Deklarata për marrëveshjen e emigrantëve, Këlliçi: Gafat e ministrit Hoxha cënojnë imazhin e Shqipërisë

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, ka kritikuar Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke e akuzuar për deklarata kontradiktore dhe mungesë serioziteti në detyrë.

Ministri Hoxha ka deklaruar gjatë një takimi në Bruksel se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët nuk do të rinovohet, ndërsa më pas është detyruar të tërhiqet duke thënë se deklarata e tij është nxjerrë jashtë kontekstit.

Këlliçi thekson se një kryediplomat që detyrohet të sqarojë vazhdimisht deklaratat e tij krijon pasiguri dhe dëmton imazhin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Këlliçi rikujton edhe skandalin e mëparshëm me fyerjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si idiotë, duke e cilësuar sjelljen e Hoxhës si të papërgjegjshme.

Postimi i Këlliçit

Prapë ti Ferit…?!

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha me arrogancën dhe supermacinë që pretendon se ka, ka bërë sot një tjetër gafë për të cilën është detyruar të japë shpjegime më pas!

Kur një kryediplomat sqarohet një herë në javë për gjërat që bën e gjërat që thotë, ka një problem serioz.

I paska deklaruar një gazetari italian në Bruksel, se marrëveshja 5 vjeçare me Italinë për vendosjen e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri, nuk do të rinovohet. Një kurajo intelektuale kjo, për të kundërshtuar shefin e tij që është vasal dhe i përkulur kur i duhet të marrë mbështetje për karrigen e tij!

Nuk na ka lënë shumë kohë të mendojmë kështu Feriti, pasi shpejt është shpjeguar duke thënë se ja paskan nxjerrë këtë qëndrim jashtë kontekstit dhe se qenka më tepër një opinion i tij personal.

I njëjti Ministër i Jashtëm, 2 javë më parë ishte protagonist i një skandali që asnjë kryediplomat shqiptar deri më tani nuk e kishte bërë. Në një grup zyrtar komunikimi me ambasadorë dhe vartës të tij, i cilësoi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, si idiotë.

Në fillim e mohoi dhe si zakonisht, tashmë i konvertuar në rilindas të Edi Ramës bëri viktimën e një komploti.

Pastaj fshiu mesazhin. Pastaj tha se ishte gjë e parëndësishme. Më vonë, pohoi se komunikimi që duhet të kemi parasysh është ai në kanalet zyrtare të MPJ dhe jo ai që Feriti përdor me ambasadorët dhe vartësit.

Këto incidente dhe skandale, nuk janë spontane, as rastësi.

Janë pasojë e një fodullëku e mendjemadhësie tipike e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës, të cilët mendojnë se janë jo vetëm të pushtetshëm pa limit, por edhe mbi të tjerët intelektualisht. Dhe kur pastaj del e kundërta, kur tregojnë papërgjegjshmëri dhe mediokritet, e kanë gati justifikimin.

Të tjerët e kanë fajin, mundësisht opozita ose Saliu!

Nëse do të kishte bërë atë që do bënte çdo zyrtar me pak etikë dhe dinjitet, nëse do të kishte dhënë dorëheqjen me skandalin e fyerjes së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, nuk do të kishte ndodhur ky incidenti me shtypin italian.

Dhe ai i radhës në vijim…

About Redaksia

Check Also

Teliti: Mazhoranca mbyll mbledhjen e Këshillit Bashkiak sapo opozita mori fjalën!

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka lëshuar akuza të rënda ndaj mazhorancës …