Boçi: Reforma Territoriale nuk mund të bëhet nga zyrat e PS! Pushteti vendor duhet t’u rikthehet qytetarëve!

Në Fier u zhvillua sot takimi i radhës i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, ku morën pjesë qytetarë, përfaqësues të pushtetit vendor, organizata joqeveritare dhe deputetë.

Në fjalën hapëse, bashkëkryetari i Komisionit dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, theksoi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar në përfaqësim, në ofrimin e shërbimeve dhe në garantimin e autonomisë vendore.

Boçi deklaroi se Fieri ka qenë një nga qarqet që nuk e ka pranuar ndarjen territoriale të vitit 2014 dhe se ekzistojnë kërkesa legjitime për një riorganizim të ri administrativ.

Sipas tij, një reformë territoriale nuk mund të ndërtohet në zyrat e qeverisë apo mbi variante të paracaktuara politike, por duhet të bazohet tek dëgjimi i qytetarëve dhe nevojat reale të komuniteteve.

Luçiano Boçi: Faleminderit të dashur qytetarë të Fierit, të nderuar deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe organizatave joqeveritare.

Është kënaqësi që gjendemi bashkë në këtë diskutim. Jo bashkë me Partinë Socialiste, por bashkë me ju qytetarët. Ne kemi piketat tona, të cilat nuk ngjasojnë me ato të PS-së.

Sot jemi në qarkun e Fierit, një nga qarqet më të mëdha në Shqipëri, me potencial të jashtëzakonshëm bujqësor, historik dhe industrial. Fieri ka qenë një nga qarqet që nuk e ka pranuar ndarjen territoriale të vitit 2014, pasi këtu ka kërkesa për një ndarje të re administrativo-territoriale. Ne jemi këtu për t’i dëgjuar këto kërkesa, të cilat janë legjitime dhe të domosdoshme.

Një reformë territoriale nuk realizohet në zyrat e qeverisë dhe nuk mund të jetë një vendim i paracaktuar politik, siç ndodhi kur u hodhën variante të gatshme. Kjo reformë nuk mund të ndërtohet vetëm teknikisht nga një komision me përbërje teknike dhe politike. Teknikët mund ta kishin shumë të lehtë ndërtimin e një harte, por ajo do të ishte e pamjaftueshme nëse qytetarët nuk do të dëgjoheshin.

Unë mendoj se mendimet tuaja do të dëgjohen dhe do të merren parasysh, sidomos nga ana jonë si Parti Demokratike.

Kjo sallë ka tension dhe e kuptoj pse. Ne e dimë që reforma territoriale e vitit 2014 dështoi. Sfida nuk është krahasimi me periudhën para saj, por me objektivat që ajo kishte vendosur për veten. Reforma e vitit 2014, një ditë përpara votimit në Kuvend, kishte 46 njësi vendore dhe më pas u bë me 61 për arsye politike. Pra, ishte një hartë politike.

Kjo është një nga arsyet pse Partia Demokratike e ka kundërshtuar vazhdimisht, sepse ne dimë që kjo reformë ka dështuar në shumë nivele, sidomos në nivelin e përfaqësimit. Shumë komunitete janë larguar nga përfaqësimi dhe pushteti vendor nuk është më një instrument llogaridhënieje.

Më parë, llogaridhënia vinte nga komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarin. Sot ka një diferencë shumë të madhe, e vërtetuar edhe nga raportet e SIGMA-s, mes shërbimeve që ofrohen pranë qendrave urbane dhe atyre në zonat rurale. Shërbimet nuk janë në standardin që duhet të ishin dhe kjo ka sjellë pasoja të forta për zonat rurale. Fieri e vuan një gjë të tillë.

Shpopullimi ka prekur si veriun ashtu edhe jugun e vendit. Natyrisht në Shqipëri kemi migracion të brendshëm, por shumë qytetarë po largohen edhe jashtë vendit dhe kjo lidhet edhe me mungesën e një pushteti vendor efikas. Një pushtet vendor funksional do të ofronte më shumë për qytetarët.

Në Fier situata është e njëjtë. Lexova një statistikë që tregonte se lindshmëria ka rënë ndjeshëm, sidomos në këtë qark.

Pas reformës së vitit 2014, bashkitë e mëdha kishin më shumë të ardhura, ndërsa bashkitë e vogla më pak. Ky hendek është thelluar, sepse qeveria nuk ofron modelin gjerman të financimit vendor, por vetëm një përqindje të vogël të GDP-së. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në dobësimin e pushtetit vendor.

Sot kemi një demokraci të rrënuar në pushtetin lokal, pasi mungon autonomia financiare dhe decentralizimi real.

Kërkesat kryesore të Europës lidhen me mjedisin, korrupsionin dhe raportin mes Parlamentit dhe ekzekutivit, jo vetëm me pushtetin vendor. Këto dëgjesa zhvillohen për t’ia afruar pushtetin vendor qytetarëve.

Ajo që ekziston sot në Shqipëri është tensioni territorial. Njerëzit duan të riformatojnë territorin dhe kërkojnë bashki të forta, funksione të qarta, kompetenca të qarta dhe autonomi financiare reale.

Ndarja e vitit 2014 ishte politike dhe jo në funksion të qytetarëve. Ka tension sepse opozita u la jashtë procesit dhe sepse janë hedhur variante që synojnë rritjen e numrit të bashkive në Fier dhe në gjithë Shqipërinë. Bashkitë e mëdha mund ta kenë zgjeruar territorin, por kanë larguar dhe zbehur pavarësinë lokale.

Prandaj, të dashur miq, kërkoj që mendimet dhe fjalët tuaja të mos jenë në raport me politikën, por me qytetarin. Duhet sinqeritet dhe guxim për t’i dhënë Shqipërisë një pushtet vendor real, që i shërben jetës së qytetarëve dhe përmirësimit të jetës së tyre, në mënyrë që ata të qëndrojnë në territoret ku banojnë.

About Redaksia

Check Also

Tabaku reagon ndaj Ramës: Shifrat e prokurimeve publike janë më kokëforta se propaganda!

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar ndaj pretendimeve të kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi …