Teliti: Pensionistët janë shtresa më e nëpërkëmbur, qeveria i ka braktisur prej 13 vitesh!

Koordinatori i programit ekonomik në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, gjatë tryezës të organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në PD, ka akuzuar qeverinë për braktisje të pensionistëve dhe mungesë politikash sociale në mbështetje të tyre.

Ai theksoi se, pensionistët shqiptarë po përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike, rritje të kostos së jetesës dhe mungesë dinjiteti, ndërsa sipas tij, institucionet kanë dështuar t’u ofrojnë mbështetjen e nevojshme.

Fjala e Dorian Telitit mbajtur në tryezën ‘Pensionistët, të nëpërkëmburit’

I nderuar Prof. Dr. Sali Berisha kryetari i PD, së pari Për mundësitë që na dhatë të takohemi me ju, për të diskutuar me ju problematikat, e shtresës më të akute të shoqërisë shqiptare, e shtresës që ka dhënë gjithë mundin e vetë, dijet e veta, djersën e vetë, edhe gjakun e vetë për ta ndërtuar këtë vend, për të ndërtuar edhe shtetin shqiptar, shtet shqiptar i cili sot fatkeqësisht qeveriset me një grusht njerëzish që pikërisht ju, që jeni kontributorët më të mëdhenj dhe historik të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare, pikërisht ju, ju ka harruar dhe ju ka nëpërkëmbur më shumë se kurrë.

Tema e sotme që ne e shohim dhe në monitor, pensionistët të nëpërkëmbur, nuk është thjesht një metaforë të dashur miq, po është realiteti i hidhur ku prindërit e mi, ju dhe prindërit e të gjithë atyre që po na ndjekin, po jetojnë dhe po vuajnë sot e prej disa vitesh në kurrizin e tyre.

Absolutisht nuk është e lehtë të ndërmarrësh politika sociale për të vendosur dinjitetin në vend. Por e pamundur nuk është.

Ajo që është parë këto 13 vite qeverisjes, të braktisjes së pensionistëve, është parë pikërisht mungesa e vullnetit për t’ju ardhur juve në ndihmë, por mbi të gjitha për të vendosur në vend dinjitetin tuaj të munguar.

Atë që bëmë ne gjatë qeverisjes tonë Sali Berishës 2005-2013, duke rikthyer në qendër të vëmendjes pensionistin shqiptar, prej 13 vitesh ajo politikë u shkel, u hodh në kosh, dhe prej 13 vitesh ne veç shohim thjesht halle dhe problematika të njerëzve që kanë dhënë përsëri edhe jetën e tyre për këtë vend, të cilët nuk konsiderohen absolutisht.

Të flasim për pensionistët nuk është e thjeshtë. Edhe vetë personalisht, kam dy prindër pensionistë. Janë mbi 730.000 pensionistë sot në Republikën e Shqipërisë.

730.000 pensionistë që kanë nevojë për ushqime, që kanë nevojë për trajtime mjekësore, që kanë nevojë për ilaçe, që kanë nevojë për ambiente të përbashkëta ku të rrinë, të kalojnë kohën e tyre.

Por në vend që pensionisti shqiptar të ketë dilemën se si do ta kalojë kohën e lirë dhe me kë do ta kalojë, dilema e ditës që nga momenti që ai gdhin mëngjes dhe deri në orën që ai ngryset në darkë, është si të mbushë barkun me bukë. Si të paguajë faturën e kripur të ilaçeve.

Si të paguajë faturën e rritur të ujit. Si të paguajë faturën skandaloze të energjisë elektrike. Në vend që pensionisti të ketë, të jetë dinjitoz në jetën e tij dhe të mendojë si të kalojë vitet e tij të jetës, vitet e arta të jetës, në atë dinjitetin normal të një qenie njerëzore, ai ngrihet dhe ngryset thjesht si e si të mbijetojë.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Mediat e kontrolluara nuk flasin për 490 mijë pensionistët që marrin pension të pjesshëm!

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës në takimin me pensionistët në selinë e PD, …