Balliu: Taulant Balla dhe media të kontrolluara nga qeveria krijuan një skemë propagandistike për të kriminalizuar protestën e opozitës më 8 maj!

DEKLARATË PËR MEDIA DEPUTETI I PD, KLEVIS BALLIU

Lajmi mbi procedimin e tre shtetasve italianë gjatë protestës së opozitës përbën një operacion të mirëfilltë politik dhe propagandistik, përmes të cilit dëshmohet kapja e shtetit dhe konsolidimi i një modeli të shtetit policor.
Më datë 8 maj u publikua lajmi se tre shtetas italianë ishin shoqëruar në polici gjatë protestës së opozitës. Pak më vonë, këta shtetas u lanë të lirë, pasi rezultoi se ndaj tyre nuk kishte prova apo fakte që të justifikonin ndalimin.
Ky fakt dëshmoi se policia kryen arrestime dhe shoqërime pa bazë ligjore, vetëm për të krijuar klimë frike dhe terrori ndaj qytetarëve dhe protestuesve opozitarë.
Një ditë më pas, më 9 maj, portali pranë familjes Rama, ‘Prapaskena’, publikoi një artikull ku pretendohej se tre italianët kishin hedhur koktej molotov gjatë protestës dhe se, sipas portalit, ata kishin deklaruar në polici se ishin sjellë në Shqipëri nga Shkëlzen Berisha dhe ishin paguar nga Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Belind Këlliçi.
Ky lajm i pavërtetë u shpërnda më pas nga media të tjera pranë qeverisë, si Report TV dhe Shqiptarja.com, duke tentuar të krijohej perceptimi i një organizimi kriminal të protestës së opozitës.
Pas publikimit të këtyre lajmeve, Gazeta Tema publikoi një editorial ku hidhej teza se ‘rekrutimet’ po bëheshin në Itali, për shkak të një fryme anti-Rama në atë vend, si edhe për faktin se Partia Demokratike, gjoja kishte mbështetjen e mediave italiane.
Më datë 10 maj, për të mbështetur më tej këtë narrativë, në televizionin ABC Neës u transmetua një intervistë ku persona të paraqitur si ‘analistë’ apo ‘ekspertë të sigurisë’ pretendonin se tre shtetasit italianë kishin hedhur molotovë dhe kishin dhënë deklarime të detajuara në polici.
Në fund të kësaj fushate mediatike reagoi edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili deklaroi publikisht: ‘Mirë që dhunuan policinë, por kush i solli italianët me molotov?’. Kjo deklaratë u paraqit si fakt i kryer, pavarësisht mungesës së provave dhe vendimeve gjyqësore.
Më pas, ky reagim u shpërnda dhe u amplifikua nga një pjesë e madhe e mediave kombëtare, duke forcuar më tej narrativën e ndërtuar kundër protestës së opozitës.
Në këtë mënyrë, u krijua një operacion i koordinuar mediatik dhe politik, përmes të cilit:
u proceduan tre shtetas italianë pa prova të qarta;
u hodh baltë mbi protestën e opozitës;
u tentua kriminalizimi i opozitës;
dhe u ngrit një procedim penal ndaj meje, deputet i Partisë Demokratike.
Ky mekanizëm ngjan me praktikat e ish-Sigurimit të Shtetit, ku pushteti prodhonte dëshmi të fabrikuara dhe akuza të pabazuara për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të krijuar ‘armiq të brendshëm’ apo ‘armiq të jashtëm’.
Kjo skemë e përpunuar anti-opozitare dëshmon kapjen e institucioneve shtetërore, ku policia, media dhe segmente të sistemit të drejtësisë përdoren në funksion të propagandës politike.
Partia Demokratike hedh poshtë me neveri çdo insinuatë për përdorim mercenarësh në protestat e saj dhe e dënon këtë operacion manipulimi ku janë përfshirë policia, mediat dhe qeveria.
Kjo është një përpjekje në vazhdën e përpjekjeve për të mbytur zërin e opozitës dhe baltosur kryengritjen paqësore.

About Redaksia

Check Also

Tabaku reagon ndaj Ramës: Shifrat e prokurimeve publike janë më kokëforta se propaganda!

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar ndaj pretendimeve të kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi …