‘Alfred LELA
Miku im i shekullit të shkuar, qëkur punonim te gazeta “Shekulli”, unë si reporter çunak i politikës dhe ai si anti-berishist, Muç Nano, nganjëherë ia fut kot. Më saktë, nuk ia kishte futur më kot se sot, që nga koha kur koha i dha të drejtë për ‘aleancën e qelbësirave’.
Ia kishte futur kot duke thënë se, pjesëmarrësit në protestën e djeshme kishin dalë për ‘hallin e Berishës’.
Fakti është se, Berisha është politikani i vetëm në Shqipëri i cili e ka kaluar një vetting 35-vjeçar, të bërë me zell partizan ndaj tij dhe familjes, nga fëmijët e rritur e deri te fëmijët e tyre ende fëmijë.
Fakti është se, ata që dalin në protestë, qoftë kur i thërret Lapaj, Shehaj apo të tjerë, dalin për hallet e tyre, dhe madje edhe të shqiptarëve të tjerë, që nuk dalin, sipas shprehjes tashmë ikonike të aktorit Mehdi Malkja ‘nuk ka ç’më duhet mua!”.
Fakti është se, i vetmi të cilit shoqëria ende i përgjigjet në numra të mëdhenj, është Sali Berisha. Kjo i vë në hall anti-berishistët, por kjo nuk do të thotë se ata që dalin ngrihen për hallin e Doktorit.
Arsyet pse ata dalin janë fakte:
Nafta është 400 lek më shtrenjtë se në Kosovë;
Cmimet e artikujve ushqimorë janë më shtrenjtë se në Itali dhe ushqimet shumë herë më jocilësore;
Tirana është një ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë;
Kryeministri vë në rrezik integrimin europian sepse vendos para tij mbrojtjen e Ballukut;
AKSHI është provuar si fole e pengmarrjes, shantazhit, korrupsionit në vlerë disa qindra miliona euro;
Siguria ushqimore, siç u pa në rastin e fundit, helmimin e studentëve të Akademisë së Rendit, është në nivele të Afrikës nënsahariane;
Mjafton 2 ditë shi për t’i bërë të pakalueshme ‘rrugët e florinjta’ dhe për të izoluar 1/4 e Shqipërisë, siç ishte rasti i Juglindjes;
Deputetë, funksionarë të lartë të Policisë etj., emërohen nga narko-bandat;
Qeveria Rama është e vetmja në botë me një koordinator të bandave, i cili është ‘në kërkim’, por mund të gjendet lehtësisht edhe me google maps (nuk e gjen dot vetëm Polizia e Hitës, sepse nuk ka marrë urdhër nga Rama);
Siguria dhe rendi ilustrohen çdo javë si gjatë javës së fundit, në mënyrë të dhimbshme, nga rastet e Durrësit, Sarandës dhe Lezhës;
Tuneli i Llogarasë, inceneratorët, tigrat e Vlorës, vijojnë të jenë plagë të pambyllura financiare dhe turpe kombëtare, si për qeverinë ashtu dhe drejtësinë;
Raporti i V-Dem e quan Shqipërinë ‘autokraci elektorale’, dmth një vend ku nuk bëhen zgjedhje të lira;
Raporti i fundit i Parlamentit Europian, hartuar pas turit në Shqipëri të një misioni faktmbedhës rreshton një seri të gjatë problematikash, që nga zgjedhjet e manipuluara, kapja e parlamentit dhe drejtësisë etj.
Shqipërisë i janë larguar rreth 1 milion frymë dhe trupa në 12 vitet e shkuara;
Kur e pyetën Prokurorin e Napolit N. Grattieri, nëse Berisha e tepronte duke e quajtur Shqipërinë “narkoshtet”, përgjigja e tij ishte ‘është edhe më keq”.
Këto janë vetëm një pjesë, pasi një listë shterruese do kërkonte gjithë natën për t’u hartuar.
Këto, për disa janë probleme dhe për disa halle, e për disa afër qeverisë ‘ndodhin kudo dhe bëhen filma’, por janë fakte dhe, as mund të fshihen e as të mohohen.
Muçi duhet ta dijë se hallet në Shqipëri i krijon dhe i zgjidh qeveria. Madje, siç është parë disa herë këta muajt e fundit, ua zgjidh edhe disa njerëzve të opozitës.
Nëse Berisha kishte ‘halle’ të vetat mund t’i zgjidhte edhe ai me qeverinë, shumë më lehtë se ‘opozitarët’ që i kanë zgjidhur ndërkohë.
Fakti që i futet ujit dhe gazit qeveritar më këmbë, tetë herë rresht që prej funddhjetorit, dëshmon se e ka betejë/mision, jo hall.
Të thuash “fajin e ka Saliu”, si kur është në pushtet, si kur është në opozitë, nuk më duket se përbën fakt.
Është, në fakt, BDS-Berisha Derangement Syndrome.
Gazeta RD