Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Heshtja mediatike për raportin e Parlamentit Europian është e papranueshme! Ai tha se, lakrorit i kanë dalë petët.
Berisha: Mbrëmë, në studiot televizive, u fol për çdo gjë tjetër por jo për raportin, i cili trajton çështjet më themelore të shtetit ligjor, të demokracisë, të krimit të organizuar, të drogës dhe larjes së parave, të parlamentit të bllokuar, të farsës zgjedhore, të klientelës së investimeve publike, të korrupsionit që rrok qiellin, të qëndrimeve të Edi Ramës ndaj mandatit të Lubi Ballukut, të qëndrimeve të Edi Ramës ndaj parlamentit dhe refuzimit të tij të të gjitha nismave të opozitës në parlament, të bllokimit të kontrollit parlamentar, të pronësimit nga qeveria në kundërshtim me çdo parim dhe ligj të procesit të integrimit, të nismave që minojnë procesin e integrimit në BE si Ballkani i Hapur apo letra Rama-Vuçiç në kuadër të këtij Ballkani apo nismave të tjera.
Raporti është një dokument i jashtëzakonshëm, në të cilin konstatohet me dhimbje të madhe se gjysma e fëmijëve shqiptarë janë në rrezik varfërie dhe se qeveria nuk ka asnjë masë për fëmijët e përjashtuar, për fëmijët në mjerim.
Denoncohet indiferenca në politikat sociale ndaj të rinjve, fondet e ulëta në arsim.
Denoncohet mungesa e një politike të qartë strehimi social për të rinjtë, për studentët, për punësimin e tyre.
Kërkohet revokimi i menjëhershëm i amendamenteve të ligjit famëzi të investimeve strategjike. Kërkohet regjistri i plotë i këtyre investimeve.
Dënohet me forcë diskriminimi i minoritarëve në punësim dhe në qëllime të tjera.
Dënohet me forcën më të madhe ndërhyrjet brutale të Edi Ramës në sistemin e drejtësisë, në sistemin e prokurorisë.
Në çdo rresht të tij ku ka shkelje dhe mospajtime, janë tre emra famëzi, Edi Rama, Lubi Balluku, Niko Peleshi.
Dhe ajo që është më e papranueshme, heshtja mediatike.
Është renditja e medieve të kontrolluara nga qeveria në anën e qeverisë dhe në censurë, manipulim të opinionit publik.
Kjo është një çështje themelore. Lakrorit i kanë dalë petët.
Gazeta RD