Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Raporti i Parlamentit Europian ka gozhduar Edi Ramën në çdo rresht.
Gjatë fjalës së tij në takimin me qytetarët në Degën e Njësia 5, Tiranë, Berisha, Berisha theksoi se ai raport i miratuar me unanimitet nga të gjitha forcat politike është identik me tetë rezolutat.
Berisha: Kjo qëndresë, ky shpirt i pamposhtur i juaji, bëri që opozita shqiptare të kalojë kaluarin më të vështirë që një forcë politike mund të ketë kaluar ndoshta në 100 vitet e fundit në Europë.
Kjo qëndresë e juaja bëri që PD nga forca politike më e izoluar në planet, të shndërrohet jo me deus ex machina, por me qëndresën dhe guximin tuaj, të shndërrohet në forcën politike më të mbështetur në tërë historinë e saj, në forcën politike më të mbështetur në Europë.
Ndaj dhe ky është një shpërblim për lodhjen tuaj.
Një shpërblim për sakrificën tuaj.
Një shpërblim i padiskutueshëm për shpirtin tuaj të pamposhtur.
Miq, 8 rezoluta në të cilat u sanksionuan narkoshteti i Edi Ramës, vjedhjet e Edi Ramës, pushteti i tij absolut, farsa e tij elektorale, qëndrimet e tij antikushtetuese njëra pas tjetrës të votuara nga të gjitha partitë e qendrës së djathtë dhe të djathta në botë.
Çfarë thoshte propaganda?
Janë rezoluta partiake.
Edhe partiake, ato kishin një vlerë të jashtëzakonshme se ato parti që firmosën ato rezoluta, qeverisin botën sot.
Por, prisni, zëri juaj u dëgjua. Qëndresa juaj u dëgjua sepse vetëm dy tre muaj më parë, këtu erdhën për të parë në vend ngjarjet, zhvillimet, dy misione faktmbledhëse ndër më të rëndësishmet në historinë e vendit.
Edhe do u rrëfej një gjë, ta dini.
Një nga vështirësitë tona ka qenë dhe vazhdon edhe sot të jetë, se ndodhitë në Shqipëri janë të pabesueshme.
Dhe jo një, por po u them, gjatë këtyre viteve, me dhjetëra miq, personalitete, në fund të bisedës më thonë: Sali këto janë gjëra të pabesueshme.
Dhe ç’ndodhi?
Prandaj dhe erdhën edhe dy misione faktmbledhëse. I panë këtu.
Njëri përbëhej nga përfaqësuesit e 30 partive politike të Europës, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PPE. Tjetri, misioni faktmbledhës i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit, i cili ka në gjirin e vet 180 parlamentarë europianë, erdhi i kryesuar nga kryetari i një komisioni.
Qëndruan.
Takuan qytetarë.
Takuan forca politike.
Takuan mediat.
Takuan shoqërinë civile.
Dhe, dje u votua raporti.
Ai raport, u them unë ju, është si një pikë e ujit e ndarë në dysh me të gjitha rezolutat e miratuara gjer sot nga forcat politike.
Por ai raport nuk është më i partive të qendrës së djathtë dhe të djathtë, por ai raport është i votuar nga i gjithë spektri politik evropian në Parlamentin Evropian.
Madje, për ta ditur jo, raporteri është socialist, anëtar shumë i rëndësishëm në grupin parlamentar socialist në PE.
Dhe aty, pas një pune intensive, raporti ka gozhduar Edi Ramën në çdo rresht.
Raporti ka gozhduar Lubi Ballukun.
U ka mbrojtur ju, ka mbrojtur qytetarët shqiptarë, ka mbrojtur procesin e integrimit, ka mbrojtur të ardhmen e shqiptarëve.
Ja pra, në qoftë se ju nuk do protestonit, mund të imagjinoni se do ishte ky raport? Kurrë.
Në qoftë se ju nuk do të protestonit, do kishin ardhur misionet faktmbledhëse? Jo.
Kurrë ndonjëherë zëri juaj nuk është dëgjuar më shumë dhe ju e keni bërë këtë në kushtet më të vështira. Të një terrori psikologjik, të një terrori ekonomik, të një terrori të gjithanshëm.
Dhe thoshte një student një ditë, zoti Berisha, unë jam në universitet, unë shprehem, nuk duroj dot, pavarësisht se ç’mund t’u bëjnë prindërve të mi, por unë e marr parasysh, unë dua të flas, të them të vërtetën.
Por ka shokë të mi që nuk e bëjnë këtë, preferojnë heshtjen.
Çfarë është kjo heshtje?
Kjo është e keqja banale.
Hannah Arendt, një filozofe e shquar e shekullit të kaluar, shkon në gjyqin e Eichmann. Eichmann ishte një oficer i lartë nazist, nëpër duart e të cilit kishin kaluar dokumentet për miliona hebrenj në furrat e kampeve të përqendrimit.
Dhe ky ulur.
Dhe kjo shkon se do të shohë monstrën e njerëzimit aty.
Shkon aty, ndjek gjyqin, ai ishte njeri i zakonshëm.
Ai ishte njeri që i thoshte gjykatësit, zoti gjykatës, unë zbatova urdhrin, ky urdhër me erdhi nga filani.
Me një fjalë, ai ndjehej një nëpunës. Por ai kishte humbur çdo aftësi njeri për të protestuar, për të kundërshtuar urdhrin.
Ndaj dhe heshtja është e keqe banale.
Sepse qytetari nuk hesht kurrë para këtij shkatërrimi të kombit.
Sepse qytetari nuk hesht kurrë kur sheh që u larguan 720 mijë të rinj nga Shqipëria.
Sepse qytetari nuk hesht kurrë kur sheh që varfëria po bëhet e lemerishme çdo muaj e më shumë.
Sepse qytetari nuk hesht kurrë kur sheh spitale të shkatërruara, shërbime të shkatërruara. Kur sheh pasiguri të madhe kudo.
Pra ne, ndaj e nisa me ju, elita e vërtetë e kombit ju jeni.
Po, po, absolutisht.
Dhe ne do vazhdojmë këtë mision se ky mision është fati ynë i madh për t’i shërbyer vetes, familjes dhe vendit tonë.
Dhe ne do e fitojmë këtë betejë.
Edi Rama është i plagosur për vdekje. Edi Rama nuk e merr më veten. Jo!
Gazeta RD