Këlliçi: Të rinjtë të marrin fatin në dorë, 8 maji moment vendimtar!

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, gjatë një takimi në ‘Foltoren’ e zhvilluar në njësinë nr. 5 në Tiranë, u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e 8 majit, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për vendin.

Ai kritikoi qeverisjen aktuale për situatën ekonomike dhe sociale në vend, duke përmendur largimin e qytetarëve, rritjen e kostos së jetesës dhe, sipas tij, nivelin e ulët të pagave dhe fuqisë blerëse.

Këlliçi e cilësoi protestën e 8 majit si një reagim qytetar përtej përkatësive partiake.

Fjala e deputetit Belind Këlliçi

Të nderuar demokratë, qëndrestarë. Jemi në zemër të Tiranës, në njësinë numër pesë. Aty ku dua ta nis me një urim për kryetarin e sapo rizgjedhur të kësaj njësie, Fatmir Myrta, që me votën e demokratëve, mori besimin për të drejtuar këtë degë shumë të rëndësishme dhe jetike për Partinë Demokratike, për kryeqytetin, edhe për katër vitet e ardhshme.

Falenderoj Ilirin, Florianën që janë sot me ne dhe pa diskutim, profesor doktor Berishën që i dedikon kohë, vëmendje, njësisë më të rëndësishme pak a shumë dhe zemrës së kryeqytetit. Një njësi që vuan sot për shkolla, vuan për kopshte, vuan për çerdhe, vuan për trotuare, vuan mbi të gjitha për hapësirat e gjelbërta.

Një njësi që e ka nivelin e ndotjes së ajrit të paktën 14 herë mbi normë. E pranuar kjo edhe nga Bashkia e Tiranës pak ditë më parë. Një njësi që ndodhet realisht në zemër të kryeqytetit, por përsa i përket hapësirave të gjelbërta, ndotjes, zhurmës, trafikut, ndërtimit pa kriter, pastrimit të parave dhe kthimit në lavatriçet e pastrimit të parave, prin në të gjitha drejtimet për keq.

Edhe kjo në fakt është një arsye që të gjithë banorët e kësaj njësie, të njësisë numër pesë, do të duhet të dalin për dy ditë nga sot, në datë 8 maj në orën 7:00, do të duhet të dalin para kryeministrisë, jo për partitë politike, jo për Partinë Demokratike, për asnjë forcë politike.

Por do të duhet të dalin aty për veten e tyre, për familjet e tyre, për fëmijët e tyre, për të ardhmen e këtij vendi. Protesta e organizuar nga opozita është një protestë politike pa diskutim, sepse është politika, është kjo qeverisje që në 10 vite ka larguar 1 milionë shqiptarë. Është kjo qeverisje që ka varfëruar qytetarët shqiptarë.

Është kjo qeverisje që sot ia ka bërë çmimin e karburantit për litër, qytetarëve shqiptarë më të shtrenjtin në rajon. Ne sot falë kësaj qeverie kemi pagat më të ulëta në Europë dhe kemi fuqinë blerëse më të ulët në rajon, edhe pas Kosovës.

Dhe sigurisht problemet janë politike, por jo nuk janë partiake. Janë politike për shkak se kjo qeverisje që ka marrë peng fatin dhe të ardhmen e vendit tonë, duhet të largohet një orë e më parë. Dhe falë qëndresës së Partisë Demokratike, falë punës së jashtëzakonshme që është kryer në këto 13 vite opozitë, por mbi të gjitha në pesë vitet e fundit, falë një partie që për mua hyn tek ato parti që janë epike me qëndresën e saj.

Ju ftoj të më gjeni një parti tjetër politike në Europë që ka bërë atë që ka bërë Partia Demokratike e Shqipërisë. Me të gjithë kundra. Me ndërkombëtarë të blerë, me diplomatë të blerë, me liderin e opozitës të kapur në një moment, me gjykatat kundër, me prokurorinë kundër, me mediat kundër, me gjithçka kundër, ia doli të shpëtojë opozitën dhe mbi të gjitha të jetë e vetmja shpresë dhe alternativë për Shqipërinë.

Dhe kjo është falë Partisë Demokratike, falë kreut të saj, zotit Berisha, i cili po të shihni edhe qasjen që kanë sot vetë ndërkombëtarët, vetëm para katër ditësh e kanë pritur me protokoll kryeministror në samitin më të rëndësishëm të partive të djathta në botë në Zagreb.

Në një samit të organizuar nga Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë 84 parti dhe 65 shtete përfaqësohen, zoti Berisha ishte një ndër të paktët lider opozitarë që u prit, u prit me protokoll kryeministror nga kryeministri i Kroacisë, por dhe nga liderët kryesorë të Europës dhe të partive të qendrave të djathta në të gjithë Europën.

Dhe cili ishte mesazhi për PD-në, për zotin Berisha dhe për ne të gjithë? Me zor presim rikthimin në krye të Partisë Demokratike, dhe me zor presim rikthimin në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë. Sepse edhe me rezolutën e miratuar katër ditë më parë, është rezoluta e tetë që fakton katërcipërisht të gjitha qëndrimet dhe pretendimet e Partisë Demokratike në këto katër vite. Janë faktuuar katërcipërisht vjedhja e zgjedhjeve.

Është faktuuar katërcipërisht kapja e drejtësisë. Ka folur si kurrë më parë Brukseli në Tiranë me testin kritik që kishte një emër dhe quhej Belinda Balluku. Dhe çfarë bëri Edi Rama? Për të mbrojtur veten, bunkerizoi parlamentin.

Dhe pa pikë turpi dalin dhe mbajnë leksione për drejtësinë, për drejtësinë që është e pakapur, ndërkohë që përdorën votat për t’i dhënë një shuplakë Brukselit në mes të Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë me urdhër të Edi Ramës. Të dashur miq, këtu në këtë sallë ka shumë të rinj. Miq të rinj edhe të reja, prindërit tanë e kanë kryer misionin e tyre njëherë, e kryen në vitin ’90.

Nuk mund të presim më nga prindërit tanë për të rrëzuar një diktaturë të dytë, më moderne, më të sofistikuar, por më të egër këtë radhë, sepse i ka kapur qytetarët te kafshata e gojës, te buka e gojës. Na takon ne t’i marrim fatet tona në dorë.

Është një shprehje shumë e vjetër latine që thotë, Fati apo Destini favorizon të përgatiturit. Partia Demokratike po, është e përgatitur. Ka 13 vite qëndresë, ka protesta të njëpasnjëshme, ka kauza të drejta dhe e vërteta është me ne. Hajde, bashkohuni qytetarë të Tiranës dhe të Shqipërisë kudo që jeni, në 8 maj, në shesh para kryeministrisë, për të larguar Edi Ramën dhe për t’i hapur rrugën përfundimisht rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe të ardhmes së këtij vendi.

Faleminderit shumë që keni ardhur. Faleminderit për këtë pjesëmarrje sot dhe ju presim të gjithëve ditën e premte në orën 7:00 para kryeministrisë. Hajdeni me të afërmit, me familjet, me fëmijët tuaj, sepse e ardhmja na takon ne, i takon rinisë dhe qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.

Fitore!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Adriatik Doçi është gjobëvënës që merr udhëzime nga Linda Rama, Sokol Balluku ka marrë miliona nga Lubia! 

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës në Foltoren në degën e PD në Njësinë …