Shqipëria ndodhet në një moment kyç në procesin e integrimit evropian, që duhet të shërbejë edhe si një mundësi për të forcuar demokratizmin e institucioneve shqiptare, përfshirë funksionimin demokratik të Kuvendit të Shqipërisë. thuhet ne dokumnetin e demokratëve drejtuar kreut te Kuvendit.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dëshiron që Shqipëria të ecë drejt Bashkimit Evropian jo përmes propagandës boshe, por përmes standardëve të mirëfillta dhe institucioneve që funksionojnë në mënyrë demokratike, duke nisur nga institucioni që përbën thelbin e Republikës sonë – Kuvendi i Shqipërisë”.
Në dokumentin e paraqitur, PD thekson se Kuvendi duhet të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin e tij ligjbërës dhe mbikëqyrës në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian, duke garantuar përafrimin e legjislacionit me acquis communautaire dhe zbatimin e tij në praktikë.
Një pjesë e rëndësishme e amendamenteve lidhet me rritjen e kontrollit parlamentar mbi qeverinë, veçanërisht në fushat e financave publike, prokurimeve, koncesioneve, fondeve të BE-së dhe përdorimit të burimeve shtetërore. Sipas PD-së, kjo duhet të shoqërohet me më shumë transparencë, auditim të pavarur dhe llogaridhënie institucionale.
Opozita kërkon gjithashtu garantimin e pjesëmarrjes së plotë të saj në jetën parlamentare, si dhe respektimin e standardeve demokratike, Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, si kusht për funksionimin e pluralizmit politik dhe përmirësimin e dialogut politik.
Në paketë përfshihen edhe kërkesa për zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe ndarjen e shtetit nga partitë politike.
PD propozon gjithashtu respektim të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, duke i cilësuar ato si themel të shtetit të së drejtës dhe si kusht për progresin në negociatat me BE-në.
Një tjetër shtyllë e amendamenteve lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku kërkohet forcim i rezultateve konkrete dhe mbështetje për institucionet përgjegjëse, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian.
Në fokus është edhe media, ku opozita kërkon përmirësimin e mbrojtjes së gazetarisë së lirë, transparencës së pronësisë së mediave dhe pavarësisë editoriale, si dhe garantimin e një mjedisi mediatik konkurrues.
Amendamentet përfshijnë gjithashtu angazhime për luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, forcimin e dialogut politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar me Parlamentin Europian dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së.
Në përmbyllje, PD thekson se Kuvendi duhet të refuzojë çdo nismë apo veprim që, sipas saj, devijon nga kursi i integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Amendamente në projektrezoluten Per procesin e antaresimit te Republikes se Shqiperise ne Bashkimin Europian
Dokumenti





Gazeta RD