Dështimi me integrimin/ Noka: Qeveria fsheh kokën si struci! Ku e keni pasaportën evropiane?

Tensionet janë ndezur në seancën plenare, ku gjatë diskutimit për një mocion me debat, deputeti i i Partisë Demokratike Flamur Noka ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe mazhorancës.

Duke e akuzuar ekzekutivin për mungesë totale transparence në lidhje me procesin e integrimit evropian. Deputeti përdori metaforën e strucit që fsheh kokën në rërë, duke kërkuar llogari për premtimet e një viti më parë.

Në qendër të fjalës së tij ishte premtimi për pasaportën europiane, i cili sipas tij ishte dokumenti i vetëm me të cilin mazhoranca zhvilloi fushatën një vit më parë. Sot shqiptarët duan të dinë, ku është ajo pasaportë?, pyeti ai nga foltorja e Kuvendit, duke theksuar se qeveria aktuale është e vetmja që nuk raporton te qytetarët për ecurinë e procesit më jetik për vendin.

Flamur Noka: Zoti kryetar, tani, ju keni përcaktuar një rend dite këtu. Rendi i ditës, pika e tretë është mocioni me debat. Apo jo? Është zhvilluar një fushatë sot një vit vetëm me një dokument në dorë. E mbani mend apo jo? Pasaporta evropiane. Sot shqiptarët, duan të dinë ku është ajo pasaportë. Sot shqiptarët duan t’ju raportohet për ecurinë në lidhje me këtë proces. Çdo qeveri që ndodhet në fazën që ndodhet Shqipëria, i raporton popullit të saj, negociatorët dhe kryeministri, për ecuritë e integrimit. Jeni e vetmja qeveri, e vetmja mazhorancë që nuk raportoni. Dhe për çfarë po flasim? Po flasim për procesin më jetësor në të cilin po ecën ky vend. Shqiptarët duhet të dinë, kemi ecur përpara apo kemi bërë hapa prapa? Lëreni atë me nxitimin e madh për të miratuar projekt-rezolutën.

Po, projekt-rezoluta do miratohet se është vullnet edhe i yni për të ecur drejt, përpara drejt integrimit. Por pse nuk i thoni sot shqiptarëve? Pse nuk i raportoni? Çfarë problemesh ka ky vend? Me krimin e organizuar me kartelet? Çfarë problemi ka ky vend me, me bllokimin që keni bërë të drejtësisë? Çfarë problemi ka ky vend me korrupsionin galopant në të cilin jeni zhytur të tërë? Çfarë problemi ka ky vend me demokracinë të cilën e keni asgjësuar? Këto jua thotë raporti. Dhe shqiptarët duan ta dinë, dikush ta referojë, t’ju thotë çfarë problematikash janë hasur dhe ku kemi ngecur dhe çfarë duhet të bëjmë. Po ju jeni mësuar, gjithmonë kur del çështja e problemit, jeni mësuar me teorinë e strucit, futni kokën në rërë. Po keni harruar se ato të pasmet i keni zbuluar. Ju shohin shqiptarët dhe ndërkombëtarët.

Mos kujtoni se fshiheni dot pas saj. Nuk ndodh askund, në asnjë vend. Më gjeni një vend tjetër, që atje nuk është kryeministri. Nuk vjen kryeministri në një ditë kaq të rëndësishme. Nuk vijnë negociatori, kryenegociatori apo grupi i negociatave, që t’ju thotë, t’ju raportojë qytetarëve të këtij vendi. A mund të më thoni? Zotërinj, ndaj ju lutem, përpiquni sadopak se edhe ju, edhe ky parlament është pjesë e atij raporti. Se si është goditur parlamentarizmi, se si është goditur demokracia, se si është marrë peng ky parlament. Ndaj të paktën ju, përpiquni të dilni, ta lexoni atë raport dhe të dilni mbi këtë batak të cilin po ju zhysin ju përditë. Ju zoti kryetar.

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Rama zgjodhi Ballukun, jo integrimin! Ngop shqiptarët me lugën bosh të “Shqipërisë 2030”!

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po …