëzimi’ për qëndresën dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ai theksoi se në një periudhë të vështirë politike, kur sipas tij opozita përballej me presion dhe tentativë për t’u zbehur, protestat e kësaj zone luajtën rol kyç.

Berisha: Mirëmbrëma dhe mirënjohjen time më të pakufijshme, nderimin tim më të madh dhe përshëndetjet më të përzemërta për ju, qytetarët dhe qytetarët e Astirit, simbol frymëzimi për çdo qytetar në qëndresën dhe betejën e tyre për dinjitet, për nder, për të drejtën e vet.

Ju, në një kohë shumë të vështirë, në një kohë kur regjimi ngjitej drejt majave të pushtetit, kur opozita zvarritej, në batakun e regjimit, ju qëndruat të pamposhtur. Shënuat rekord në protestën tuaj, së bashku me Klevis Balliun, për të drejtat që shkelmonte një regjim armiqësor, për të drejtat që shkelmonte një regjim banditesk, një regjim pa ligj, pa moral. Dhe ato ishin kohëra të vështira, shumë të vështira, sepse zëri juaj bëhej gjithçka që të shuhej, të mos dëgjohej. Bëhej çdo gjë që opozita të mos ishte. Bëhej gjithçka për një Shqipëri pa opozitë. Kurse ju qëndruat.

Ndaj dhe them këtu para jush, ju jeni frymëzim i qëndresës qytetare dhe meritoni nderimin më të madh nga të gjithë qytetarët e Tiranës. Meritoni një nderim ju dhe të gjithë qytetarët të cilët në këto vite bënë gjithçka, u përballën dhëmb për dhëmb me narkodiktatorin, me Edi Ramën. Njeriun që moralin kriminal të familjes së tij, moralin prej krimineli të babait të tij biologjik, të xhaxhait të tij, e shtroi në moralin e qeverisjes së tij kundër shqiptarëve, e shtroi në përqëndrimin e të gjitha pushteteve në duart e tij të zeza. E shtroi në bashkëpunimin e tij më të ngushtë me bandat më vrastare, me organizatat më kriminale, me kartelet e drogës. E shtroi në shkatërrimin e procesit zgjedhor dhe shtrirjen e zgjedhjeve në një farsë elektorale. E shtroi në plaçkitjen më të madhe të shqiptarëve në histori.

Miq, ju garantoj se të gjitha pushtimet dhe të gjitha regjimet marrë së bashku nuk kanë plaçkitur qytetarët e këtij vendi sa ç’ka plaçkitur Edvin Balluku dhe Lubi Rama me kompaninë e tyre. Por, qëndresa juaj, protesta juaj, revolta juaj, në periudhën më të vështirë, ka qenë shpëtimtare. Ka qenë shpëtimtare për shpirtin opozitar të këtij populli. Ka qenë shpëtimtare për opozitën. Ishte shpëtimtare dhe do jetë shpëtimtare për bashkinë dhe për Shqipërinë.

About Redaksia

Check Also

‘Reporterët pa Kufij’ akuzon direkt Ramën/ “Gazetarët po kërcënohen…”‘

Reporterët pa Kufij i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama në lidhje me raportin e tyre …